Festat janë gjithmonë një arsye për të bërë veten të lumtur, por edhe ata që na rrethojnë në jetët tona. Femrat janë ajo kategori që përgjithësisht vihen në qendër të vëmendjes sa i takon ndjeshmërisë që kanë ndaj shpenzimeve të tilla. Kujdesit që ato tregojnë në përzgjedhjen e blerjeve sipas simbolikave, interesit që kanë ndaj përmbajtjes së datave të shënuara festive dhe jo vetëm, bën që shpesh, shumë prej tyre të bien prè e konsumimit të tepruar apo siç njihet ndryshe, manisë së blerjeve.
Sipas psikologes, Dr. Monica Monaco, një nga karakteristikat e shoqërisë moderne është prania e një përkrahjeje të gjerë konsumatore dhe një tendence për të nxitur sjelljen e blerjes, shpesh e ushqyer nga nevojat e rreme, të cilat e kanë shndërruar gradualisht blerjen e produktit në një burim të vërtetë të lumturisë, në një mjet për të ndërtuar një identitet social të pranuar dhe vlerësuar, duke pasur parasysh blerjet, deri në një teknikë për çlirimin e stresit gjatë një dite të vështirë. Mania e blerjeve përfaqëson një ankth psikologjik dhe sjellje të karakterizuar nga një tendencë për të treguar krizën aktuale të blerjes, një formë të manisë së shpenzimeve, e cila në vitet e para kur është përshkruar, ka përfituar nga ky çrregullim psikologjik edhe termin e njohur oniomania apo mania e blerjeve. (E. Kraepelin 1915).
Neurologët e kanë përkufizuar këtë patologji, si një sindromë fanatike, e cila çon deri aty sa të jesh i varur nga blerjet. Studime të ndryshme e kanë përkufizuar gjithashtu, si një nxitës që me të vërtetë është një impuls i sëmurë dhe i pakontrollueshëm drejt një objektivi: atij për të blerë. Më së shumti janë të prekura femrat, kryesisht ato të moshave 30 deri në 40 vjeç dhe personat me çrregullime të humorit, të cilët përkeqësohen në këtë atmosferë festive.
Sipas ekspertëve të fushës së psikologjisë, kjo mënyrë e shpenzimeve të tepërta, krijon një urë lumturie mes blerësit dhe mallit të fituar përmes dorëzimit të të ardhurave pa kushte, ndonjëherë edhe një marrëdhënie të pashmangshme, deri edhe varësi. Megjithatë ka disa forma ku mund t’i shpëtosh kësaj ‘vuajtjeje’, duke bërë një listë përzgjedhëse e të ngushtë të personave që doni t’u bëni dhuratë dhe fuqisë së portofolit tuaj.
Është e vërtetë që efekti psikologjik i festave dhe dëshira për ta jetuar atmosferën bashkë me shpenzimet e rastit, arrin kulmin e kënaqësisë, por në kushtet e një ekonomie globale, që gjithmonë e më tepër po shfaq problematika deri në kriza të vlerësimit të parasë, tërheqja duket si një domosdoshmëri. Ndaj, frenojeni veten përballë shpenzimeve të tilla. Përpiquni të kuptoni rëndësinë e atyre gjërave që kanë vërtetë vlerë në jetë. Listoni një pasqyrë të përgjysmuar të gjërave që do të dëshironit të kishit këtë vit, duke u përpjekur të kurseni lekët, kohën dhe energjitë tuaja psikofizike.
Jo rastësisht shprehja e psikologëve, “çdo gjë e tepërt është e dëmshme” merr vlerë pikërisht në kohërat që jetojmë. Kështu mund të shmangni emocionet tuaja, pasi jo në të gjitha herët plotësimi është absolut. Në Shqipëri jo rrallë ndodh që blerësi të marrë shërbimin e duhur dhe të merituar, duke mbetur i pakënaqur brenda një kohe të shkurtër për cilësinë e asaj që ka paguar. Nxitur nga referenca të tilla, të cilat shpesh ne femrave na bëjnë me dhimbje koke, kurseni kohë, duke i dhënë mundësi vetes të bëni një blerje të mençur dhe jo të çmendur. E në këtë vrull festiv, përpiquni të gëzoni çastet duke qëndruar më pranë me njerëzit e zemrës, duke ndarë më shumë kohë me ata që janë pjesë e rëndësishme e rrugëtimit tuaj, pa lënë mënjanë dhuratat ‘sipas vendit dhe kuvendit’.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.