Këshilla & Arsye

July 23, 2018 | 8:20

Silvana Uka Bushi: Adoleshentët kanë nevojë për komunikim, mos t’i frustrojmë në tregimin e tyre

Mosha e adoleshencës është një periudhë shumë delikate, sidomos për prindërit, të cilëve u duhet te jenë tepër të kujdesshëm në rritjen e fëmijëve të tyre adoleshentë.

Silvana Uka (Bushi), psikologe klinike

Silvana Uka (Bushi), psikologe klinike

Vitet e fundit gjërat kanë ndryshuar shumë, dhe njeriu ka evoluar përgjatë ciklit të jetës. Pavarësia e fëmijëve sa vjen e rritet.

Fëmijët në adoleshencë hyjnë në një proces rritjeje që synojnë pushtimin e lirisë gjithnjë e më të madhe. Ky moment korrespondon me një fazë shumë delikate edhe për prindërit, gjatë së cilës shfaqin shumë frikë. Adoleshenca shënon hyrjen në një botë të qeverisur nga rregulla të reja:

Konflikti midis adoleshentëve dhe prindërve shtohet, dhe ajo çfarë shtohet me tepër është frika e prindërve se mos fëmijët e tyre marrin një rrugë të gabuar.

 

komunikimi me adoleshenteDy janë gjërat bazë në sjelljen me adoleshentët:

Reflektimi për të qenë i vetëdijëshëm mbi adoleshencën dhe komunikimi me ta.

Prindërit duhet të bëhen të vetëdijshëm për këtë fazë. Ndonjëherë, prindërit harrojnë se jeta ka parashikuar që, gjenetikisht të vëgjëlit tanë do të fluturojnë një ditë, por të mësuarit për të fluturuar me krahët e tyre bëhet e vështirë nëse të rriturit nuk i ndihmojnë të vegjlit e tyre.

Pikërisht, ky guxim shënon momentin e fillimit për një moshë më të rritur te femijët tanë adoleshentë, por që për prindërit vazhdon të mbetet akoma e mbushur me frikë dhe pasiguri. Kjo është arsyeja pse bëhet e rëndësishme të reflektohet së bashku, adoleshentët dhe prindërit. Dhe së bashku të gjejnë një gjuhë të re për të komunikuar.

Reflektimi është hapi bazë dhe i vlefshëm për çdo aspekt të jetës së një adoleshenti, dhe që ndihmon çdo prind të orientojë veten në praktikën e përditshme me fëmijët.

Komunikimi me fëmijët dhe biseda me ta është çelësi i suksesit. Një dialog i mirë mes prindërve dhe fëmijëve është thelbësore për të parandaluar ose ndërhyrë shpejt nëse fëmijët adoleshentë kanë probleme. Në të kundërt, besimi mes palëve do të humbasë, dhe fëmija do të ketë një tjetër çelës për jetën e tij, atë të shoqërisë, apo atë të mjedisit që e rrethon.

Kur fëmijët janë të vegjël, bisedat me ta s’kanë fund. Ata flasin pa pushim, pyesin dhe duan të dinë rreth çdo gjëje. E kundërta ndodh kur bëhen adoleshentë. Ata heshtin, nuk flasin, acarohen dhe shumë herë biseda shkon në grindje. Pse ndodh kjo? Ja disa faktorë:

Dëshira e adoleshentit për pavarësi

Tendenca për t’u dukur i rritur dhe i ditur

Disbalancimi i moshës fëmijë-prindër

Nënvlerësimi i prindërve për aftësinë e adoleshentëve

Mbivleresimi i adoleshentëve për veten…

Sipas studimeve të bëra, adoleshentët kanë kapacitetin e abstraksionit. Pra, ata kanë tendencë t’i shohin gjërat kategorikisht: ose të bardha ose të zeza. Kjo gjë bën që adoleshentët të merren gjithmonë me çështje komplekse. Prindërit, ashtu si autoshkolla, duhet të mësojnë fëmijët me anën e guidës për të kaluar gradualisht nga vendi i pasagjerit në vendin e shoferit, duke e udhëzuar atë të ecë gjithmonë në drejtimin e tij, pa anashkaluar në rrugën e tjetrit. Në të kundërt do të aksidentojë veten dhe familjen.

Por si mund të veprojmë që të kemi një komunikim sa më të mirë me fëmijët tanë adoleshentë?

  1. Të flasim jo zyrtarisht. Ndonjëherë, adoleshentët hapen më lehtë gjatë kryerjes së punëve të shtëpisë, kur janë në makinë, kur janë në shëtitje, apo kur janë krah për krah me prindin, se sa kur ndodhen ballë për ballë.
  2. T’i dëgjojmë dhe të jemi sa më fleksibël për ta. Vetëm kjo është mënyra për të kuptuar problemin e tyre të vërtetë.
  3. Të ruajmë qetësinë deri në fund. Nuk duhet të acarohemi me asnjë shprehje apo thënie të tyre, në të kundërt çdo gjë përmbyset dhe fëmija s’do ketë më guximin të flasë me ne.
  4. Nuk është e nevojshme të rregullojmë situatën, por të udhëzojmë fëmijët t’i rregullojnë situatat.
  5. Të sillemi si shokë dhe miq. Adoleshentët janë shumë të hapur me shokët, le të mendojnë se dhe ato që na tregojnë ne, janë të njëjta me diskutimet e shoqërisë, mos t’i frustrojmë në tregimin e tyre.

Kjo nuk është një recetë absolute, ndoshta… dhe ndoshta nuk ka një recetë mjekësore për ta përdorur te fëmijët. Çdo prind ka recetën e tij personale për t’u mjekuar, por në fund të çdo mjekimi, rëndësi ka prindërimi dhe komunikimi i shëndetshëm.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top