Mirëqenie

February 5, 2018 | 13:40

Si të shmangim ankthin tek fëmijët?

Ditët e sotme dëgjojmë shpesh të flitet për ankthin, në një kohë kur secili është më kërkues ndaj vetes dhe atyre që e rrethojnë për të pasur performancë më të lartë në çdo angazhim të përditshmërisë.

Por a e dimë ne çfarë është realisht ankthi, çfarë shkakton dhe mbi të gjitha cilat janë zbulimet e fundit në lidhje me fëmijët?

Ankthi është një emocion si gjithë të tjerët, mos kini frikë prej tij

Edhe pse vetë fjala ankth na frikëson, ai nuk është gjë tjetër veçse një përzierje emocionesh e ndjesish, përfshirë frikën dhe një shqetësim të fortë. Ankthi manifestohet në mënyra të ndryshme, në njerëz të ndryshëm. Fiziologjikisht, trupi ka mekanizmat e tij me të cilët reagon kur gjendemi përballë një situate të cilën e konsiderojmë të rrezikshme. Kur jemi të shqetësuar dhe kemi frikë për diçka, shpeshtohen rrahjet e zemrës dhe frymëmarrja, e për rrjedhojë në trup ka më shumë oksigjen. Në këtë moment, mund të ndiejmë dhimbje kraharori, dridhje ose të na përzihet (ndjesi të vjellash).

Duhet theksuar se në disa raste ankthi është pozitiv, sepse ju lejon të përballeni me situata të caktuara me dozën e duhur të adrenalinës. Nga ana tjetër, nëse është ndjesi e përditshme dhe ju pengon në aktivitetet tuaja, efekti i tij është tërësisht negativ dhe duhet të drejtoheni patjetër te mjeku specialist.

Si përjetohet ankthi tek fëmijët?

Ndjesia e ankthit tek fëmijët shkakton vetëbesim të ulët, duke e bërë marrëdhënien e tyre me të tjerët dhe me veten mjaft të vështirë. Fëmijët e kalojnë pjesën më të madhe të ditës në kontakt me të tjerët (kopshti, shkolla, lojërat) dhe për këtë arsye prindërit duhet të punojnë shumë me ta, që fëmija të jetë në gjendje të ndërtojë marrëdhënie të shëndetshme. Por, jo gjithmonë ndodh kështu. Ka fëmijë që janë aq të mbyllur në vetvete saqë nuk janë në gjendje as të ngrejnë dorën për të kërkuar fjalën në orën e mësimit sepse kanë frikë nga çdo lloj gjykimi. Kjo mund të ndodhë për disa arsye, si historitë personale apo ndikimi i prindërve.

Historitë personale

Disa përvoja negative që mund të ketë jetuar fëmija kanë ndikim afatgjatë tek ai. Ato mund të ndikojnë negativisht në rritjen, zhvillimin dhe vetëvlerësimin e fëmijës suaj.

Ndikimi i prindërve

Mënyra sesi prindërit reagojnë ndaj situatave problematike lë gjurmë të forta tek fëmijët. Nëse reagimi i prindërve nuk është i matur, kjo rrit nivelin e ankthit  tek fëmija.

Mundohuni të ndryshoni mendimet negative

Që fëmijët të jenë të mbrojtur nga ankthi, është e nevojshme që vetë prindërit ta njohin këtë ndjesi dhe gjithë simpomat e saj. Mendimet negative kanë shumë ndikim, pasi nuk na lejojnë ta shohim realitetin objektivisht dhe ndiejmë rreziqe që në situata të tjera nuk do i kishim ndjerë. Nëse prindërit janë të vetëdijshëm për ankthin dhe efektet e tij, edhe fëmija do të ndiejë se po rritet në një ambient të sigurtë, ku mund ta përjetojë këtë ndjesi pa u ndjerë i frikësuar ose i braktisur.

Mos i mbroni fëmijët më shumë se ç’duhet

Ndonjëherë prindërit janë shumë të shqetësuar për mirëqënien e fëmijëve dhe kanë tendencë t’i mbrojnë ata më shumë sesa kanë vërtet nevojë. Kërkesat e prindërve për të mos prekur kafshët, për të mos u bërë asnjëherë pis, për të mos luajtur jashtë, etj janë kërkesa të ekzagjeruara. Nëse kjo sjellje vazhdon gjatë, ju nuk po i mbroni fëmijët, por po i dëmtoni, duke i mbajtur në një botë tërësisht larg asaj reales.

Duhet t’i lejoni fëmijët të përjetojnë eksperiencat e përshtatshme për moshën e tyre. Është detyra juaj të gjeni një ekuilibër mes të qënit të kujdesshëm dhe t’i lini të lirë.

Burimi / https://www.pernenat.al

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top