Lifestyle

October 5, 2020 | 8:45

Spiuni që u kthye nga i ftohti, dritë mbi marrëdhëniet e errëta të spiunazhit ndërkombëtar gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë

Janë të paktë ata libra që kanë krijuar një efekt të tillë, duke u bërë aq shumë pjesë e kohës së tyre, sa shndërrohen jo vetëm në emblemë të epokës, po edhe në një mënyrë për të zhbiruar brenda saj.

Në orët e para të mëngjesit të 13 gushtit të vitit 1961, trupat e Gjermanisë Lindore mbyllën me tel gjembaç sektorët perëndimorë të Berlinit dhe i ndanë me një mur që nisi të ngrihej rishtas. Muri (germa nistore e madhe iu ngjit fjalës pothuaj aty për aty) do të qëndronte në këmbë plot 28 vjet e do të frymëzonte kërcënime të fuqishme ideologjike si vringëllimë kordhe, akte të panumërta heroizmi (që në të shumtën e rasteve rezultuan të kota), një simbol sintetizues për projekte filmike, si dhe një vepër të vyer letrare që i ka bërë vend vetes me popullaritetin e fituar.

John le Carré ka thënë se ideja për “Spiunin që u kthye nga i ftohti” i lindi pasi shkoi enkas nga Boni për të parë Murin dhe, ç’është e vërteta, asnjë libër tjetër nuk rezulton të jetë i lidhur aq ngushtësisht me të – linja e rrëfimit të romanit nis e përfundon tek ai mur, ku krahët e shtrirë të Limasit s’mund të jenë veçse shëmbëlltyra ikonike e Luftës së Ftohtë.

5Romani “Spiuni që u kthye nga i ftohti” i shkrimtarit britanik John Le Carré, botuar për herë të parë më 1963, është shndërruar tashmë në një klasik.

Me njohuritë e tij të pakrahasueshme, mbledhur nga përvoja disavjeçare në radhët e Shërbimit të Fshehtë Britanik, Le Carré hedh dritë mbi marrëdhëniet e errëta të spiunazhit ndërkombëtar gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë.

Në hijen e Murit të porsangritur të Berlinit, Alek Limas shikon t’i vritet edhe agjenti i fundit nga ushtarët e Gjermanisë Lindore. Për Limasin, një agjent britanik në Berlin, Lufta e Ftohtë ka mbaruar. Teksa pret të dalë në pension ose më keq akoma, t’i japin një punë të rëndomtë zyre, Kontrolli, kreu i Shërbimit, i jep një mundësi të rrallë për t’u hakmarrë. Limasi duhet të mveshë rolin e një agjenti perëndimor të zhgënjyer dhe të orvatet të futet në radhët e Shërbimit Sekret të Gjermanisë Lindore me qëllim rrëzimin e kreut të tij, Mundtit. Loja e dyfishtë, rreziku, zgjuarsia, gjakftohtësia, lufta e ftohtë mes dy kampeve armike deri në vdekje janë përshkruar me mjeshtëri nga John Le Carré.

4

Në veprën e tij të jashtëzakonshme, historia e spiunazhit është një rrëfim i guximshëm dhe i tmerrshëm për njerëz që kanë mbetur peng të politikës përtej asaj çka imagjinonin.

Për kritikën “Spiuni që u kthye nga i ftohti”, është historia më e bukur, portreti i një njeriu që ka jetuar aq gjatë mes gënjeshtrave dhe mashtrimeve, saqë ka harruar si tregohet e vërteta. Times

Ai di të përcjellë emocione, që nga djersitja prej frikës deri te dashuria e dëshpëruar, me një stil bindës, të thukët e dashamirës. Mbi të gjitha, ai di të rrëfejë një histori. Sunday Times 

John Le Carré ka lindur më 1931. Ka studiuar në universitetet e Bernës dhe Oksfordit. Gjatë Luftës së Ftohtë ka qenë pjesë e Shërbimit të Fshehtë Britanik. Në 1960-ën e transferuan në Agjencinë e Zbulimit, M16, dhe ka punuar nën petkun e “sekretarit të dytë” në ambasadën britanike në Bon. Gjatë kësaj periudhe, zbuloi pasionin e tij për të shkruarin, duke botuar disa romane. Shumë prej veprave të tij janë ekranizuar, si “Spiuni që u kthye nga i ftohti”, “Rrobaqepësi i Panamasë”, “Teneqexhi, rrobaqepës, ushtar, spiun”. John Le Carré është një prej shkrimtarëve më të frytshëm të brezit të tij dhe vijon të shkruajë edhe sot e kësaj dite vepra të rëndësishme.

Fragmente nga libri

Ne jemi të detyruar të jetojmë pa krijuar simpati për askënd, apo nuk them mirë? Vetëm se kjo është e pamundur, natyrisht. Luajmë teatër duke u treguar të ashpër me njëri-tjetrin, por në thelb s’jemi të tillë, dua të them… njeriu s’ka përse të qëndrojë gjithë kohës jashtë, në të ftohtë; lypset që të kthehet, të ruhet nga i ftohti… më kupton ku e kam fjalën?

…neve na bie në pjesë të bëjmë vepra të papëlqyeshme, por jemi gjithmonë në pozicion mbrojtës. Dhe kjo për mua është boll e ndershme. Ne bëjmë punë të pahijshme, që njerëzit e zakonshëm, këtu dhe gjetiu, të flenë të sigurt natën, në shtratin e tyre. Mos ngjan më romantike nga ç’duhet kjo puna jonë? Natyrisht, me raste, ne bëjmë gjëra shumë të poshtra, – ai u zgërdhi si çunak shkolle. – Dhe, duke peshuar moralitetin, ne i lejojmë vetes të jepemi pas krahasimeve të pavend, se fundi i fundit, nuk vihen në kandar idealet e njërës palë me metodat e palës tjetër, apo nuk është kështu?

3Titulli: Spiuni që u kthye nga i ftohti

Autori: John le Carré

Përktheu: Gjergj Kaftani

Zhanri: Roman

Data e botimit: Tetor, 2020

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top