Në fokus

August 25, 2017 | 18:09

Si të keni sukses në jetë… 5 strategji mendore

“Mos punoni vetëm për lekë, vini pasionin në atë që bëni”. Ky sugjerim vjen nga Warren Buffett, financier amerikan, i njohur për nuhatjen e tij të pagabueshme në investime. Dhe nëse e thotë ai, duhet besuar, duke qenë se nëpërmjet konglomeratit të tij, “Berkshire Hathaway”, ia ka dalë të ndërtojë një pasuri që e mban prej vitesh në majë të klasifikimit të “Forbes”, si një ndër meshkujt më të pasur në botë.

Sipas ekspertëve, pjesa më e madhe e miliarderëve, vënë në punë strategji mendore, të cilat shpesh janë vendimtare për të arritur suksesin. Ja pesë strategjitë që duhet t’i vini në punë për të ndërtuar perandorinë e suksesit.  

 

Richard Branson  Asnjëherë mos u nxitoni

“Nëse keni ndjesi të fuqishme mbi një vendim, evitoni t’u zini besë atyre, nëse bëhet fjalë për lekë.” Richard Branson, themelues i kompanisë ajrore ‘Virgin’ është i bindur për këtë gjë. Ai sugjeron se përballë një zgjedhjeje të rëndësishme duhet të vini pikat mbi ‘i’ dhe të kuptoni të mirat e të këqijat e saj. “Gjëja më e rëndësishme që kam mësuar në jetë, është të mos ngutem”, i deklaroi kohë më parë një gazetari që e pyeti për sekretin e suksesit. Sipas miliarderit britanik, me të kuptuar objektivin tuaj, këshilla është të hartoni një listë mbi veprimet që duhet të bëni për të arritur synimin tuaj.

 

Warren Buffett Mos punoni vetëm për lekë

Në letrën e tij të fundit vjetore, drejtuar aksionistëve të Berkshire Hathaway, Warren Buffett ka rrëfyer një koncept shumë të vyer për të. Duhet të mendoni për punën, sikur paratë të mos ishin një problem. Me pak fjalë: kur gjendeni përballë një pune që duhet bërë, përparësia duhet të orientohet drejt pasioneve, jo te rroga në fund të muajit. “Para së gjithash, duhet të mendojmë për ato gjëra që na bëjnë të ndihemi mirë”, thotë Buffett, i cili ka ndërtuar nga zeroja një pasuri personale të vlerësuar rreth 74 miliardë dollarë.

Të njëjtën ide ka dhe Tim Cook, numri një i Apple, i cili së fundmi, gjatë një konference në një universitet amerikan, duke iu drejtuar një plateje me të rinj të sapodiplomuar tha: “Mos punoni për paratë… nuk do të jeni asnjëherë të lumtur”.

 

Jenny Blake  Mjaft pritët punën e përsosur

Të hiqni dorë nga një aktivitet për të pritur punën e ëndrrave, mund të shndërrohet në një bumerang. E thotë Jenny Blake, ish-trajnuese e Google. Sipas saj, tregu aktual i punës nuk duhet të konsiderohet më si një shkallë që duhet ngjitur për të arritur në majë, por si një smartphone me programe të ndryshme, nga i cili mund të mësoni diçka. Sipas Blake, duke i dhënë përparësi të mësuarit, shtoni mundësinë e fitimit e në të njëjtën kohë edhe shansin për të gjetur punën që realisht dëshironi.

 

Mark Zuckerberg  Mos u dorëzoni kurrë

Nuk është e thënë që gjërat të shkojnë menjëherë në drejtimin e duhur. Sekreti për të arritur objektivat tuaja, nuk është që të dorëzoheni. Jo vetëm. Për Mark Zuckerberg, themelues i Facebook, i cili ka hyrë në klubin e njerëzve më të pasur në planet pak më shumë se 20 vjeç, formula e dytë që garanton suksesin është të mos keni frikë të pyesni. “Nuk kam takuar asnjë njeri që të më ketë refuzuar ndihmën e tij kur ia ka kërkuar”, ka thënë Zuckerberg. “Pjesa më e madhe e njerëzve nuk merr atë çka do, sepse nuk kërkon asnjëherë. Dhe është pikërisht kjo gjë diferenca mes njerëzve që i arrijnë gjërat dhe atyre që ëndërrojnë t’i bëjnë”.

 

Bill Gates  |  Zgjidhni me kujdes marrëdhëniet tuaja

Për Bill Gates, themelues i Microsoft, si dhe njeriu më i pasur në botë, marrëdhëniet janë thelbësore për suksesin. Është kaq i bindur, saqë miqësinë me Warren Buffet e tregon si një nga çelësat e fatit të tij.

“Rrethohuni nga njerëz që janë të aftë t’ju stimulojnë, t’ju mësojnë diçka dhe që t’ju shtyjnë të jepni më të mirën nga vetja”, thotë Gates, duke lënë kështu të kuptojmë se njerëzit pranë nesh, jo vetëm kanë ndikim të madh në jetën tonë personale, por edhe në atë profesionale.

 

Përgatiti: Manjola Ereqi

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top