Mirëqenie

November 12, 2020 | 8:15

Sjelljet e gabuara të fëmijëve, thyerja e rregullave

 

Fëmijët përdorin sjelljen e tyre për të treguar se si ndihen dhe çfarë po mendojnë. Shpesh, ata komunikojnë diçka përmes sjelljes së tyre, pasi nuk janë domosdoshmërish të aftë për të verbalizuar. Por cilat janë disa nga shkaqet themelore që sjellin këto probleme?

Nga Zerina Qendro Psikologe Këshillimi

Nga Zerina Qendro
Psikologe Këshillimi

Duan vëmendje

Kur prindërit flasin në telefon, ndodhen për vizita te miqtë apo të afërm, apo kanë ngarkesa të ndryshme, fëmijët ndjehen të lënë jashtë vëmendjes. Dhe, një ulërimë apo goditje e motrës është mënyra më e mirë për ta tërhequr atë. Edhe nëse është vëmendje negative, fëmijët e dëshirojnë atë. Injorimi i sjelljeve negative dhe lavdërimi i atyre pozitive është një nga mënyrat më të mira për t’u marrë me sjelljet që kërkojnë vëmendje.

Nuk kanë aftësi

Ndonjëherë problemet e sjelljes rrjedhin nga mungesa e aftësive. Një fëmije që i mungojnë aftësitë shoqërore, mund të godasë një fëmijë tjetër, sepse dëshiron të luajë me një lodër. Një fëmijë i cili nuk ka aftësi për zgjidhjen e problemeve mund të mos e pastrojë dhomën e tij sepse nuk është i sigurt se çfarë të bëjë kur lodrat e tij nuk futen në kutinë e lodrave. Kur fëmija juaj sillet keq, në vend që t’i jepni vetëm një pasojë, mësojini atij se çfarë të bëjë që ta rregullojë situatën (të cilën e ka shkaktuar vetë). P.sh: Nëse fëmija thyen një gotë, mësojeni të pastrojë ambientin. Fëmija kupton kështu që çdo veprim i papërshtatshëm ka pasoja. Tregojini atij alternativa në mënyrë që të mësojë nga gabimet e tij.

Duan pavarësi

Ndërsa parashkollorët mësojnë të bëjnë më shumë gjëra vetë, ata shpesh duan të tregojnë aftësitë e tyre të reja. Adoleshentët gjithashtu njihen për përpjekjet e tyre për të qenë të pavarur. Ata mund të bëhen më argumentues dhe ndonjëherë mund të sillen me mospërfillje. Adoleshentët mund të bëhen rebelë në një përpjekje për t’u treguar të rriturve se mund të mendojnë vetë. Mund të thyejnë rregullat me qëllim, dhe të përpiqen t’u tregojnë të rriturve se nuk mund të detyrohen të bëjnë gjëra që nuk t’i duan të bëjnë. Jepini fëmijës tuaj zgjedhjet e duhura. Pyetini fëmijët e parashkollorit: “Doni ujë ambienti apo të ftohtë për të pirë?” I thoni adoleshentit: “Varet nga ty kur vendos t’i bësh punët e tua. Dhe, sa më shpejt t’i bësh, ti mund të përdoresh tabletin ose të shkosh të luash me shokët”. Dhënia e lirisë së duhur për moshën do të plotësojë nevojën e fëmijës tuaj për të qenë i pavarur.

Nuk kontrollojnë dot ndjenjat

Ndonjëherë fëmijët nuk e kanë idenë se çfarë të bëjnë për ndjenjat e tyre. Kur ndjehen të zemëruar, mund të bëhen agresivë. Fëmijët duhet të mësojnë mënyra të shëndetshme për t’u marrë me ndjenja të tilla si trishtimi, zhgënjimi, zemërimi dhe ankthi. Kur fëmijët kanë kontroll më të mirë mbi emocionet e tyre, ata mund të përdorin aftësi të shëndetshme përballuese. Në vend që të sillet keq për të shprehuremocionet e tij, një fëmijë mund të mësojë të marrë pak kohë për t’u qetësuar.

Sjellja e gabuar është efektive

Nëse duke thyer rregullat u jepni atë që dëshirojnë, ata do të mësojnë shpejt rezultatet e sjelljes së keqe. Për shembull, një fëmijë i cili ulërin derisa nëna e tij të dorëzohet, do të mësojë se ulërima është një mënyrë e shkëlqyeshme për të marrë atë që dëshiron. Fëmijët i krijojnë pikëpamjet e tyre për veten dhe botën përreth bazuar në përvojat e përditshme. Një nga më të rëndësishmet që të rriturit mund t’u japin fëmijëve është të flasin dhe të dëgjohen. Nëpërmjet këtyre ndërveprimeve, fëmijët dhe të rriturit mund të zhvillojnë marrëdhënie që i ndihmojnë ata të mësojnë për veten dhe botën. Prindërit dhe fëmijët me një marrëdhënie të shëndetshme komunikojnë rregullisht, jo vetëm kur ekziston një konflikt.

Studimet tregojnë se fëmijët që rriten në familje ku kalohet duke folur për emocionet, janë më të suksesshëm akademikisht, kanë miqësi më të mira, më pak sëmundje infektive dhe mund të trajtojnë situata të vështira sociale në mënyrë më efektive se sa fëmijët, familjet e të cilëve nuk flasin për ndjenjat.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 151

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top