Ka një formë të re dhune që po përhapet në heshtje. Quhet sextortion, një fjalë që akoma nuk e kemi mësuar ta themi, por që po prek gjithnjë e më shumë jetë, po shkatërron dinjitetin, sigurinë dhe shpresën.
Në thelb, sextortion është një formë shantazhi seksual që ndodh në internet. Duket si një bisedë e pafajshme, një lidhje virtuale, një miqësi që lind në rrjete sociale. Por pas saj fshihet një kurth: një profil i rremë, një strategji manipulimi, një plan për të kapur në grackë një moment intimiteti dhe për ta kthyer në armë.
Shantazhuesi kërcënon: “Nëse nuk më dërgon më shumë foto… Nëse nuk më jep para… Nëse nuk bën si të them… do t’i dërgoj gjithçka familjes tënde, miqve të tu, kolegëve të tu.”
Të rinj dhe të rritur. Vajza, djem, gra, burra. Të gjithë mund të bien pre e kësaj dhune, sepse të gjithë mund të kemi një moment besimi, një moment vetmie, një moment të pambrojtur.
Por kjo nuk është “pornografi hakmarrëse”. Kjo nuk ka të bëjë me hakmarrjen. Ka të bëjë me pushtetin, kontrollin dhe frikën. Është torturë psikologjike. Është dhunë seksuale digjitale.
Një heshtje që prek edhe Shqipërinë
Ky fenomen nuk njeh kufij. Ai po ndodh edhe këtu, brenda kufijve shqiptarë. Mund të jetë duke ndodhur me dikë që njohim, në heshtje, në frikë, në izolim. Por nuk flitet për të. As në media, as në shkolla, as në ligj. Nuk kemi fjalët për ta përshkruar. Nuk kemi ligje specifike për ta ndëshkuar. Nuk kemi mekanizma institucionalë për të mbrojtur ata që bien viktimë. Dhe kjo heshtje e bën dhunën edhe më të thellë, edhe më të rrezikshme.
“U paralizova. Mendova se nuk do të kisha më shpëtim.” Kështu rrëfen Davide, 34 vjeç.
“Fshiva të gjitha rrjetet sociale. Nuk mund të dilja më nga shtëpia,” thotë Giorgia, 21 vjeç.
“Ndihesha fajtor, i turpëruar. Nuk dija kujt t’i drejtohesha,” kujton Giulio, 47 vjeç.
Ata nuk janë të vetmit. Shoqata italiane PermessoNegato ka regjistruar mbi 1,000 raste të sextortion-it vetëm në katër vitet e fundit, dhe shifra vazhdon të rritet.
Kjo është një epidemi e padukshme, sepse shumica e viktimave nuk flasin. Nga frika. Nga turpi. Sepse ndihen fajtorë. Por nuk është faji i tyre. Nuk është faji i askujt që beson, që afrohet, që është njeri.
Pasojat nuk janë vetëm digjitale, janë njerëzore
Sextortion lë pas ankth, izolim, pagjumësi, frikë, madje edhe mendime për vetëvrasje. Dhe plagët nuk mbyllen kur përmbajtja fshihet. Ato mbeten – në mendje, në trup, në jetën e përditshme. Mund të zgjasin me vite. Kërcënimi rikthehet sa herë që bie një njoftim, një zë, një email.
Çfarë mund të bëjmë?
Nëse je viktimë:
Mos paguaj!
Mos fshi provat! Ruaji!
Blloko shantazhuesin!
Mos e përballo vetëm! Kërko ndihmë!
Sextortion nuk është turpi yt, është krimi i tyre
Ne kemi nevojë për një ligj që e njeh këtë krim. Ne kemi nevojë për media dhe institucione që e emërtojnë dhe e trajtojnë seriozisht. Ne kemi nevojë për kulturë parandalimi, për edukim, për mbështetje, për të thënë me zë të lartë:
Besimi nuk është një gabim. Intimiteti nuk është një mëkat. Askush nuk e meriton të shantazhohet.
Thirrje për veprim: Institucionet dhe mediat shqiptare
Përballë një fenomeni që po rritet çdo vit, siç është sextortion, është e domosdoshme që institucionet shqiptare dhe mediat të reagojnë menjëherë për të parandaluar dhe trajtuar këtë dhunë të padukshme që shkatërron jetën e shumë individëve.
Institucionet shtetërore duhet të përmirësojnë ligjet dhe politikën e mbrojtjes kundër dhunës seksuale digjitale. Kjo do të thotë krijimi i një ligji të dedikuar për sextortion që e njeh si një krim të rëndë, me dënime të qarta dhe mekanizma të menjëhershëm për ndërhyrje.
Policia dhe prokuroria duhet të forcojnë hetimet dhe përgjegjësinë ndaj krimeve të sextortion, duke krijuar një strukturë të dedikuar për trajtimin e rasteve të dhunës digjitale dhe mbrojtjen e viktimave.
Mediat dhe gazetarët kanë një rol të fuqishëm në informimin dhe ndërgjegjësimin e publikut për rrezikun që paraqet sextortion dhe pasojat e tij. Ata duhet të raportojnë pa turp dhe me përgjegjësi, duke ofruar informacion të saktë dhe ndihmë për ata që janë të prekur, si dhe duke theksuar rëndësinë e ndërgjegjësimit shoqëror për këtë çështje.
Plarformat dhe rrjetet sociale duhet të marrin përgjegjësi për përmbajtjen që shfaqet dhe për heqjen e shpejtë të materialeve të paligjshme, duke u bashkëpunuar më shumë me organizatat jofitimprurëse dhe ekspertët ligjorë për të mbrojtur të miturit dhe të rriturit nga kërcënimet dhe shantazhet online.
Institucionet arsimore dhe organizatat rinore duhet të integrimin e edukatës digjitale dhe parandalimin e dhunës seksuale digjitale në programet e tyre të trajnimit dhe informimit për të rinjtë. Edukimi dhe ngritja e ndërgjegjësimit të brezave të rinj është një hap kyç për të parandaluar fenomenin në të ardhmen.
Është koha që të mos heshtim më! Nuk mund të lejojmë që ky fenomen të vazhdojë të përhapet në heshtje, duke shkatërruar jetët e shumë individëve, të rinjve dhe të rriturve. Institucionet dhe mediat shqiptare kanë përgjegjësinë të veprojnë menjëherë, të krijojnë ligje dhe mekanizma mbrojtës, dhe të mbështesin viktimat për t’u rikuperuar dhe për të rimarrë kontrollin mbi jetën e tyre.
Bëhu pjesë e ndryshimit. Vepro tani!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.