Këndi i të rinjve

July 23, 2018 | 8:30

Nga Enveida Kajushi: Bashkëbisedim me ndërgjegjen “Mari”, kur mbijetesa ekziston veç si nevojë e jo si një mundësi zgjedhjeje

 

Mari, moj e ëmbla Mari. Pse i besove fatit që të flaku tutje? Nuk të mjaftuan dallgët, por tani zgjodhe të përplaseshe me shkëmbinjtë. A e kupton që po merr pjesë në një betejë tashmë të fituar?

Enveida Kajushi, studente

Enveida Kajushi, studente

Ah, e pamposhtura ime, Mari, a ia ka vlejt me luftu kaq shumë veç për mbijetesë?

Ke në zemër një dhimbje të heshtur, që pa e kuptuar sot po të ulëret. Jam unë loti yt, Mari, që veç ka ditur të pikojë nga dy sytë e tu jeshil të paqtë. A s’do pushoj ndonjëherë kjo rrjedhë se edhe unë po mbytem nga dhimbja jote?

Më thuaj, Mari, pse i lag fjalët kur mund të flasësh me to? Pse zgjedh heshtjen, kur mund t’ia flakësh dhimbjen atij që ta dhuroi? Pse?

… Asnjëherë nuk do arrij të të kuptoj Mari. Ti nuk je një roman mbi të cilin mund të lundrosh lehtësisht, përkundrazi, ti je një libër filozofik i vështirë për t’u lexuar. Duhet të udhëtosh disa herë mbi shkronjat e çdo kapitulli që të kuptosh tërësinë tënde. Fundja, Mari, ti je një mister për vetë qenien tënde, mos prit që të tjerët të të kuptojnë kaq thjeshtë.

Foto ilustruese

Foto ilustruese

Lufton Mari, por për çfarë? A ke arsye që të mbash frymën gjallë?

Atëherë kur bota ka një statujë lirie, edhe pse liri s’ka!

Në boten time do ekzistojë veç një statujë, ajo e mbijetesës, atë të cilën ti e personifikon më së miri, atëherë kur mbijetesa ekziston veç si nevojë e jo si një mundësi zgjedhjeje.

Mjaft fole, Mari! Nuk i duroj dot më fjalët e tua të mprehta që më ngulen drejt e m’u në shpirt! E kuptoj që ke nevojë të flasësh, ke nevojë të fajësosh, por, ç’faj kam unë kur nën lëkurën tënde jetoj?

Të lutem, më thuaj, a kam unë faj?

Shpirti i shpirtit tim jemi nëpërkëmbur mjaftueshëm, por fundja e kemi një jetë për të cilën ia vlen të jetosh! Një jetë për të treguar se pushteti shkel aty ku shtypja jep forcë për t’u ngritur, e ngritja nxit arsyen për të jetuar më e fortë se dje.

Mari, e njohim shumë mirë dhimbjen. Fundja, është bashkëshortja jonë dhe ky ishte shorti që na ra. Por, a ka kuptim një jetë e përjetuar e tillë?

Jepi fund Mari! Divorcohu me dhimbjen! E vërtetë, do përjetojmë një zbrazëtirë ndjenjash, por, të paktën do mund të zgjedhim se me çfarë cilësish, emocionesh, do mbushim shpirtin tonë.

Vrapo drejt çlirimit zemër e brishtë se, pse ti e di më mirë se kushdo se sa vlen nga të tjerët. Mos lër më askënd të të shtypi sikur e shkuara jote. Vrapo!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top