Në fokus

February 10, 2021 | 8:11

Stresi i punonjësve të policisë dhe burgjeve, faktorët psiko-socialë

Përgatiti Nordana Hasa, psikologe

 

Stresi në punë është një reagim i papërshtatshëm që njerëzit shfaqin ndaj presioneve të tepruara apo kërkesave shtesë që iu paraqiten atyre. Janë dhënë përkufizime të ngjashme në lidhje me stresin në punë. Stresi në punë është rrjedhojë e perceptimit të mospërputhjes midis kërkesave të mjedisit (faktorët stresantë) dhe aftësive të individit për të përmbushur këto kërkesa. 

1

Faktorët stresantë në punë janë aspekte të mjedisit të punës, të cilët shkaktojnë reagime të papërshtatshme ndaj stresit, si dhe probleme të shëndetit fizik apo psikologjik të individëve. Stresin në punë e konsiderojnë si paaftësia për t’u përballur me presionin e punës për shkak të mospërputhjes së aftësive të individit me kërkesat dhe kushtet e punës.

Stresi në punë nuk mund të konsiderohet si një fenomen objektiv, por ka më së shumti një natyrë subjektive, e cila përfshin interpretimin aktiv të punonjësit mbi rrethanat e punës. Po kështu, edhe faktorët e mundshëm stresantë nuk mund të konsiderohen apriori si negativë, por janë diferencat në interpretimin e tyre dhe stilit të përballjes së individëve që bëjnë që disa punonjës t’i shohin ato si sfidë të cilën duhet ta zgjidhin e disa të tjerë si pengesë, e cila nuk mund të kapërcehet. 

Për rrjedhojë, stresi në punë është një gjendje ku punonjësit ndjehen të padëshiruar dhe të kërcënuar mbi të ardhmen e tyre në punë (Hendel & Horn, 2008). Gjithsesi, edhe pse mund të mos ketë një përkufizim të gjithëpranuar mbi stresin, ka një konsensus të gjerë midis studiuesve që ta konsiderojnë atë si një çrregullim midis perceptimit të kërkesave të shfaqura dhe aftësive për t’u përballur me to.

Faktorët stresantë janë ndodhi të jashtme, që kontribuojnë në zhvillimin e stresit si për shembull marrëdhënie e vështirë me kolegët apo ngarkesë e madhe e punës. Stresi konsiderohet si një reagim i brendshëm individual ndaj faktorëve stresant dhe karakterizohet nga stimulimi (reagimi i brendshëm) dhe pakënaqësia. Reagimi ndaj stresit, nga ana tjetër, konsiderohet efekti afatgjatë i stresit dhe përfshin pasoja psikologjike siç janë depresioni, ankthi apo probleme të tjera shëndetësore. Një numër jo i vogël teorish janë zhvilluar ndër vite për të shpjeguar natyrën e stresit, që zhvillohet në ambientet e punës. 

3 

Faktorët stresantë psiko-socialë

Këta faktorë mund të ndikojnë jo vetëm në mirëqenien psikologjike, por dhe atë fizike të punonjësve nëpërmjet nivelit të stresit të shkaktuar. Situatat në punë përjetohen si stresante, kur ato perceptohen se përfshijnë kërkesa të rëndësishme, që nuk përputhen me njohuritë apo aftësitë e punonjësve, apo me nevojat e tyre, si dhe kur ata nuk kanë mbështetje nga mbikëqyrësit apo kolegët , i ka ndarë faktorët stresantë psiko-socialë në katër linja siç janë: 

Mbingarkesa sasiore, 

Nënangazhimi cilësor, 

Mungesa e kontrollit në punë, 

Mungesa e mbështetjes sociale. 

Situatat të cilat lidhen me këto aspekte të punës, mund të konsiderohen si faktorë potencialisht stresndjellës. Këto janë dimensionet thelbësore të rreziqeve psiko-sociale, sepse ato orientojnë perceptimin e personit mbi nivelin e stresit në situata të ndryshme. Gjithsesi, ato mund të kombinohen në forma të ndryshme me faktorë stresantë të ndryshëm në varësi të llojit të punës, pozicionit dhe mjedisit në punë.

 

1.Kultura e organizimit dhe funksionimi i institucionit

Studime mbi perceptimin që kanë punonjësit mbi organizatën/institucionin tregojnë se ky fakt lidhet me tre aspekte të funksionimit të tij siç janë:

a)institucioni si një mjedis ku punohet;  

b)institucioni si një mjedis, ku zgjidhen probleme;

c)institucioni si një mjedis ku mund të zhvillohesh. 

