Në fokus

December 23, 2017 | 8:25

Shijoni sa më shumë festat!

Sa bukur, jemi në prag festash! Më në fund do të keni mundësinë të shijoni disa ditë pushime, gjatë të cilave duhet të zgjidhni dhuratat, të shkoni t’i blini, t’i paketoni, t’i dorëzoni… E më pas vjen darka e Krishtlindjes apo e Vitit të Ri. Do t’ju duhet të ftoni familjarët, të blini ushqime për të gjithë, të gatuani, pa harruar se çfarë duhet të vishni për atë rast; e pastaj vjen dekorimi i shtëpisë, zbukurimet te dera, etj… Po ndiheni të stresuar vetëm duke i lexuar të gjitha këto? Imagjinoni kur t’i bëni me të vërtetë! Po ju vjen ndër mend të mos festoni dhe të ktheheni në zyrë? Mos u shqetësoni! Me pak këshilla të thjeshta do ju ndihmojmë të lehtësoheni nga punët, në mënyrë që të shijoni sa më shumë festat: me njerëzit që i keni për zemër pranë jush, rreth e qark jush, me ju. Ndaj festoni!

christmas-shopping-small

PËRFSHINI NË MENYNË E DARKËS PJATA TË FTOHTA | Në këtë mënyrë mund t’i përgatisni më parë dhe nuk do të lodheni në momentin e fundit, pasi të keni veshur fustanin e mbrëmjes. Në kundërshtim me mendimin e shumicës, ekzistojnë pjata të ftohta shumë të shijshme, për shembull: rosto viçi, e prerë në feta të holla, të cilën mund ta përdorni si antipastë apo edhe si pjatë të dytë.

MOS BLINI USHQIME NË SASI TË PAKËT  | Nëse në minutën e fundit mund t’ju vijë për darkë ndonjë kushëri, nuk do të përjetoni atak paniku dhe s’duhet të kaloni vigjiljen e festës duke telefonuar gjithë fisin për të kuptuar nëse do ju vijnë për darkë apo jo. Ç’rëndësie ka nëse për darkë do t’ju vijnë edhe më pak njerëz nga sa do të ftoni?! Në fund të fundit, mund t’i ruani ushqimet në frigorifer dhe mund t’i konsumoni të nesërmen. E rëndësishme është të mos hidhni asnjë ushqim.

NDANI PUNËT  | Të ndani peshën e punëve është një gjë shumë e mirë, por në këtë mënyrë nuk do të mbingarkoni as familjarët me punë të vështira. Mos e mbingarkoni veten nisur nga mendimi “si gatuaj unë, nuk gatuan askush”. Familjarët mund të rregullojnë tryezën, dikush tjetër mund të zbukurojë shtëpinë, një tjetër mund të hapë shishen e verës apo të presë bukën. Nëse të gjithë pjesëtarët e familjes do të ndihen të përfshirë, kënaqësia do të jetë edhe më e madhe dhe do të keni mundësinë të ndani gëzimin të gjithë së bashku.

ZBUKURONI SHTËPINË ME FANTAZI, JO ME LEKË  | Nuk është e nevojshme që çdo vit të blini zbukurime të reja, duke boshatisur kështu portofolin. Shtëpia mund të duket ndryshe nga një vit më parë edhe duke i vendosur zbukurimet në mënyrë të ndryshme. Nxirrini nga kutitë zbukurimet e vitit të kaluar ditë përpara dhe vendosini me qetësi, duke shpikur zgjidhje të reja.

PËRCAKTONI NJË BUXHET PËR DHURATAT  | Të vendosni një vlerë maksimale shpenzimesh do t’ju ndihmojë të zhvilloni fantazinë, duke synuar te gjërat e nevojshme dhe duke evituar “shpërthimet e bujarisë” në çastin e fundit, kur vetëm e vetëm për të blerë një dhuratë, blini artikullin e parë që shikoni në vitrinë (i cili është gjithmonë, sistematikisht, më i shtrenjtë). E keni menduar pastaj që një dhuratë mund të paketohet në mijëra mënyra? Për shembull, edhe me fletët e një reviste që mendonit ta hidhnit, apo me vizatime të bëra nga fëmijët, apo me fletët e kalendarit të vitit që tashmë po mbaron. Mund minimal, por me rezultat maksimal.

NDRYSHONI LOOK  |  Nuk duhet detyrimisht të shkoni në festë me një fustan të sapoblerë: mjafton të ndryshoni aksesorët e një fustani që mund ta keni prej kohësh në gardërobën tuaj. Është e vërtetë se veshja nuk të bën prift, por një rrip, një kravatë, një gjerdan apo byzylyk po.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top