Në fokus

July 9, 2018 | 14:28

Shprehjet e dëmshme që nuk duhet t’ia thoni djalit tuaj

Prindërit u thonë shumë fjalë fëmijëve. Në fund të fundit, kjo është detyra e tyre, t’i mësojnë e t’i përgatisin për jetën. Por nganjëherë thëniet e zakonshme që shprehin ose idetë klishe që bazohen në supozime të vjetruara ose të gabuara, në thelb janë të dëmshme.

Në përpjekje për të rritur djem të fortë, prindërit mund të rrisin pa dashje burra “të dëmtuar”.

“Je shumë i ndjeshëm.”

Kjo mund t’i bëjë djemtë të ndihen të turpëruar për emocionet e tyre deri në atë pikë sa mund t’i heqin të drejtën vetes të ndiejnë diçka, e jo më ta shprehin.  “Kur u themi djemve tanë se janë shumë të ndjeshëm, thotë Matt Smith, një terapist ankthi, jo vetëm që i zhvlerësojmë ndjenjat e tyre; ne i mësojmë ata që të shtypin dhe të lënë pas dore gjithë nevojat emocionale, të cilat mund të kenë një efekt të dëmshëm gjatë gjithë jetës së tyre “.

“Djemtë nuk qajnë.”

Djemve u mësohet shpesh që të shmangin ndonjë shenjë dobësie. Ky lloj i të menduarit i bën djemtë të mendojnë se të ashtuquajturat emocione “më të buta” i përkasin vajzave dhe se për ta, vetëm emocione të caktuara janë të lejueshme ose të pranueshme.

“Këto janë për vajzat”

Është bërë masivisht e pranueshme që vajzat të vishen si djem, të shkurtojnë flokët dhe të luajnë me lodrat e djemve. Megjithatë, nëse një djalë vishet si vajzë, luan me kukulla ose madje rrit flokët e tij, ai mund të trajtohet sikur të ketë diçka të gabuar me të. “Kjo ndalon djemtë që të eksplorojnë instinktet e tyre të lindura dhe lë pasoja edhe kur ata vetë të bëhen prindër”.

“Pse nuk bëhesh si …?”

Asgjë nuk është më e dëmshme për vetëvlerësimin e një fëmije sesa të krahasohet me një fëmijë tjetër, veçanërisht një vëlla ose motër. Kjo e sforcon fëmijën, sepse vazhdimisht do të jetë në përpjekje për të arritur perfeksionin që të kënaqë prindërit e tij.

“Ti bën si vajzë.”

Kjo frazë i dërgon mesazhe të gabuara djemve se vajzat janë disi më pak të vlefshme dhe i bën ata t’i shohin vajzat si të padenja. Kjo mund të jetë veçanërisht konfuze, pasi djemtë në përgjithësi kanë modele pozitive femërore në jetën e tyre si nënat, gjyshet, motrat, tezet dhe halla.

“Duhet të fitoni!”

Mentaliteti i një “fitoreje me çdo kusht” mund të duket sikur nxit dhe motivon fëmijët, por në fakt ngushton horizontin e tyre, duke i bërë të fokusohen vetëm tek rezultati jo tek rrugëtimi dhe përvoja.

“Djemtë janë djem.”

Kjo është një fjali e cila përdoret shpesh për të justifikuar sjelljen e keqe të djemve. Kjo i mëson djemve se nuk duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre.

 

Burimi / pernenat.al

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top