Këshilla & Arsye

April 17, 2020 | 8:06

Silvana Gjoni: Kur të drejtohemi te logopedisti për probleme me zërin?

 

Problemet e zërit njihen ndryshe si disfoni. Arsyet nga se shkaktohen janë të shumta, mund të jetë si rezultat i mbingarkesës vokale, përdorimit të shumtë të zërit (si tek mësuesit, këngëtarët apo profesionistët që zërin e kanë primar). Organizata ASHA bën të ditur se të paktën 43% e amerikanëve, përjetojnë të paktën një herë gjatë jetës së tyre episode disfonie. Prandaj, ajo paraqet një problem domethënës.

Silvana Gjoni, Logopediste dhe Terapiste ABA

Silvana Gjoni, Logopediste dhe Terapiste ABA

Është e lehtë të dallohet edhe nga ana juaj prania e disfonisë, zëri është i ngjirur për një periudhë kohe dhe nuk qetësohet edhe kur ju bëni pushim. Duket sikur keni një gjendje gripale, duke marrë parasysh zërin e ngjirur, por në të vërtetë nuk është kështu.

Për ata persona që vuajnë nga disfonia, është terapia e zërit. Edhe nëse disfonia është e zgjatur në kohë, prapë terapia ka rezultuar efektive. Në disa raste, mund të përshkruhen edhe medikamente, sidomos në rastet kur kemi të bëjmë me prani të disfonisë nga tumoret beninje apo malinje, që përfshijnë strukturat laringeale. Kur gjendja e pacientit është e rëndë, mund të aplikohet edhe ndërhyrje kirurgjikale dhe terapia mund të shkurtojë periudhën e rimarrjes së funksionit vokal.

0

Nëse jeni një person që zërin e keni të domosdoshëm për ta përdorur, si shkak i profesionit tuaj të përditshëm, ju japim poshtë disa nga këshillat se si ta ruani atë, në mënyrë që të shmangni terapinë vokale, në raste përkeqësimi:

1-USHTRIMET E GJUHËS. Mund t’i aplikoni para se të filloni të mbani një referat, ligjërim apo përdorim në kohë të zgjatur të zërit. Të tilla janë: futja e gjuhës shumë brenda për 5 sekonda, nxjerrja e gjuhës maksimalisht jashtë për 5 sekonda, gjuha majtas jashtë, majtas brenda duke shtyrë faqen, gjuha djathtas jashtë, djathtas brenda duke shtyrë faqen, secila nga këto për 5 sekonda kohëzgjatje. Tubosja e gjuhës, nëse arrini ta bëni, mbajtja e një pipëze mes gjuhe për 10 sekonda.

2-MASAZHET. Masazhoni gjuhën duke shtypur me gishtin e madh të dorës poshtë nofullës dhe do të ndieni një gudulisje. Nëse e ndieni, është diçka pozitive, sepse dëshmon se akoma nuk keni arritur në stadin e përkeqësuar të sëmundjes apo nuk ka prekur akoma ndjeshmërinë tuaj.

3-DRIDHJET. Bëni dridhje ritmike të gjuhës për të çliruar tensionin e brendshëm lingual. Dridhjet e gjuhës ju mund t’i bëni në mënyrë të zakonshme, si hingëllima e kalit, thithja e gjuhës sikur pi në pipëz etj. Këto ndihmojnë çlirimin e tensionit të gjuhës dhe ju ndihmojnë gjithashtu që artikulimi të jetë më i qartë dhe i rrjedhshëm.

4-FRYRJA. Fryni nga një pipëz në një gotë, bëni vokalizime të ndryshme me zanore, si aaaa e zgjatur, e e e e me pushime.

5-KONSULTOHUNI. Nëse gjendja juaj edhe pas këtyre ushtrimeve vazhdon, duhet të zhvilloni një konsultë me një mjek ORL, i cili nëse shikon tek zëri juaj, probleme të trajtueshme nga logopedisti, do ju referojë tek një i tillë.

Logopedisti është i vetmi profesionist që ka të drejtën të aplikojë metodat e terapisë së zërit dhe t’ju ndihmojë ta rifitoni atë, në bashkëpunim me ju. Asnjë profesionist tjetër mjekësor nuk e ka të drejtën të bëjë diçka të tillë. Kujdes nga mashtrimet!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top