Këshilla & Arsye

April 26, 2018 | 14:32

Si të ndihmoni një person që vuan nga depresioni?

DEPRESIONI ËSHTË NJË NGA SHQETËSIMET PSIKOLOGJIKE MË TË ZAKONSHME, NDAJ MOS U HABISNI KUR NDONJËHERË DIKUSH PRANË JUSH TË KALOJË NË KËTË “FAZË GRI”. NËSE ËSHTË NJË PERSON QË E KENI PËR ZEMËR, ËSHTË E MUNDUR QË JENI MUNDUAR TA NDIHMONI, POR NDOSHTA JENI PËRBALLUR ME NJË MUR NË DUKJE TË PAKALUESHËM. PËRSE?

Arsyeja është e thjeshtë: duke mos e ditur realisht se çfarë është depresioni dhe cilat ndjeja provokon, përdorni strategjitë e gabuara, të cilat në vend që ta ndihmojnë, shërbejnë vetë, për të zgjeruar boshllëkun që është krijuar mes jush. Në fakt, ekzistojnë disa strategji, të cilat janë trashëguar nga një gjeneratë në tjetrën, por që në të vërtetë nuk funksionojnë. Një nga këto strategji konsiston në përpjekjen për të inkurajuar personin që të shkojë në festa, apo të shkojë në një vend ku të gjithë argëtohen. Nëse bëhet fjalë për një frazë të lehtë trishtimi, kjo teknikë mund të jetë efikase, por nëse personi është thellësisht i depresuar, do të ndihet edhe më i trishtuar dhe i vetmuar, pasi nuk do të ndihet rehat në një ambient të tillë.

Një tjetër strategji, e cila përdoret shpesh për të ndihmuar një person që vuan nga depresioni, është ta këshilloni për të minimizuar problemet e tij. Shprehje si: “Mos u shqetëso, nuk është gjë”, “do të shohësh që me kohën gjithçka do të përmirësohet”, do të shkaktojnë vetëm që ai të ndjejë se nuk e kuptojnë dhe se është i vetmuar. Depresioni mund të jetë një problem shumë serioz dhe nuk duhet t’i nënvlerësojmë asnjëherë shenjat e tij.

SI TË OFRONI NDIHMËN TUAJ?

Është shumë e rëndësishme që dikush të kujdeset për personin që është me depresion, të mundohet ta kuptojë e ta ndihmojë. Kush e bën këtë gjë, meriton të vlerësohet, sepse depresivi është shpesh një subjekt i vështirë dhe kush kujdeset për të rrezikon të bëhet (jo drejtpërdrejt) viktimë e depresionit, duke qenë se kjo sëmundje projekton ndikimin e saj tek të gjithë ata që qëndrojnë pranë një njeriu që vuan prej saj. Për këtë arsye, është e drejtë që personat që kujdesen të kenë shumë qartë disa gjëra:

INFORMOHUNI PËR DEPRESIONIN

Një person depresiv nuk ndihet vetëm i trishtuar, por mendon që bota e tij është shkatërruar dhe nuk ia del të dalë nga boshllëku ekzistencial në të cilin ka hyrë. Shpesh ndihet vetëm, i izoluar dhe i pakuptuar dhe në shumicën e rasteve duhet të luftojë fort për të bërë gjëra që të gjithë ne i bëjmë pa asnjë sforco, si të ndihemi nga krevati në mëngjes apo të bëjmë një dush. Hapi i parë për ta ndihmuar është që të informohemi me kujdes për këtë shqetësim, cilat janë shenjat e depresionit dhe cili është trajtimi më i përshtatshëm.

DEPRESIONI NUK ËSHTË NJË SËMUNDJE E THJESHTË

Depresioni nuk është një trishtim i thjeshtë, që mund të largohet me fjalë të bukura. Është diçka shumë më e thellë, të cilën ne nuk mund ta shërojmë. Duhet të largojmë nga mendja bindjen se mund të kurohet në këtë mënyrë i afërmi apo miku ynë, pasi në vend që ta ndihmojmë, nuk bëjmë gjë tjetër veçse e dëmtojmë.

DEPRESIONI NDIKON NË LUHATJET E HUMORIT

Ulje-ngritjet e gjendjes së humorit, bëjnë pjesë në zhvillimin e depresionit, ndaj, herë pas here, mund të ketë përkeqësime: nuk ndodh sepse nuk i keni qëndruar mjaftueshëm pranë apo sepse pacienti nuk është sforcuar për t’u shëruar, por ndodh sepse ky është rrugëtimi i depresionit.

TREGOHUNI DISPONIBËL

Nëse nuk jeni të mërzitur, nuk mund të kuptoni sëmundjen depresive, dhe këtë gjë depresivi e di, sepse ai e përjeton këtë gjendje. Ndaj është mirë, të mos i thoni “të kuptoj”, por të tregoheni thjesht e sinqerisht disponibël: kjo gjë do ta ndihmojë të ketë besim te ju (dhe një person që vuan nga depresioni ka nevojë për dikë të cilit mund t’i besojë).

MOS ÇDRAMATIZONI

Evitoni shprehjet siguruese të tipit: “Do të shohësh, çdo gjë do të përmirësohet”. Evitoni edhe minimizimin apo çdramatizimin e situatës. Edhe pse qëllimi juaj është për ta ndihmuar, depresivi do të ndihet sikur nuk e kuptoni dhe do të mbyllet akoma më shumë në vetvete.

GJENI MOMENTIN E DUHUR PËR TU AFRUAR

Tregoni kujdes kur komunikoni me një person që ka nevojën tuaj. Këshilla më e mirë e thënë në momentin e duhur ka mundësi të shkojë kot. Ndaj, zgjidhni me kujdes momentin kur t’i flisni personit, duke u siguruar që të jetë më i hapur ndaj komunikimit. Zgjidhni një vend të qetë ku askush nuk do t’ju shqetësojë. Ia vlen që të kujtoni që në shumë raste këto “momente lidhjeje emotive” të paraqiten vetë në mënyrë sa më spontane. Detyra juaj është të tregoni kujdes dhe të përfitoni nga situata e krijuar.

RËNDËSIA E TË DËGJUARIT

Ndonjëherë heshtja mund të shndërrohet në siklet, por në pjesën më të madhe të rasteve, të thoni gjëra jokoherente dhe me mungesë ndjeshmërie, mund të jetë shumë më keq. Zakonisht personat që vuajnë nga depresioni nuk flasin shumë, por ndonjëherë kanë nevojë edhe të shfryhen. Në fakt, studimet kanë treguar se kur flasim për problemet tona, jo vetëm ndihemi më mirë, por shpesh zbulojmë edhe këndvështrime të reja mbi problemet, të cilat nuk i kemi parë më parë. Në një botë ku secili është i mbyllur në problemet e veta, të mësoni të dëgjoni është një aftësi që sa vjen e rritet, por është edhe thelbësore nëse duam të ndihmojnë me të vërtetë dikë.

Përgatiti: Manjola Ereqi | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 124

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top