Editorial

December 22, 2018 | 9:47

Shqiptarët për shqiptarët / Elvisi sjell shpresë dhe lumturi tek familja që ka pllakosur skamja…

Për familjen Rrapo ky dimër është një makth i vërtetë.  Këmbëzbathur, pa ngrënë, pa rroba, të strehuar në një magazinë, sytë i mbajnë nga qielli, i luten Zotit të mos bjerë shi, ndërsa në dritaret që mungojnë, përplaset fort era. “Shqiptarët për shqiptarët” udhëtoi në fshatin Kuqar në Këlcyrë, ku banojnë rreth 19 familje, shumica e banorëve kanë ikur, pasi këtu nuk ka asgjë për të jetuar.

Historia që do t’ju rrëfejmë është përtej çdo imagjinate. Kemi trokitur në derën e familjes Rrapo. Kjo familje është prej atyre fatkeqëve që as nuk kanë mundur të ikin, por nuk po munden të jetojnë as këtu. “Aq jam mërzitur. Nuk më vjen të futem brenda por të iki drejt lumit. Nuk e dua këtë jetë kështu se po vuaj” thotë gruaja, nëna e tre fëmijëve.

Familja Rrapo strehohet një këtë ambient që më parë ka shërbyer si magazinë dhe ku nuk ka asgjë. Familja me 5 anëtarë, prindërit dhe tre fëmijët e mitur të moshës 13, 11 dhe 9 vjeç po jetojnë ditët me të vështira të jetës. Fëmijët e mitur ankohen për të ftohtin, për urinë e tmerrshme. “Vetëm çorbë na u bë barku, vetëm çorbë” thotë djali i madh. Fëmijët kjo nënë i dërgon në shkollë të uritur. Bukë s’ka tu japë “Pa bukë i kam dërguar në shkollë dhe e lëshoja lotin kaq, se mua më kanë ngrirë lotët se nuk i nxjerr dot” mërmërit gruaja. Vajza tregon se ka patur raste që i ka rënë të fikët në klasë “Më mori mësuesja më dha bukë pasi më ra të fikët”, thotë vajza.

Kryefamiljari thotë se punon me ditë kur kap ndonjë punë, por pjesën më të madhe të kohës është në shtëpi. Në këto kushte, dy vajzat e tjera të familjes Rrapo janë martuar në moshën 14 vjeçare, në mënyrë që të ishin një kafshatë më pak, në tryezën bosh, e në bukën që kurrë nuk mjaftoi. Tre fëmijët shkojnë çdo ditë në shkollë dhe u duhet të ecin përreth tre orë në këmbë vajtje-ardhje, mes shiut, baltës e të ftohtit.

“Vetëm me rroba të vjetra shkoj në shkollë, se s’kam. Rri në bankë dhe nuk bëj gjë, shokët hanë, unë s’ha”. Thirrja e fëmijëve është, ushqim, ushqim dhe vetëm ushqim. “Duam ndonjë ushqim, s’po hamë asgjë, as mish asgjë” thonë fëmijët

Këto janë kufijtë e mjerimit. Një botë që për shumëkënd duket imagjinare, e për të tjerë, si kjo familje, është një realitet i përditshëm, i dhimbshëm, i frikshëm dhe shkatërrues.

Historia e fëmijëve që kishin veç një dëshirë, të kishin bukë në tavolinë preku shumë shikues. Elvis Naçi shkoi personalisht për t’i takuar fëmijët, për t’u dhënë shpresë. Elvisi pa nga afër kushtet e mjerueshme ku jetojnë fëmijët.

Ka emocionuar pa fund Elvis Naçi pasi ka deklaruar se do t’i dhurojë familjes Rrapo 5000 euro në kujtim të babait të tij i cili ndërroi jetë pak kohë më parë.

“I dhuroj paratë për shpirtin e babait tim” u shpreh Naçi në studio. “Ju kërkoj të rinjve mos ua shembin ëndrrat prindërve. Prindërit duan fëmijë të mirë. Fëmija duhet t’i respektojë prindërit maksimalisht. Prindërit nuk duhen harruar edhe kur ndërrojnë jetë. Prindërit kujtohen me bamirësi për të varfrit. Bëni që me ju të krenohen prindërit tuaj” kanë qenë fjalët e ndjera të Elvisit.

 

Burimi / BalkanWeb

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top