Këshilla & Arsye

October 19, 2016 | 9:48

“Shtrati 13”, aty ku vdekja është një pikëpyetje e madhe

1

Nga (Hamdi) Erjon Muça, shkrimtar

“Shtrati 13” subjektin e ka adimensional, të lëvizshëm, aspak të parashikueshëm. Nocioni kohë-hapësirë është shkrirë në një, aq sa mund ta marrësh si hapësirë kohore ose kohë hapësinore. Gjithçka ka ndalur në kufijtë e të njohurës, e megjithatë gjithçka duket sikur lëviz rrëmujshëm, si një vorbull. Në fillim, pikërisht nga kjo shtrirje nocionesh, nuk e kupton sensin e lëvizjes së vorbullës, atë e ndien kur gjendesh brenda saj. Një vorbull që lexuesin e thith drejt qendrës, kurse personazhin jashtë saj. Subjekti është i ndërtuar në formën dhe mënyrën e dhomës së pasqyrave, ndaj, lexuesi, për asnjë moment nuk e ka të qartë që personazhi po largohet nga qendra thithëse e vorbullës, dhe ai mbetet i vetëm, nën shtypjen psikologjike të monologëve.

Në sfond shfaqet vdekja; pika më e errët e evolucionit njerëzor. E rëndë, mbuluese, gllabëruese; është normale që njerëzit, me të parë vdekjen ta harrojnë jetën. Jetën e njohin, e jetojnë, kurse vdekja është një pikëpyetje e madhe. Vdekja nënkupton errësirë, e duke qenë se në errësirë asgjë nuk duket, njeriu nis e hamendëson, zmadhon, vlerëson mbi normalen diçka mjaft normale, që ka miliona vite që ripërsëritet…

Kjo është magjia e Petrit Palushit. Na vendos në skenografi vdekjen dhe vetë nis dhe flet për jetën. Flet qetë, ëmbël, qartë, pa u ngutur, ndërsa lexuesi është i ngërthyer pas skenografisë, zëri i tij i vjen si për së largu, megjithëse ai është mjaft pranë. Lexuesit merren me vdekjen, ndërsa ai flet për jetën. Për të shkuarën, për momentin, monologon me kujtimet, por kurrë nuk i jep rëndësi asaj që shkoi, ajo i duhet vetëm për të lidhur fort pas jetës atë që është dhe që do vijë. Shfaq kujtimet fëmijërore, si në një film bardh e zi, risjell në skenë një shkëndijë dashurore djaloshare, por edhe atë të zbehtë. Kjo vetëm e vetëm për të përforcuar magjinë skenografike të verdhë – vdekjes. “Shtrati 13” është kufiri i fundit i betejës së irracionale me racionalen që luhet në shpirtin njerëzor. Në këtë kufi gjithçka merr vlerë e në të njëjtën kohë humbet vlerë. Vetë fjala vlerë humbet kuptim në këtë pikë kalimi; duke përdorur nuancat e ndryshme të ngjyrës së verdhë, pikërisht këtë relativitet vlerash, sipas meje, do të tregojë.

Absurdi jetësor pikërisht pranë vdekjes merr kuptim. Marrin kuptim dëshirat e parealizueshme: fëmija që do të mësojë gjithçka që në ditën e parë të shkollës. Kjo është normale dhe aspak absurde. Ai qëndron nëse e analizojmë më thellë. Njeriu që kërkon të dijë gjithçka ndonëse i paevoluar. Njeriu që kërkon të zhbirojë të fshehtat e vdekjes, ende pa njohur të fshehtat e jetës. Njeriu, që kërkon medoemos të hamendësojë atë që ndodhet mes errësirë, por që nuk sheh atë që fshihet mes burimit më të fuqishëm të dritës. Njeriu; dilemë mbi dilema, ngrehinë që merr formë mes nuancash marramendëse të të verdhës…

Po të vërehet hollë, njeriu pyet çfarë ka pas vdekjes, por në të vërtetë e gërryen pyetja se çfarë do i ndodhë jetës. Me atë është i lidhur, ajo është e materieshme, ndërsa për momentin, vdekja, është e mjegullt…

Në kufirin “Shtrati 13” njeriu kupton se e boshët ka kaluar jeta, se sa pak kohë ka mbetur vetëm në formën e kujtimeve, në krahasim me shumicën e sekondave, minutave, orëve, ditëve, muajve dhe viteve të dënuara me harresë; vetëm një përqindje e papërfillshme. Ato i ka ruajtur si reliket më të çmuara, duke humbur tjetër kohë për t’i sjellë e risjellë në mëndje; kohë për të risjellë në mendje tjetër kohë, zhytur në një hapësirë të ikur. Kohë që është mbivlerësuar, në krahasim me çdo lloj kohe që ai ka përdorur…

 

libri-imbra-gvgTek “Shtrati 13”, Petrit Palushi e ka gjetur Agshtegun e vet. Pas shumë mundimeve të mëparshme, ka arritur të gradojë si duhet kufirin e përballjes së irracionales me racionalen, e ato qëndrojnë pezull duke shtyrë dhe tërhequr njëra-tjetrën reciprokisht; aq natyrshëm sa kur e lexon, kushdo mund të mendojë se mund t’ia arrijë të shkruajë diçka kaq psikologjikisht shteruese. Pikërisht ky natyralitet rrëfimi e shtyn lexuesin të kapet pas argumentit vdekje dhe jo argumentit, jetë = kohë – hapësirë…

Nuk e di nëse Petrit Palushi ka kryer një revolucion në letërsi me romanin “Shtrati  13”. E as nuk ngul këmbë nëse teza ime është e drejtë apo e jo. Një gjë ama e di me bindje. “Shtrati 13” është një roman adimensional, si ajri, i plotë dhe vlefshëm, për këdo që nuk lexon tregimin, por tekstin; me vëmendje. Një roman që ndofta mund të mos e gjejë veten lirshëm tek lexuesi i masës, por që është po aq i fuqishëm dhe i domosdoshëm për letërsinë, aq sa janë pak romane të tjera, jo vetëm në hapësirën shqipfolëse.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top