6 Korriku shënon Ditën Ndërkombëtare të Puthjeve. Puthja është një veprim i mistershëm dhe në hapat e parë të një marrëdhënieje, interpretimi i saj mund të nxjerrë të vërteta interesante. Ekzistojnë shumë lloje të ndryshme puthjesh, nëpërmjet të cilave personi tjetër mund të jetë duke u përpjekur t’ju komunikojë diçka. Puthja në ballë shpreh admirim. Puthja në faqe është një akt tjetër i butë dashurie. Shpesh së bashku me një përqafim nënkupton një “Përshëndetje” ose “Mirupafshim.”
Një puthje është gjithashtu një shenjë e një lidhje të veçantë në mes dy njerëzve. Emocionet e rritura vijnë në lojë me ndërveprimin e gjuhëve dhe shprehjen e dëshirës.
Ja cilat janë shpjegimet e 10 llojeve të puthjeve, të cilat mund t’i hasni në një lidhje dashurie.
Puthja në faqe
Kjo është një puthje mirësjelljeje. Mund të nënkuptojë gjëra të ndryshme në varësi të personit dhe të kohëzgjatjes së lidhjes. Në takimin e parë, mund të jetë një “testim ujërash” nga tjetri, i cili po përpiqet të mos jetë agresiv në kërkimin e intimitetit. Në këtë rast, jeni shumë larg puthjes romantike, ndaj nëse po kërkoni diçka më të afërt, siç mund të jetë puthja në buzë, do t’ju duhet ta kërkoni haptazi.
Puthja e shpejtë në buzë
Të shumëpriturat puthje romantike, pavarësisht termit që koha kalon shpejt në dashuri, ndonjëherë mund të jenë vërtet të shpejta. Një puthje e shpejtë në buzë, gjatë një lidhjeje të sapokrijuar, zakonisht nënkupton “më pëlqen ti” ose “kaloj bukur kur jemi bashkë”. Kjo është veçanërisht e vërtetë për personat që nuk flasin shumë dhe u pëlqen t’i tregojnë ndjenjat në mënyrë jo verbale.
Puthja me sy hapur
Miti që një njeri që s’të do të puth me sy hapur mund të jetë i diskutueshëm. Nëse kuptoni që personi tjetër nuk po i mbyll sytë gjatë puthjes, kjo nënkupton se atij i pëlqen më shumë të jetë spektator sesa pjesëmarrës i aktit të shprehjes së dashurisë. Nuk keni pse shqetësoheni seriozisht në këtë rast. Ka plot persona që i preferojnë puthjet me sytë hapur. Më i rëndësishëm është fakti nëse personi tjetër po ju puth apo jo me ndjenjë.
Puthjet me sy mbyllur
Pjesës më të madhe të njerëzve u pëlqen t’i mbyllin sytë gjatë kohës që po përjetojnë afërsinë e ëmbël të dy njerëzve që puthen. Kjo puthje është përgjithësisht e ndjeshme, sepse sytë e mbyllur i japin mundësi më të larta shqisës së të prekurit. Sytë mund të mbyllen për shkakun e thjeshtë të mos përqendrimit të syve që mund të vijë prej afërsisë së madhe. Puthjet me sy mbyllur janë më të bukurat dhe ndihen më shumë nga të gjitha.
Mbiputhja
Nuk ekziston ndonjë masë e puthjeve që lejohen apo kohëzgjatjes së duhur të tyre. Mbiputhja është termi që përdoret për një puthje ku vetëm njëri partner është angazhuar. Pra, nëse e shihni se personi tjetër nuk po përfshihet sa duhet gjatë puthjes, kjo mund të jetë një shenjë se ai është i shqetësuar për ndonjë gjë të caktuar. Mund të vijë edhe prej dominimit tuaj gjatë aktit të puthjes.
Puthja e plotë
Në këtë lloj puthjeje, jo vetëm që përfshihen të gjithë muskujt e fytyrës, por ka brenda edhe shumë ndjenjë dhe pasion. Një puthje e tillë tregon dëshirë të përbashkët nga çifti dhe është një ogur i mirë për një lidhje të shëndetshme.
Puthja franceze
E famshmja puthja franceze, që revolucionarizoi kontaktin romantik të dy personave që ndihen të dashuruar, është një nga puthjet më të praktikuara në botë. Nuk ka dyshime se një puthje e tillë tregon gjërat më të mira për një lidhje, ndrojtja është lënë pas, ëndrrat për të ardhmen mund të kenë filluar dhe për më tepër personat në çift ndihen plotësisht të lidhur me njëri-tjetrin.
Puthja lëvizëse
Kjo puthje fillon me buzët dhe vazhdon me pjesë të tjera të fytyrës, qafës e më tej. Nënkuptimi i puthjeve lëvizëse është i qartë, ato kanë si qëllim t’ju ndezin dhe t’ju çojnë drejt gjërave më të mëdha se thjesht një puthje. Duke qenë se është një puthje tepër “me spec”, nëse nuk dëshironi të vazhdoni më tej, duhet ta ndërprisni sa më shpejt.
Puthja hezituese
Një puthje e tillë mund të nënkuptojë që personi tjetër është i turpshëm rreth ndërveprimit tuaj fizik ose mund të jetë i pasigurt për përgjigjen tuaj. Mënyra se si do t’i përgjigjeni kësaj puthjeje mund të përcaktojë fatin e lidhjes suaj me këtë njeri. Në të njëjtin rang mund të futet edhe puthja në cep ose gjysmë të buzës. Është një puthje e lehtë, e cila po kërkon reagimin tuaj për të ditur nëse duhet të vazhdojë apo të ndërpritet.
Puthja pushtuese
Këto janë puthje të çuditshme dhe ndonjëherë të dhimbshme. Personi tjetër mund ta ketë ngjeshur fytyrën pas tuajës duke ju shkaktuar më shumë shtypje sesa qejf. Kjo nënkupton se personi në fjalë nuk ia ka as idenë më të vogël se çfarë po bën. Bëni më të mirën tuaj që të jeni të sjellshëm, por edhe tregojini se duhet ta ulë paksa intensitetin.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.