Të dhënat tregojnë se nëse këto tri aspekte të punës perceptohen si të varfra nga punonjësit, atëherë ato mund të çojnë në nivele të larta të stresit. Nga ana tjetër, nëse këto aspekte në një organizatë apo institucion perceptohen si të kënaqshme, atëherë marrëdhënia midis përjetimit të stresit dhe shqetësimeve shëndetësore ka gjasë të jetë më e dobët renditi disa aspekte të aktivitetit të organizatës apo institucionit, të cilat mund të jenë të rrezikshme, siç janë përmasa dhe struktura e organizatës (një strukturë me pak nivele), procedura të vështira dhe arbitrare, si dhe çështje që lidhen me rolin e punonjësve në institucion, ndryshimet në strukturën e funksionimit janë problematike për punonjësit. Kjo për faktin se ata përjetojnë një lloj pasigurie mbi të ardhmen e institucionit dhe përshtatjen e tyre me strukturën e re e metodat e menaxhimit dhe stili i mbikëqyrjes kanë ndikim domethënës në mirëqenien e punonjësve. Kjo influencë mund të jetë pjesërisht reflektim i mënyrës së përballjes me sfidat e punës.

Një pjesë e punonjësve e përqafojnë pa shumë problem ndryshimin, ndërsa të tjerë refuzojnë t’i përshtaten strukturës së re të institucionit. Ky refuzim për të ndryshuar rrit nivelin e stresit si te punonjësit, ashtu dhe te drejtuesit e institucionit.

2

2.Paqartësia e rolit

Paqartësia e rolit ndodh kur një punonjës nuk ka informacion të mjaftueshëm mbi rolin e tij në punë. Individi nuk e di se si ai përshtatet me organizatën apo institucionin ku punon dhe është i paqartë për shpërblime të mundshme edhe pse ai/ajo punon shumë mirë. Një numër i madh ngjarjesh që lidhen kryesisht me situata të reja apo ndryshime në punë, mund të krijojnë paqartësi të rolit.

3.Konflikti i rolit

E përkufizuan atë si një mospërputhje të kërkesave të punës dhe pritshmërive të individit në përfshirjen e tij në një rol të caktuar në punë. Kahn dhe kolegët e tij sugjeruan se sa më i madh të jetë konflikti i rolit aq më e ulët është kënaqësia që individi merr në punë dhe aq më i lartë është tensioni psikologjik i lidhur me punën. Margison dhe Bui pohuan, se kur ka problem me konfliktin e rolit të punonjësve performanca në punë ulet.

4.Përgjegjësia për njerëzit e tjerë

Përgjegjësia për njerëzit e tjerë është identifikuar si një burim i mundshëm stresi në ambientin e punës. Wardell, Hyman dhe Bahnson (1964), argumentuan se përgjegjësia për njerëzit e tjerë kishte më shumë gjasë të ndikonte në zhvillimin e sëmundjeve të zemrës në krahasim me përgjegjësinë për objektet (pajisjet, makineritë). Përgjegjësia për njerëzit e tjerë është e lidhur, gjithashtu, edhe me nivele të larta të duhanpirjes, tensionit të lartë të gjakut dhe rritje të nivelit të kolesterolit. Gjithashtu, profesionet që fokusohen te përkujdesja ndaj të tjerëve, përgjegjësia për të tjerët është e lidhur me lodhjen emocionale dhe dëmtimin e marrëdhënies me pacientët ose klientët (Cox et al., 2000).

5.Zhvillimi i karrierës

Moszhvillimi i një karriere të pritur mund të jetë një burim stresi, veçanërisht te personat të cilët punojnë në institucione, të cilat e theksojnë marrëdhënien midis karrierës dhe aftësive individuale. Në lidhje me këtë aspekt të punës, janë identifikuar dy grupe kryesore, që mund të jenë burim stresi: mungesa e sigurisë në punë dhe të ndjerit i pavlefshëm; dhe paqartësia e statusit (mungesa e promovimit apo promovimi përtej mundësive, frustrimi i afrimit të përfundimit të karrierës). Këta faktorë janë të lidhur me efekte negative psikologjike dhe probleme me shëndetin.

6.Pasiguria në punë dhe pagesa e ulët

Pasiguria në punë dhe ndjesia e të qenit i pavlefshëm, mund të jenë një burim domethënës stresi apo ankthi, në mënyre të veçantë tek ato ndërmarrje, të cilat kërkojnë angazhimin e punonjësve (Green, 2015). Sora, Caballier dhe Peiro (2010) gjetën se pasiguria në punë lidhej dhe me mungesën e angazhimit të punonjësve dhe dëshirën e tyre për t’u larguar nga puna. Një tjetër faktor, i cili u gjet se ndikon në rritjen e nivelit të stresit në punë është dhe niveli i ulët i pagës. Studime më të hershme kanë argumentuar se metodat dhe afatet e pagesës mund të jenë, gjithashtu, burim stresi dhe mund të ndikojnë me nivelin e angazhimit në punë (Kasl,1992).

