Lifestyle

August 29, 2017 | 9:29

Shkëlzen Doli (ri) vjen të luajë në Tiranë, vërtet për publikun

Këtë herë duket se koncerti i violinistit Shkëlzen Doli, në Tiranë, nuk do të jetë më aq misterioz e aq i pamundur sa ç’ishte disa muaj më parë, kur ardhja e Filarmonisë së Vjenës në kryeqytet, shkaktoi jo pak polemika.

Këtë herë, edhe sepse e gjithë paria tashmë e ka parë koncertin dhe nuk ka më interes, gjërat janë bërë të qarta që në fillim. Thuajse një muaj më parë janë thënë detajet e organizimit të koncertit që nuk do të organizohet më në Pallatin e Kongreseve, por në Sheshin Skënderbej, janë bërë të ditura sportelet e biletat, e gjithë tjetër ç’duhet të dimë për të dëgjuar muzikën që u bë gati e ndaluar pak muaj më parë.

1

Koncerti, i cili do të rikthejë Shkëlzen Dolin në Tiranë, do të zhvillohet më 23 shtator në Tiranë dhe në vazhdën e gjithë koncerteve që nisën të organizohen pas restaurimit të Sheshit Skënderbej, duket se ky do të jetë më i rëndësishmi sepse do të kthehet në arenën më të madhe muzikore për të gjithë artdashësit e muzikës Shqiptare autoktone dhe Klasike Botërore. Skenografia e konceptuar do të jetë gjigante, ku është zgjedhur të përshtatet Apolonia e Fierit.

BILETAT DHE HYRJA E PUBLIKUT

Hyrja e publikut në shesh do të nisë në orën 18:00 deri në orën 20:00. Do të jenë 4 hyrje për publikun pjesëmarrës, nga ku do të bëhet dhe kontrolli i biletave, të cilat mund t’i gjeni online në www.myticket.al dhe duke filluar nga data 30 gusht, do të jenë në shitje në 5 sportele në Tiranë dhe në 1 shtator në sportelet në Prishtinë, Gjakovë, Shkup. Pra, siç lehtësisht është e kuptueshme, këtë herë biletat do shiten vërtet dhe nuk do bëjnë sikur do i shesin! Hyrjet do të jenë të ndara sipas plateve të biletave: Hyrja VIP & Red Carpet & Media, Platea Platinium A2 dhe Diamond Platea, rruga midis “Hotel Tirana International” dhe Teatrit të Operës. Hyrja 1, Platea A1, A3, në krah të Muzeut dhe Rrugës së Durrësit. Hyrja 2, Platea B1, C1, C2 rruga në krah të “Skënderbeut” dhe Bankës së Shqipërisë. Hyrja 3, Platea B2, B3, C3, rruga midis Xhamisë së E’them Beut dhe Teatrit të Operës. Nga ora 18:00 – 20:15, publiku do të mund të vizitojë stendat e disa kompanive që janë pjesë e këtij eventi dhe që do të jenë brenda në shesh. Në orën 20:30 do të nisë show muzikor, ku në skenë do të ngjiten rreth 70 instrumentistë virtuozë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe diaspora, të cilët do të jenë të udhëhequr nga maestro Shkëlzen Doli.

PROGRAMI MUZIKOR

Muzika shqiptare do të hapë mbrëmjen, për të vazhduar më pas me pjesë muzikore klasike botërore dhe për ta mbyllur me disa pjesë shqiptare të të gjithë trevave. Do të ketë disa të ftuar specialë përgjatë mbrëmjes që do të interpretojnë bashkë me maestro Dolin, të cilët do të zbulohen në ditët në vijim. Pjesë e spektaklit do të jenë dhe rreth 50 balerinë profesionistë, që do të interpretojnë disa prej materialeve muzikore.

EVENIMENTI KULTUROR ME QËLLIME TURISTIKE

Violinisti shqiptar me famë botërore është ideator dhe udhëheqës artistik i këtij projekti muzikor. Ky eveniment artistik, ku do të spikasë bukuria e muzikës shqiptare, do të transmetohet nga një numër televizionesh në Europë, Azi dhe SHBA. Nën udhëheqjen artistike të maestro Dolit, do të ngjiten në skenë rreth 70 instrumentistë virtuozë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Një surprizë e bukur në këtë koncert do të jetë pjesëmarrja si të ftuar specialë e disa artistëve të mëdhenj, emrat e të cilëve do të zbulohen në shtator. Ky eveniment do të mirëpresë në sheshin “Skënderbej” artdashës nga gjithë trojet shqipfolëse, diaspora, por dhe shumë turistë të huaj. Bazë e këtij evenimenti do të jetë muzika shqiptare, por në program do të ketë dhe pjesë të zgjedhura nga muzika klasike ndërkombëtare. Ky eveniment pritet ta kthejë Tiranën në datat 22, 23 dhe 24 shtator në një nga destinacionet turistike më të frekuentuara të Ballkanit./Panorama

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top