Marrëdhënie

May 30, 2016 | 12:50

Stefi & Endri: Rreziku i konfliktit prapa derës, por jashtë…

1Nga rrugicat e ngushta të qytetit të serenatave, ata kanë marrë me vete jo vetëm kujtimet e bukura kur këndonin me kitarë, bashkë me shokët e ngushtë, këngët e zemrës. Nga tingujt e muzikës, tek Liceu Artistik në Tiranë apo Akademia e Arteve të Bukura. Një rrugëtim i gjatë, përgjatë të cilit kanë qenë gjithmonë bashkë. Dy vëllezër, dy njerëz me interesa të përbashkëta dhe dëshirë për artin e muzikën, aq sa edhe me diversitete e probleme që duket se jo vetëm i kanë dhënë dimensionin e duhur raportit mes të dyve, por i ka bërë më të ndërgjegjshëm për bazat mbi të cilat është ndërtuar marrëdhënia mes tyre. Të qenit vëllezër, nuk do të përkthehej në dy individë identikë, apo për më tepër binjakë. Duket se ka qenë e shkruar, që në ngjizjen e tyre, se ata do të dallonin edhe me pamjen e jashtme: njëri biond, e tjetri brun. Stefi me flokë të gjatë, ndërsa Endri me flokë të shkurtër. Sa të ndryshëm në tiparet e jashtme fizike, po aq të kundërt edhe në aspektin e karakterit. Stefi është më i qetë dhe elastik në dobi të një marrëdhënieje të dobishme, ndërsa Endri, vëllaçkoja i vogël, është më çapkëni dhe “ai që merr flakë” më shpejt. “Të gjithë ne kemi kujtimet e bukura të fëmijërisë, e në ndonjë hapësirë boshe mbajmë mend edhe ato zënkat, grindjet me vëllanë apo motrën. Unë me Stefin shpesh ziheshim, sepse ai frekuentonte mbrëmje me shoqërinë dhe unë doja të më merrte me vete, të isha pjesë e grupit të tij të miqësisë. I ngjitesha pas, e tërhiqja nga bluza, por ai herë pranonte dhe herë jo… kështu që lindin problemet, ngritjet e zërit dhe ndonjë shuplakë fytyrës”, pohon Endri. Të pranosh diferencat e tjetrit, është baza për të rindërtuar një marrëdhënie të duhur. Por për vëllezërit korçarë është e rëndësishme të përcaktohet kufiri, se deri ku duhet ta tolerosh vëllanë për një veprim a sjellje të pamenduar, për një mendim të lig apo situatë që mund prekë rëndë interesat e të dy palëve. Përcaktimi i rregullave të lojës, apo fushës së veprimit, shpesh funksionon si ndihmesë për të krijuar një raport të hapur mes dy vëllezërve. Ashtu siç është e nevojshme që të kuptohet, se edhe dy njerëz të të njëjtit gjak jo gjithmonë janë të prirë të mendojnë apo të sillen njësoj. “Veset e këqija, apo ndonjëherë edhe kontradiktat serioze, mund ta kenë rrezikuar seriozisht marrëdhënien tonë vëllazërore. Para disa vitesh, kur jetonim e punonim në Greqi, Endri kaloi një periudhë të vështirë… filloi të harxhonte shumë para nëpër lojëra fati e lotari. Ishte një kapitull i vështirë, ku më dukej se atij po i rrëshqiste jeta dhe e ardhmja nga dora. Si vëllai i madh, më takonte të flisja me të, të bisedonim qetë duke shtruar në tavolinë gjithë argumentet bindëse. Edhe jam nxehur, ndoshta kam thënë edhe fjalën e fundit, por të gjitha i kam bërë me dëshirën e mirë për të mos e lejuar tim vëlla t’i jepte një kthesë të keqe jetës së tij. Të tolerosh dhe të ndihmosh vëllanë në momente kritike, është më e pakta që mund të bësh. Duke hedhur pas krahëve hatërmbetjet, ne mundëm të kemi një marrëdhënie solide, që pas kësaj ngjarje u forcua edhe më shumë”, thekson Stefi. Shpeshherë, profesioni i të kënduarit, apo përfshirja e tyre në jetën e natës ka krijuar edhe insinuata të nxitura herë nga ambienti përreth, e herë për ndonjë kokëfortësi të njërit apo tjetrit vëlla. Ka të ngjarë që abuzimi me alkoolin, qëndrimi deri në orët e para të mëngjesit në lokale nate, shpesh ka krijuar dhe momente të sikletshme, aspak të favorshme që herë-herë i kanë gjetur të papërgatitur Endrin dhe Stefin. “Mbaj mend, para disa kohësh, teksa të dy po këndonim në një pub, ku publiku ishte aq shumë i ekzaltuar nga muzika jonë, patëm një kontradiktë gjatë performancës së drejtpërdrejtë, që rrezikonte jo vetëm Endrin si individ, por edhe profesionin tonë. E ndërpremë recitalin, dolëm për t’u sqaruar jashtë në rrugë dhe mund të kishim arritur në grushte, sharje, ofendime e një Zot e di çfarë. E përmbajta veten, sepse gjykova se ishte më e mira që mund të bëja për hir të raportit vëllazëror. Mëria na zgjati pak, por jo aq sa të cenonte marrëdhënien tonë”, vijon 42-vjeçari. Në përditshmërinë e tyre preferojnë që fillimisht të jenë vëllezër, pastaj kolegë. Nuk gjykojnë se vëllazërinë e tyre mund ta përziejnë me çështje serioze në nivele profesionale, sepse shpesh mes kolegësh ekziston rivaliteti, e shohin tjetrin vëngër, njësoj sikur t’i ketë zaptuar territorin e veprimit. Për Endrin dhe Stefin, puna e përbashkët është vetëm për një produkt final: muzikë e suksesshme dhe realizim artistik. Investimi i përbashkët, që nga qyteti i Korçës e deri tek konsolidimi i figurës së tyre si dy këngëtarët aq shumë të dashur të muzikës live, ka dhënë rezultatet e dëshiruara. Një marrëdhënie që i ka rezistuar kohës, ndërsa konfliktet e mundshme gjatë jetës jo vetëm që e kanë ushqyer raportin e tyre, por i ka bërë më të përgjegjshëm për atë çka u përket të dyve, ndonëse në venat e tyre rrjedh “gjak vëllazëror”! Kjo nuk i bën aspak të ngjashëm, përkundrazi!

Psikologji Shkurt 2011

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top