Editorial

June 9, 2018 | 14:33

“Shqiptarët për shqiptarët” rikthejnë shpresë dhe gëzim për Admirin e verbër (Video)

Emisioni “Shqiptarët për shqiptarët” risollën historinë e Admir Hasanit në fshatin Cerven të Fierit . Kur ishte 7 vjeç i ndodhi një fatkeqësi, humbi papritur shikimin. Admiri ishte në klasë të dytë kur një pakujdesi shëndetësore i kushtoi dritën e syve.

Admirin e kafshoi një qen në rrugë. Shkoi me të atin për të bërë gjilpërën e tetanosit por infermierja nuk i kushtoi rëndësi dhe e përcolli në shtëpi. Disa ditë më pas kaloi temperaturë të larë dhe më pas gradualisht humbi shikimin. Prindërit e tij kaluan një kalvar të gjatë mundimesh e përpjekjesh për t’i rikthyer shikimin madje edhe duke e vizituar tek okulistë italianë e rus. Mjekët specialistë nuk i dhanë kurrë shpresë se shikimi do t’i rikthehej.

Heroi i Admirit është babai i tij, i cili ka disa vjet që është ndarë nga jeta. Për vite më radhë ai ishte drita e syve të Admirit dhe shpatulla ku ai mbështetej në çdo hap. Admiri kujton se i ati e merrte në krahë dhe e çonte në shkollë që djali mos të ndahej nga shokët. Nuk ankohej kurrë se lodhej. Madje Admiri kujton se një ditë ai u rrëzua bashkë më të në krahë.

“Babai u ngrit menjëherë pa u ankuar se ishte dërrmuar, pa menduar për veten mu drejtua mua nëse isha lënduar. Ai burrë nuk ankohej kurrë”-thotë i prekur Admiri.

45-vjeçarit i qëndron pranë nëna e tij, Sabushe Hasani, 76 vjeç. Ajo duhet të mbajë shtëpinë e vetme në këtë moshë.

“Mu qorrua djali kur ishte i vogël, nuk na ndihmoi asnjë njeri, vuajtje të tmerrshme patëm në jetë burrë e grua. Djali mësonte ishte me nota të mira. Mësuesja na tha djali nuk të shikon. U detyrua djali të ndërpres shkollën. I ka mbetur peng gjithë jetën që nuk e vazhdoi shkollën. Sikur një gjysmë syri të më vijë më thotë do bëja mrekullinë” thotë e përlotur Sabushja. Dhurata është motra e vogël e Admirit. Ajo thotë se gjithë jetën e saj ia ka dedikuar Admirit “jetën time ia kam kushtuar sot vëllait dhe nënës sime. Ky është premtimi im. Asnjëherë nuk do i lë vetëm”. Admirin e do gjithë fshati e respektojnë dhe ai mendon se e bëjnë për mëshirë.

Për Admirin sikur mos t’i mjaftonin hallet që i kanë rënë ka një brenga të madhe. Ai është vëllai i tij i vogël Fredi është larguar prej vitesh nga shtëpia. Admiri do që nëna e moshuar të shikojë Fredin pasi çdo ditë që kalon e mbyt malli.

“Historia e Fredit më ka lënduar shumë se ka disa vite i larguar nga gjiri familjar. Pasi kreu shërbimin ushtarak, krijoi familje më pas emigroi jashtë. Nuk para kujtohej se në fshat kishte lënë prindërit e tij. Nuk vinte, i rëndonte prindërit. Kam dashur ta kisha pranë, ka shumë vite që nuk komunikoj me të. Me lutje i thoja të kthehej me vajzën që ta takonte nëna. Thjesht dua që të kthehet të takojë mamanë sa është gjallë. Kur e marr në telefon ma mbyll telefonin. Madje kur ndërroi jetë babi, ai nuk u kthye për varrimin. Kam ndjerë një boshllëk. Të mos vish ditën e fundit kur përcillet njeriu më i afër është e paimagjinueshme. Dëshira ime është që ai të kthehet”-thotë Admiri.

“Djali nuk flet 12 vjet është ne Greqi, më la me halle të mëdha. Nuk pyet ai djalë kur vë kokën në jastëk që ka lënë nënën, vëllain që nuk shikon dhe motrën. Nuk mendon për ne? Më qan zemra për të”-rrëfen e moshuara me dhimbje.

Asaj i duhet çdo ditë të kujdeset për shtëpinë e cila rrezikon ti zëre brenda. Meraku i 76-vjeçares është që të birit të verbër ti lerë një shtëpi. Gjithë familja jeton me frikë çdo ditë se banesa do shembet.

“Premtimet kanë qenë të shumta ashtu dhe fjalët e bukura, lutem që dikush të krijojë një rreze shprese për mua. E di që shqiptaret janë të gjithë me plot halle por ajo çka na nevojitet ne është një banesë me kushte minimale. E kam të pamundur të bëj diçka vetë. Nëna ime punon nga mëngjesi në darkë”- thotë Armiri.

“Me frikë banojmë, them o Zot do shembet kjo çati”-thotë e moshuara.

Elvis Naçi dhe Sidrit Bejleri shkuan në banesën e Admirit. Elvisi i tha 45-vjeçarit se janë grumbulluar fondet për ndërtimin e shtëpisë së tij. Për një muaj këtu do të jetë shtëpia juaj e re e mobiluar u tha Elvisi.

“Kjo është dita më e lumtur e jetës sime” tha Admiri teksa i kërkoi Sidritit t’i këndonte “Për ty atdhe”.

https://www.youtube.com/watch?v=QF7uPx-lN1k

Burimi / BalkanWeb

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com