Pranvera erdhi. Dita është zgjatur, temperaturat janë rritur, lulet po lulëzojnë. Dimrin e ftohtë e të trishtë në ngjyra, e kemi lënë pas. Edhe pse kemi kaluar muaj të tërë pandemie, ku stresi dhe shqetësimi për shëndetin na e ka zbehur kënaqësinë e ditëve që jetojmë, pranvera është stina që na kujton se natyra ka gjithmonë “rilindje”. Po ashtu, kjo stinë duket se është edhe lajmësi i parë i pushimeve që mezi i presim të gjithë. Kemi përzgjedhur tri këshilla për të filluar mbarë këtë sezon të ri që na risjell buzëqeshjen, na zgjon ndjenjat, ringjall ngjyrat, lulet, shpresën, jetën…
1. Përfitoni nga dielli
Përfitoni nga dielli, lëreni ngrohtësinë dhe dritën e tij të hyjë natyrshëm në shtëpinë tuaj. Dielli do të ngrohë e do të ndriçojë çdo ambient tuajin, duke ju shkundur edhe ju nga ftohtësia e trishtimi dimëror. Është koha për të futur brenda gjërat e dimrit, për të shkundur shtëpinë, për të ndryshuar diçka, për të shtuar qoftë edhe një lule në një kënd që është para syve tuaj çdo ditë. S’ka asgjë më të mirë për t’ju rikthyer buzëqeshjen dhe moralin brenda shtëpisë, s’ka asgjë më të mire për ta filluar ditën në harmoni me pranverën!
2. Ndryshoni ngjyrat
Për dekorimin e shtëpisë tendenca e pranverës janë ngjyrat rrëzëllitëse: roza, jeshilja, bluja e çelur, e kuqja dhe portokallia e ndezur, e verdha… Mos hezitoni të përzieni ngjyrat dhe stilet! Gjithçka që ju bën të ndiheni mirë është e bukur, edhe një objekt i vogël që ju lidh me diçka, një fotografi që ju risjell një kujtim… gjithçka për një buzëqeshje pranverore që do t’ju bëjë të ndiheni mirë për vete, por edhe për të gjithë.
Mos nguroni të përdorni në veshjen tuaj ngjyrat që do të jenë edhe terapia më e mirë kundër stresit: mos hezitoni të zgjidhni të bardhën të kombinuar me të zezën, kakinë, bezhën, por edhe blumarinën, e kështu do ta lini pas ashpërsinë e dimrit e do rrezatoni edhe ju pranverë.
3. Dëgjoni gjuhën e trupit
Dimri shoqëron ardhjen e pranverës me një lodhje e gjendje depresive që nuk duhet lënë të zgjasë, për të mos shkaktuar më pas probleme të tjera që kërkojnë pa dyshim ndihmën e psikologut: e për këtë, e këshillueshme është ecja në ajër të pastër, sporti, por edhe mjaft ushqime si çajet bimore, mjalti apo kivi (një frut magjik, mjaft i pasur me vitaminë C e i këshillueshëm në këtë sezon). Lërini pak vend në ditën tuaj kujdesit për lulet: duke u marrë me to, ju ndihmoni edhe veten tuaj!
Jini në harmoni me natyrën e natyra do të jetë me ju!
Përgatiti: Manjola EREQI | Burimi: PsycoWorld
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.