Në fokus

September 22, 2017 | 12:21

Stresi në familjet e fëmijëve me autizëm

“Anëtarët e një familjeje të fortë duhet të kujdesen për njëri–tjetrin”, duke bërë që secili prej anëtarëve të kuptojë se, ky është rregulli kryesor në familje dhe nuk kanë frikë të shprehin dashurinë e tyre. Disa prej marrëdhënieve më shpërblyese themelohen brenda
familjes. (Stinnett & DeFrain,1985.)

untitled

Zerina Qendro, psikologe këshillimi

Zerina Qendro, psikologe këshillimi

Familjet mund të jenë burim i pafund lumturie, po aq edhe stresi. Familjet përbëjnë themelin për zhvillimin dhe  formimin e vlerave dhe besimeve të një fëmije. Prindërimi është ndër detyrat më sfiduese të jetës, por të bëhesh prindi i një fëmije autik, do të thotë të përballesh me nivele te larta stresi dhe një sërë ndryshimesh e luhatjesh në jetë. (Thompson, 2000). Mënyra se si prindërit përballen me këtë stres varet në një shkallë të gjerë nga faktorët individualë, familjarë dhe mjedisorë. Për prindërit do të thotë, humbje e shumë ëndrrave dhe pritshmërive për fëmijën e tyre, shumë zhgënjime, ndjenja faji,
mohim i realitetit, etj. (Bavin,1979) Prindërve nuk u mbetet gjë tjetër, veçse përballja me situatën.

Kjo mund të përmirësojë dhe gjendjen emocionale. (Lazarus & Folkman,1984). Studime të ndryshme kanë pohuar se, ardhja në jetë e një fëmije me çrregullim të spektrit autik, është burim stresi psikologjik dhe fizik, shoqërohet me kohëra ndryshimesh dhe stresi të
fuqishëm, shoqërohet me ndryshime në pritshmërinë e prindërve ndaj fëmijëve të tyre. Kërkohet shumë energji dhe kohë nga ana e familjarëve për të ndihmuar fëmijët, të cilët janë shumë të ndjeshëm ndaj sensorëve dhe të paaftë të tolerojnë ndërgjegjësimin e një
ndarjeje mes tyre dhe objektit të tyre të kënaqësisë. Gjithashtu,  
ardhja në jetë e një fëmije autik kërkon disa sjellje fikse nga prindërit (të paktën njëri nga prindërit duhet të jetë vazhdimisht në shtëpi). Nga ana tjetër, e rëndësishme është që prindërit e një fëmije të sëmurë, të ruajnë marrëdhëniet shoqërore që të mos marrin fund, si dhe të ndërtojnë një
sistem mbështetës. Pasja e një fëmije me çrregullim të spektrit autik krijon një ngjarje kritike, për të cilën prindërit nuk janë të përgatitur për t’u përballur.

Të gjendur në këtë situatë, ku përballë tyre shtrohen një numër i pafund nevojash dhe kërkesash, nivel i lartë stresi, i bën këta prindër të jenë më të predispozuar për të rënë në depresion. Studiuesit kanë renditur se tre faktorët më të vështirë janë: “(a) shqetësimi mbi vazhdimësinë e gjendjes; (b) pranimi i dobët i sjelljeve me autizëm nga shoqëria dhe shpesh, nga anëtarët e tjerë të familjes; dhe (c) nivelet shumë të ulëta të mbështetjes sociale të marra nga prindërit.

Prindërit e fëmijëve autikë kanë më shumë stres se prindërit e fëmijëve me Sindromën Down.(Holroyd & Mc  Arthur,1976; Donovan,1988) Vëzhgimi i niveleve të stresit dhe
eksplorimi i teknikave të përballimit të stresit në familjet e fëmijëve me çrregullim të spektrit autik, nuk mund të kalohet pa trajtuar edhe stresin e përjetuar në familje. Femrat
perceptohen si më të drejtpërdrejta se bashkëshortët në përjetimin e stresit apo në kërkimin e ndihmës nga të tjerët, për të përballuar vështirësitë që lindnin nga rritja e një fëmije autik. Pasi bashkëshortët shihen si më të tërhequr, më shmangës dhe të
distancuar në përballimin e stresit. Gjithsesi, prindërit e një fëmije me çrregullim autik përballen me shumë strese dhe pjesa më e vështirë e prindërimit të tyre është lajmi se,
“fëmija i tyre është ndryshe”. Kjo frazë shkatërron çdo ëndërr të tyre në lidhje me fëmijën, me pritshmëritë për fëmijën e tyre. Stresi është mënyra me të cilën reagojmë fizikisht, psikologjikisht dhe emocionalisht ndaj ndryshimeve të kushteve dhe mundësive të jetës. Stresi përkufizohet si një lloj shpërndarjeje mendore ose emocionale, brenge ose hidhërim si pasojë e një shtypjeje apo lodhjeje mendore. Nga ana e vet, kjo shtypje apo lodhje mendore vjen si pasojë e një ngjarjeje jashtë përvojave të përditshme që përjeton njeriu. Përshtatja me një situatë kërkon shpenzim energjie trupore dhe mendore nga ana jonë.

