FB

October 22, 2021 | 8:17

“Squid Game” nxit dehumanizimin, dhuna “përqafohet” dhe imitohet shumë lehtë nga fëmijët

Po t’i bëhet një analizë jo shumë e thellë, por qoftë edhe sipërfaqësore psikologjike dhe sociale, pikërisht synohet që të vihen në pah, është pasqyrimi i kësaj lloj konkurence që ne jetojmë, i dehumanizimit, i faktit që qëllimi justifikon mjetin, i faktit që ka një dilemë morale. Në episodin e fundit, loja mes dy personazheve që kishin qenë shokë të ngushtë në fëmijëri është një pasqyrim i shumë elementeve që ne jetojmë sot.

Nga Lorela Garuli

Për fëmijët apo adoleshentët mund të bëhet problematike, sepse shfaqje të tilla që kanë kaq shumë elemente dhune dhe agresiviteti, e kanë vërtetuar studime të shumta dhe kjo vazhdon të jetë shumë persistente dhe aktuale, që imitohen shumë kollaj. Njeriu ka një pjesë, mbase në të pavetëdijshmen e vetë që e “përqafon” shumë shpejt agresiven dhe dhunën. Ka shumë studime që nga vitet ’50-’60 edhe më vonë, në psikologjinë sociale që dëshmojnë se fëmijët që ekspozohen ndaj shfaqjeve shumë të lehta të dhunës, jo më ndaj një loje të tillë, kanë tendencën të luajnë me agresivitet, qoftë edhe me pellushët e vetë.

Mendoj se ky është seriali i radhës që do të bëjë bujë dhe mendoj se nuk duhet ta shohin fëmijët. Por, në gjykimin tim, më shumë sesa të shqetësohemi vetëm për pjesën se çfarë shohin fëmijët, është ideja se çfarë edukimi marrin dhe çfarë vlerash u përcillen.

Është shumë i mbrapshtë për nga vlerat morale, njerëzore. Në “Squid Games” ka një dehumanizim të qartë të asaj që është njerëzore. Ka një lloj absurdi, nëse do ta afronim pak me letërsinë apo filozofinë, në psikologjinë e absurdit. Po të kthehemi shumë pak te Kamy, te Franc Kafka, personazhet kanë shumë elementë që mund t’i gjejmë këto që po përmend, ka numra. Pra, për të thënë që nuk janë gjë tjetër veçse disa numra rendorë, një regjistër i protokolluar, pra largohen nga identiteti i vetë njerëzor. Është e njëjta gjë që bënte Kafka, Kamy me romanet e veta që personazhet s’kishin emra, kishin vetëm inicialet. Nuk ka rëndësi kush ti je, çfarë ti bën, çfarë familje ke, si ndihesh. Rëndësi ka që këtu ke një qëllim dhe ky qëllim nuk ka shumë kohë për t’u menduar, për të ndihmuar etj. Dhe një nga pikat e kontratës që ata nënshkruajnë në fillim, një nga pikat ishte që nëse shumica bien dakord, mund ta ndërprisnin lojën në çdo moment. Asnjë se bëri këtë. Këtu dalim prapë te largimi nga njerëzorja, domethënë që të gjithë rendim e rendim.

Një nga mesazhet shumë sipërfaqësore e shumë të qarta që jepet është se qëllimi justifikon mjetin,  që lidhet me materializmin. Nuk ka rëndësi se çfarë pasionesh, dëshirash, psikologjie ti do të kesh, nëse ti ke një qëllim të tillë, çdo gjë është e lejuar. Në thelb, supozohet që mesazhi që përcillet është se gjëja me rëndësi në fund është vlera monetare.

Por që në thelb, nuk është aspak kështu. Nëse do të bëjmë ndonjë pyetje ekzistenciale “Çfarë sensi ka jeta?”, apo “Ku duam të shkojmë”, përgjigjja e këtyre pyetjeve është kryesorja.

A është zgjidhje të ulen prindërit ta shohin me fëmijën për ta normalizuar dhe mbi të gjitha për ta shpjeguar?

Ta shpjegosh është gjithmonë zgjidhja më e mirë. Por, varet nga mosha e fëmijës, është ndryshe një fëmijë gjashtë vjeç dhe ndryshe një fëmijë dymbëdhjetë vjeç si dhe në varësi të karakterit të fëmijës dhe gjithë elementet e tjerë.

Ka një ndryshim në nivel psikologjik mes të parit një lajm të kronikës së zezë dhe një filmi apo seriali që shihet për argëtim. Në rastin e lajmeve, fëmijët duhen mësuar që jetojmë në një realitet që e ka edhe këtë pjesë, nga e cila nuk i përjashtojmë dot. Ndërsa, kur shohim diçka për argëtim, gjasat për ta bërë të vetën atë që ndodh, në mënyrë të pavetëdijshme, janë më të larta, sepse është ideja e lojës. Fëmijët përmes lojës mësojnë, edukohen.

 

 

 

Burimi / https://humanum.al/

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top