7.Pjesëmarrja në vendimmarrje

Niveli i aksesit në vendimmarrje është një aspekt i rëndësishëm i punës. Ai lidhet me mundësinë që kanë punonjësit të marrin vendime që lidhen me punën e tyre. Ndjesia e mungesës së kontrollit në punë që buron nga vendimmarrja e kufizuar është e lidhur në mënyrë të vazhdueshme me përjetimin e stresit, ankthit, depresionit, lodhjes nervore, uljen e vetëvlerësimit dhe rritjen e mundësisë për simptoma kardiovaskulare.

8.Marrëdhëniet ndërpersonale në punë

Performanca në punë është drejtpërdrejt e lidhur me ndërveprimin në mënyrë efektive të punonjësve me njëri – tjetrin dhe me drejtuesit e tyre. Praktika ka treguar se shumë organizata apo institucione shpesh herë kanë probleme të marrëdhënies mes njerëzve të cilat burojnë nga paaftësia e punonjësve për të krijuar raporte pozitive (Patricia, 2015). Mbështetja e ulët ndërpersonale është gjetur se lidhet me nivel të lartë ankthi, lodhjeje emocionale, tension në punë, mungesë kënaqësie në punë dhe rrezik të lartë për sëmundje kardiovaskulare (Warr, 1992). Marrëdhëniet sociale, si në ambientet e punës, ashtu dhe jashtë tyre, janë parë zakonisht si faktorë që luajnë një rol moderues në raport me stresin. Gjithashtu, efektet negative, të cilat lidhen me ekspozimin ndaj faktorëve psikologjikë rrezikues në punë përjetohen më fort kur mungon mbështetja sociale.

9.Natyra e punës

Ka disa aspekte të natyrës së punës, të cilat mund të konsiderohen si faktorë stresues siç janë, vlerësimi i ulët për punën, mungesa e angazhimit të aftësive profesionale, përsëritja e detyrave, mungesa e alternativave për të mësuar, kërkesa të larta në punë dhe kërkesa kontradiktore në punë.  

10.Ngarkesa dhe ritmi i punës

Në lidhje me këtë çështje, ekziston edhe një dallim midis ngarkesës sasiore dhe asaj cilësore në punë. Ngarkesa sasiore i referohet sasisë së punës që duhet kryer, ndërsa ngarkesa cilësore i referohet vështirësisë së detyrave që duhet të kryen. Gjithsesi, të dyja janë të lidhura me përjetimin e stresit nga punonjësit. Këto forma të ngarkesës në punë janë të pavarura nga njëra – tjetra, dhe në kohë të caktuara një punonjës mund t’i përjetojë të dyja.

11.Puna me turne

Pjesa më e madhe e literaturës në lidhje me turnet e punës i referohet turnit të natës dhe e konsideron atë si të dëmshëm për shëndetin. Turni i natës krijojnë shkëputje të ritmit cirkadian dhe të modelit të gjumit, të dhënat se ato mund të shkaktojnë probleme të tjera serioze të shëndetit janë të pamjaftueshme. Gjithsesi ai pohoi se mund të ketë lidhje midis turnit të natës dhe çrregullimeve të tretjes, si dhe midis punës me turne dhe lodhjes së punonjësve. Ai shtoi, gjithashtu, se çfarëdolloj pasojash të ekzistojnë, ato kanë më gjasë të përjetohen me shumë tek ata punonjës të cilët kanë vështirësi me përshtatjen e punës me turne ose vuajnë nga probleme të tretjes apo të gjumit.

12.Orët e zgjatura të punës

Çështja e rrezikut mbi shëndetin e punonjësve nga orët e zgjatura në punë, të cilat lidhen si me orët e zgjatura të ditës (mbi 12 orë) dhe me të punuarit për ditë me radhë mbi orarin e punës duke cenuar edhe regjimin e gjumit. Të dyja këto forma të punës së zgjatur janë të lidhura me mbilodhjen psikologjike dhe fizike të punonjësve , të punuarit përtej orarit ishte i lidhur me zhvillimin e simptomave të depresionit dhe ankthit. Gjithashtu, të dhënat treguan një korrelacion pozitiv midis këtyre simptomave dhe çrregullimeve të gjumit. Rezultatet e studimit çuan, gjithashtu, në përfundimin se orët e zgjatura të punës ndikojnë në rritjen e vulnerabilitetit të përgjithshëm shëndetësor ndaj faktorëve riskues.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top