Marrëdhënie

September 20, 2016 | 8:03

Shqiptarët tani më të lirshëm të dashurojnë!

Dashuria shpesh është një tërësi paradoksesh dhe ekziston në forma aq të shumëllojshme saqë pothuaj çdo përcaktim ka të ngjarë të mos jetë korrekt apo i pëlqyeshëm. Romantika e dashurisë është aq e njohur sa edhe fëmija bëhet adoleshent, duke menduar se do të bjerë në dashuri patjetër gjatë rritjes, madje papritur, pashmangshmërisht dhe pa një kontroll të ndërgjegjshëm.

Nga: Isida Lalaj Psikologe Këshillimi

Nga: Isida Lalaj
Psikologe Këshillimi

Jungu besonte shumë te dashuria eksplozive, aq sa ndërtoi edhe një teori të shpjegimit të “dashurisë me shikim të parë”. Sipas tij, çdo mashkull në natyrën e vet, ka një përfytyrim jo koshient të seksit femëror dhe çdo femër ka një imazh të pandërgjegjshëm të anës mashkullore në vetvete. Kur ata takojnë dikë, figura e të cilit përputhet me këtë imazh, atëherë ndodh tërheqja e çastit. Nga disa anketa, vetëm 8% e burrave dhe 5% e grave ishin dashuruar pas takimit të parë apo të dytë. Pjesës tjetër dashuria iu ishte zhvilluar gradualisht, pas disa muajsh. U pa se dashuria nuk është thjesht një pëlqyeshmëri më e madhe nga ana sasiore, por një gjendje psikologjike cilësisht e ndryshme, që ndryshon nga tërheqja e thjeshtë në shumë drejtime. Më tepër se një miqësi tipike në fazat e hershme, dashuria përfshin një ngritje psikologjike relative, thithje psikologjike të fuqishme nga partneri, interes të gjerë për personalitetin e tjetrit, fantazim për të, lëkundje të shpeshta emocionale dhe gjendje emocionale ambivalente. Dashuria karakterizohet nga elementë të magjepsjes, dëshirës seksuale, ekskluzivitetit dhe kujdesit të madh për tjetrin.

Studiuesit kanë përcaktuar disa lloje dashurish:

• E intimitetit, që përfshin ndjenjat e afërsisë dhe të lidhjes

• Pasioni i përbërë nga tërheqja motivuese lidhur me seksin, afërsia fizike dhe romantikja.

• Vendim apo angazhim që përfshin të qenit në dijeni që duhen me njëri-tjetrin dhe ndjenjat më afatgjata të angazhimit për ta mbajtur dashurinë të gjallë.

• Njerëzit provojnë dashurinë romantike kur bashkëngjiten dy fenomene: ngritja e madhe fiziologjike dhe reagimet ndaj situatave, të cilat tregojnë se dashuria është etiketa e përshtatshme për ndjenjat që po përjeton.

Shoqëria shqiptare mund të cilësohet si një nga shoqëritë që ka përjetuar forma të ndryshme të të dashuruarit. Kjo falë ndryshimit të kohërave, të cilat e kanë karakterizuar këtë shoqëri, duke ndikuar në mënyrë të ndjeshme në vendosjen e rregullave, të cilat kanë qenë një diktat për mënyrën e arsyetimit, botëkuptimit dhe krijimit të lirshmërisë individuale. Dikur shqiptarët e shihnin të natyrshme t’i fshihnin ndjenjat e tyre, pasi dashuria midis të rinjve konsiderohej e ndaluar nëse ajo do të ishte e dukshme dhe jo e fshehtë. Mënyra se si krijohej dhe konsumohej një lidhje në adoleshencën e prindërve tanë është krejt e ndryshme nga ajo e adoleshentëve të sotëm. Në fakt, edhe mosha kur fillohej një lidhje ishte shumë më e vonë dhe marrëdhënia konsiderohej e fshehtë jo vetëm ndaj familjes, por edhe nga opinioni. Tani një lidhje bëhet shumë e hapur dhe që në start fillojnë problemet. Në ndryshim nga e sotmja, dikur dashuria mbahej gjallë më shumë prej letrave se sa takimeve dhe rrallë mund të pretendohej se kontakti fizik të shkonte përtej puthjes. Shkolla dhe aktivitetet rinore ishin të vetmet ambiente ku të rinjtë mund të njiheshin për të vazhduar më tej një lidhje, e cila që në fillim konsiderohej si një lidhje jete. Ndërsa sot shumë lehtë niset një lidhje mes dy të rinjve dhe shumë shpejt prishet, mbase edhe ndikimi i internetit është bërë një urë lidhëse. Marrëdhënia në këtë moshë, ndryshe nga brezat e mëparshëm, në përgjithësi nuk quhet serioze nga vetë adoleshentët, ndaj dhe jetëgjatësia e tyre është e justifikuar.

Shoqëria shqiptare me vitet ka përjetuar forma të ndryshme të të dashuruarit, nga “dashuritë e ndaluara”, ku “mëkatarët” paragjykoheshin dhe duhet të martoheshin në mos me dëshirë, të detyruar, tek “liria” e dashurisë sot, ku ndjenja gjithënjerëzore po fiton dimensionin e munguar.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top