Posta

September 1, 2017 | 9:19

Si të realizoj ëndrrën time?

Përshëndetje psikologe Denata, respekt për këshillat tuaja. Kam realisht nevojë për mendimin tuaj. Po ju shkruaj në një orë të vonë, jashtë kushteve normale, kohë në të cilën duhet të isha në gjumë. Në fakt, kam ditë që nuk fle. Për ironi të fatit studioj dhe unë për psikologji, por kësaj radhe e kam të pamundur ta ndihmoj veten, ndaj po ju drejtohem juve.

Serious fun thinking young woman looking up

Unë supozohej të diplomohesha këtë  vit, por ja që nuk do arrij dot. Isha një nxënëse e shkëlqyer në gjimnaz dhe Psikologjinë e zgjodha duke menduar që do të realizoja ëndrrën time më të  madhe. Mirëpo ardhja në Tiranë, nga një qytet i vogël, nuk rezultoi ashtu siç e mendoja unë. Nuk arrita dot rezultatet që doja. Duke e ditur që nuk do merrja nota të kënaqshme, i lija për në vjeshtë. Ecja me moton që “nuk mund të pranoj nota poshtë tetës, ndaj më mirë t’i lë në vjeshtë”. Ajo çfarë nuk parashikoja, është se gjërat kurrsesi nuk shkonin ashtu siç doja. Tani kam lënë shumë provime sa nuk i menaxhoj dot. Nuk dua të ngjaj patetike. E di që nuk kam bërë përpjekje të mjaftueshme. E di, është plotësisht faji im. Gjithmonë e kam shtyrë veten drejt limiteve dhe kjo më ngushëllonte disi edhe humbjen. Nuk dua ta ngushëlloj më veten. E di që është koha që duhet të veproj. Ajo që po më vret dita-ditës është se si do të përballem me prindërit e mi. Nuk do ta kuptonin kurrë. Do të më quanin dështake (do kenë dhe të drejtë), do humbisnin totalisht besimin tek unë. Nuk mundem ta përballoj diçka të tillë. Unë u kam treguar një realitet të mrekullueshëm, sa kisha filluar ta besoj dhe vetë. Ata nuk ishin kurrë dakord  me zgjedhjen time që të studioja për Psikologji. U kisha premtuar që do isha ndër më të mirët. Ju lutem, do ishte goditje shumë e madhe për mua që t’i humbisja ata dhe, pa ekzagjerim, e di shumë mirë se për çfarë po flas. Ju kërkoj të më thoni si t’ia dal mbanë? Si mund të besoj sërish në vete që gjithçka do të shkojë mirë? Atyrenuk mundem kurrsesi t’ju tregoj të vërtetën. Është frika ime më e madhe.

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

dashur shkruese dhe kolege e ardhshme, si fillim ju përgëzoj për kurajën që gjetët të më shkruani dhe të më tregoni historinë tuaj! Jam e bindur që shumë të tjerë gjenden në të njëjtat kushte si ju, ku mendojnë se arritjet e tyre personale lidhen me vlerësimet në nota që ata marrin. Psikologjia është një fushë e bukur dhe e vështirë njëkohësisht. Sfida që ju i keni vënë vetes për ta ndjekur dhe për të qenë ndër më të mirat është e admirueshme. Kurajë për të lënë qytetin tuaj të vogël dhe për të ndjekur ëndrrën, është shembull për bashkëmoshatarët e tu. Veprimi juaj dhe jetesa në Tiranë është një shkollë më vete për nga vështirësitë që ka dhe ju po ia dilni më së miri. Në fakt, unë kështu e shikoj, se ju PO IA DILNI! Pra, ju, jo prindërit tuaj, por ju. Sigurisht që plani që të gjithë ne kemi për të ardhmen nuk është dhe nuk mund të jetë thuajse asnjëherë ai që e përshkruan rrugëtimin drejt tij. Pritshmëritë tona nuk mund të realizohen me përpikëri. E rëndësishme është se si t’i ndërtojmë ato me sa më objektivitet të jetë e mundur. Përpara se të ndërtojmë qëllime objektive, do të duhet të vëzhgojmë nga afër realitetin. Ju keni qenë një person pa përvojë,
ndërsa keni vlerësuar realitetin tuaj dhe keni vendosur rezoluta pak të “ashpra”  se si do të DUHET të jetë jeta juaj, çfarë rezultatesh do të DUHET të kesh dhe se nuk DUHET të dështosh. Duket sikur i ke vendosur vetes një ngarkesë të madhe psikologjike, si një thes i rëndë mbi supe, që nuk po gjen pakëz vend se ku ta lëshosh. Dhe kur thesi bëhet i pambajtshëm, e lëshon ku të mundësh, ndaj dhe gabimet fillojnë dhe rëndohen në kokën tuaj dhe bëhen të pakthyeshme.

