Jo të gjithë njerëzit që kemi pranë na mbështesin në synimet dhe ëndrrat tona. Ndonjëherë, pikërisht nga miqtë apo familjarët mund të vijnë komentet që na ulin besimin dhe na bëjnë të dyshojmë te vetja.

Psikologjia e lidh këtë sjellje, në disa raste, me pasigurinë, frustrimin dhe nevojën për t’u ndier superiorë ndaj të tjerëve. Megjithatë, jo çdo kritikë është dekurajuese: rëndësi ka mënyra si shprehet dhe nëse synon të ndihmojë apo të të pengojë.
Përballë këtyre situatave, këshilla kryesore është të ruash qetësinë dhe të mos lejosh që mendimet e të tjerëve të përcaktojnë vendimet e tua. Në vend të reagimeve impulsive, mund të kërkosh shpjegime të drejtpërdrejta: “Pse mendon se nuk duhet ta provoj?” ose “A mendon se kjo më ndihmon, apo thjesht po më dekurajon?”.
Një tjetër hap i rëndësishëm është të vendosësh kufij. Nëse komentet negative përsëriten, bëje të qartë se nuk dëshiron të komunikosh në atë mënyrë. Këshillat konstruktive duhen dëgjuar, por vendimet për jetën dhe të ardhmen tënde mbeten përgjegjësi e jotja.
Mos harro se nuk ke nevojë t’i bindësh të gjithë për vlerën e planeve të tua. Përqendrohu te qëllimet, puno për t’i realizuar dhe lëri rezultatet të flasin.
Jo çdo mendim meriton të bëhet pengesë. Dëgjo këshillat, vlerëso kritikat, por mos hiq dorë nga ëndrrat vetëm sepse dikush tjetër nuk beson tek ato.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

