Ja si e arrijnë njerëzit e suksesshëm këtë gjë…
TalentSmart ka anketuar më shumë se 1 milion njerëz dhe ka zbuluar se njerëzit me performancë më të mirë janë ata që kanë inteligjencë emocionale të lartë. Çelësi i një inteligjence emocionale të lartë është padyshim vetëkontrolli.
Referuar po të njëjtit sondazh, ku të anketuarve iu drejtua pyetja për të listuar pikat e tyre më të forta, vetëkontrolli u shkrua nga një numër shumë i vogël njerëzish dhe ishte i vendosur në fund të listës.
Në mënyrë që edhe ju të rrisni vetëkontrollin, ju këshillojmë të ndiqni disa prej sjelljeve të njerëzve të suksesshëm:
Dinë të falin
Në rrethin vicioz të njerëzve që nuk kanë vetëkontroll, bëjnë pjesë zakonisht ata që kanë një ndjenjë të lartë hatërmbetjeje ndaj të tjerëve. Këto ndjesi zakonisht shoqërohen edhe me ofendime ndaj tjetrit, prandaj këshillohet që ju të mësoni të falni, një taktikë kjo që do t’ju ndihmojë juve në radhë të parë si person dhe pastaj që do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë për të vendosur marrëdhënie sa më të qëndrueshme.
Me shumë vështirësi thonë “Po”
Sipas një studimi të fundit të kryer nga Universiteti i Kalifornisë në San Francisko, vështirësia që ju keni për të thënë “jo” shoqërohet me stres, pakënaqësi dhe madje mund të shkojë edhe deri në depresion. “Jo” është një fjalë shumë e fuqishme dhe nëse edhe ju nuk doni të kaloni në fazat e mësipërme duhet të gjeni forcën për ta thënë atë. Ndërsa e kundërta ndodh për njerëzit e suksesshëm, ata thonë me shumë vështirësi “po” sepse nuk duan të bëjnë premtime, të cilat mbartin me vete riskun e mospërmbushjes nga ana e tyre.
Nuk janë në kërkim të përsosmërisë
Njerëzit me inteligjencë të lartë emocionale nuk kërkojnë asnjëherë përsosmërinë dhe nuk e vendosin atë kurrë si targetin e tyre, sepse e dinë mirë që kjo gjë nuk ekziston. Prandaj këshillohet që edhe ju të mos fiksoheni ndaj “përsosmërisë”, sepse nëse i vini vetes një synim të tillë, do të kaloni pjesën më të madhe të kohës duke u ankuar për të gjitha ato gjëra që nuk keni arritur, në vend që të shijoni arritjet tuaja.
Ata përqendrohen në gjetjen e “zgjidhjeve”
Në këtë pikë, përqendrimi ju ndihmon shumë edhe në gjendjen tuaj emocionale. Kur ju përqendroheni vetëm në gjetjen e zgjidhjes së problemeve dhe nuk shpërqendroheni duke u marrë me shumë gjëra njëkohësisht, do ta kuptoni që rendimenti që do të keni më pas do të jetë shumë më i lartë se më parë.
Ata shmangin shprehjen “Po sikur?”
Kjo është një prej shprehjeve që njerëzit me vetëkontroll e shmangin dhe nuk e kanë më pjesë të fjalorit. Kjo është një prej shprehjeve që edhe ju, nëse doni të keni sukses, duhet ta shmangni në maksimum, sepse ajo i hedh benzinë zjarrit dhe rrit nivelin e stresit dhe shqetësimit.
Janë optimistë pjesën më të madhe të kohës
Mendimet optimiste do t’ju ndihmojnë që të keni më shumë vetëkontroll. Të menduarit pozitiv i hap rrugë edhe mendimeve të tjera optimiste, duke ju mbajtur larg mendimeve negative dhe duke ndikuar në rritjen e produktivitetit.
Ata ushqehen shëndetshëm
Njerëzit e suksesshëm i kushtojnë rëndësi të veçantë regjimit ushqimor. Duke qenë se vetëkontrolli është një prej cilësive të njerëzve të suksesshëm, ata e dinë fare mirë se truri djeg pjesën më të madhe të glukozës në përpjekje për të pasur më shumë vetëkontroll. Nëse gjaku juaj ka mungesë sheqeri, ka shumë gjasa që ju të orientoheni drejt sjelljeve impulsive, nervoze dhe aspak të kontrolluara. Prandaj një dietë e mirëbalancuar ndaj të gjithë përbërësve ushqimorë është ajo që këshillojnë “të suksesshmit me vetëkontroll të lartë”.
Nuk i marrin orë gjumit
Gjumi është një prej elementeve më të rëndësishme, sepse ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në rritjen e produktivitetit, të vetëkontrollit dhe mbi të gjitha edhe të inteligjencës emocionale.
Veprimtaria fizike është shumë e rëndësishme
Edhe kjo është një prej gjërave të cilat, “të suksesshmit” nuk heqin dorë lehtësisht. Edhe nëse nuk kanë kohë për të ikur në palestër, ata dalin për një shëtitje, duke u shprehur se ecja ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në kthjellimin e ideve dhe në rritjen e vetëkontrollit dhe uljes së nivelit të stresit si pasojë e ndryshimit të ambientit.
Meditimi
E fundit në renditje, por jo më pak e rëndësishme se të tjerat. Meditimi e stërvit trurin tuaj për t’u shndërruar në një motor vetëkontrolli. Edhe disa prej teknikave më të thjeshta të meditimit, të cilat do t’ju marrin vetëm pesë minuta nga koha juaj, ju ndihmojnë që të rrisni përqendrimin.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.