Pse të mos e mendojmë ndryshe këtë situatë. Pse të mos filloni të mendoni
se, përveç kërkesës për të gjetur vendin ideal se ku të lëshoni thesin, kënaquni me një vend të pranueshëm dhe objektiv. Pra, në vend që të kërkoni “idealen”, bëjeni ju një tjetër vlerësim “ideal” për kushtet në të cilat jeni.

Cili është vlerësimi që zakonisht i afroheni më së shumti? Vendosni objektiva realiste, duke synuar arritje disi më të kënaqshme, por që pritshmëritë tuaja e përballojnë. Dhe kështu do të merrni shpërblime për këto arritje të vogla. Unë ju përgëzoj që ju kërkoni përmirësim, por jini realiste me kohën dhe mundësitë. Shikoni se cilat janë lëndët më parësore
për të lënë në vjeshtë dhe se sa mundësi keni për t’i përmirësuar. Gjithashtu
kërkoni përmirësim realist. Nëse keni mundësi të ngjiteni një shkallë dhe duket e arritshme, atëherë përmbajuni planit, pasi po synuat të paarritshmen, druaj se do të zhgënjeheni sërish. Përfitoni nga shpërblimet e vogla fillimisht dhe, gjatë rrugës, mësoni se si të mund të arrini pak e nga pak më shumë. Le të vijmë te prindërit. Ata janë tashmë krenarë për faktin që ti po ia del vetë. Unë jam gjithmonë e mendimit që, prindërve do të duhet t’u thuhet e vërteta, por varet se sa e fortë do të tregoheni ju dhe të mbroni të vërtetën tuaj. Fillimisht mos u kërkoni leje prindërve për atë që jeni duke bërë, as aprovim, pasi jeni e rritur tashmë dhe, keq apo mirë, ju keni marrë VETË një vendim për veten, edhe pse ata nuk ishin dakord. Ju thjesht jeni aty për t’u komunikuar të vërtetën. Tregojani kështu sikurse më shkruani mua. Po të jetë e nevojshme, fillimisht mund t’u shkruani edhe një letër. Mos kërkoni falje, se nuk keni bërë aspak asnjë faj, thjesht tregojini që jeni e shqetësuar, që nuk ishte siç e prisnit, por më e vështirë dhe se nuk keni ndër mend të hiqni dorë prej saj. Kështu i tregoni sërish siguri dhe vendosmëri, i tregoni se çfarë DONI të bëni dhe jo çfarë DUHET. Dhe, mbi të gjitha, ju kujtoj se ju nuk jeni dështake, por FITIMTARE. Ju ia dolët mbanë të fitoni dhe të ndiqni një shkollë. Jeta është shumë e gjatë dhe ju keni për të mësuar shumë gjëra, të cilat do të zhvleftësojnë shpejt arritjet e sforcuara të notave, duke e zëvendësuar me një pasion dhe përkushtim për profesionin, nëse e doni sikurse dhe tregoni.

Suksese !

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top