Në fokus

April 13, 2017 | 9:40

Sherife Luta, gruaja simbol e eksodit të Kosovës: Vajza më ngriu në krahë dhe e futëm në furrë të sobës

Thonë se një fotografi vlen sa njëmijë fjalë. Është një moment i kapur nga aparati i fotografit boshnjak të agjencisë Reuters, Damir Sagolj, që e ktheu Sherife Lutën nga Kosova në simbolin e refugjatëve kosovarë të Bllacës së Maqedonisë 18 vite më parë.

1

Sherife Luta asokohe ishte 22 vjeçe dhe mbante në gji vajzën e saj 6-muajshe, Besën. Ditën e 8 marsit 1999, ajo ishte një grua që doli nga shtëpia me foshnjën dhe babanë e saj për t’i shpëtuar granatimeve të serbëve në fshatin Ivajë në Kaçanik të Kosovës. Bashkëshorti iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare, së bashku me burrat e tjerë të rinj e të fuqishëm.

Ndërsa Sherifja, një nënë e re, e paveshur, me pelenën e vajzës në kokë, e pangrënë, në një mot të ftohtë e me dëborë, eci për afro një muaj të tërë në këmbë me mijëra banorë te tjerë që po përpiqeshin t’i shpëtonin luftës. Deri në datën 3 ose 4 prill, kur u shkrep dhe fotografia që hyri në histori.

Duke folur për herë të parë për një televizion shqiptar, protagonistet e fotografisë, Sherife dhe Besa Luta, kanë rrëfyer vështirësitë e atij rrugëtimi dhe habinë kur kanë parë foton.

“Pasi kishim ecur 24 orë pa ndërprerje,  vajza ngriu dhe nuk qante më. Kishte ngrirë. Mendova që kishte vdekur. E mori kunata ime dhe e futi në furrë të sobës të një shtëpie në Bllacë.  Pas dhjetë minutash nisi të qante dhe refugjatët e tjerë nisën të duartrokisnin. Aty nisa të qaj. Kisha shumë emocione”-thotë e përlotur Sherife Luta.

Ajo ka treguar sesi gjatë eksodit shumë njerëz humbnin ndjenjat, rrinin për ditë të tëra pa ngrënë, madje ka pasur dhe gra që kanë lindur maleve. Ato i janë mirënjohëse fotografit boshnjak. “Do donim ta takonim fotografin dhe ta falenderonim. Habitem si e ka kapur këtë foto qe ka tronditur botën”-thotë Besa.

Pjesë e intervistës, më pas, ka qenë edhe kryefamiljari Mirvat Lutaj.  Përveç fotografisë, ato ruajnë edhe sot e kësaj dite batanijen që mbështillte Besën atë ditë. Më pas, pjesë e intervistës është bërë edhe kryefamiljari Mirvat Lutaj, invalid i luftës së Kosovës.

Ai tha për “Pasdite në Top Channel” se ishte shumë e vështirë të ndahej nga gruaja dhe vajza, por sipas tij lufta ka kosto dhe sakrifica. Pasi u ritakuan në qershor, familja Lutaj ndërtoi një shtëpi te re në Kaçanik të vjetër dhe u shtua me dy djem. Tashmë ato ditë të vështira mbijetese kanë mbetur pas. Vendin e ftohtësisë dhe frikës, e kanë zënë pranvera dhe paqja./TCH

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top