Njerëzit reagojnë në mënyra të ndryshme ndaj stresit. Aftësia ka të bëjë me strategjinë se si ne e kuptojmë atë, përvojat tona paraardhëse me stresin, prejardhjen gjenetike, niveli
ynë i mbështetjes sociale dhe se si e shikojmë atë. Ajo ç’ka është stresuese për një individ, mund të mos jetë stresuese për një tjetër. Stresi prek njeriun në dy forma: akute (e
menjëhershme) dhe kronike (e zgjatur). Në stresin akut, organizmi përgjigjet ndaj një rreziku të perceptuar. Trupi i njeriut reagon kimikisht, duke shtuar rrahjet e zemrës dhe frymëmarrjet çlirojnë një sasi energjie. Kjo është e njohur si përgjigje ndaj stresit. Në

stresin kronik, përgjigjja ndaj stresit varet nga ashpërsia dhe kohëzgjatja e stresit dhe mënyra se si njeriu e përballon atë. Stresi kronik ka ndikim të madh në disa sëmundje: duke përfshirë sëmundjet e zemrës, diabetin dhe astmën. Stresi gjithashtu shkakton
humbjen e vëmendjes, vështirësi në përqendrim, ankth. Ai udhëheq drejt depresionit. Stresi është pjesë e pandashme e jetës dhe mund të jetë pozitiv ose negativ. Nëse stresi nuk përballohet dot nga individi, është e nevojshme që individi të konsultohet me
një terapist ose specialist.

Për prindërit do të thotë humbje shpresash, ëndrrash, pritshmërish për fëmijën e tyre,zhgënjime madje dhe ndjenja faji e mohim të realitetit. Në bazë të studimeve, stresi për prindërit e një fëmije autik është i fuqishëm gjatë diagnostikimit dhe ndiqet nga periudha që fëmijët fillojnë shkollë (Baxter, Cummins & Polak, 1995). Tashmë prindërit duhet të shpenzojnë shumë energji dhe kohë me fëmijën e tyre. (Bavin,1979) Studimet pohojnë se të pasurit e një fëmije me autizëm ka ndikim negativ dhe në funksionimin e
martesës. Qëllimet e këtij studimi ishin, të përshkruanin funksionin psikologjik, fizik dhe kognitiv të komunikimit familjar si dhe të mbështetjes së nënave me fëmijë autik nga nëna të tjera. Nënat e fëmijëve autikë përjetojnë nivele të fuqishme stresi nga njëra
anë dhe humbje të shpresave, deri në ndjenja faji nga ana tjetër. Kanë nevojë për mbështetje sociale dhe për stabilitet familjar. Shumë studime pohojnë se, nënat e fëmijëve me autizëm përjetojnë më pak kënaqësi nga martesa dhe jeta familjare se
nënat e fëmijëve me Sindromën Down. (Montes G,Halterman J.S, 2007)

Shpesh nënat e fëmijëve autikë janë të inatosura me fëmijët e tyre, nuk janë të hapura për të vendosur marrëdhënie me të tjerët, janë dyshuese për aftësitë e tyre prindëruese. Është vënë re se burim stresi për prindërit konsiderohen edhe përballjet me të afërm, miq, doktorë e psikologë. Prindërit e shihnin këtë gjë si tejet stresuese. Ata raportonin se perceptonin mungesë të kuptuari nga miq e të afërm, qëndrime sociale negative, etj. (Montes G,Halterman J.S,2007) Në këto raste, prindërit shikonin si burim të parë mbështetës partnerin e tyre, mbështetjen te vetja ose te prindërit e tyre (mbështetje joformale). Pasja e një fëmije autik, përveçse ngre shumë detyra e përgjegjësi përpara prindërve, ka edhe shumë shpenzime. Pra, një burim tjetër stresi është arsyeja financiare:
Nevojiten programe shtëpie, përmes së cilave duhet mësuar mënyra e sjelljes, nevojiten terapi të shtrenjta. Ndodh që njëri nga prindërit duhet të largohet nga puna pasi gjendet përballë një numri të madh kërkesash dhe nevojash të fëmijës. Kështu mbetet vetëm njëri
nga prindërit në marrëdhënie pune dhe i duhet që të ardhurat e tij të mbulojnë gjithë shpenzimet e familjes. (Holroyd & McArthur,1976; Donovan,1988) Kur fëmija ka nevojë, prindi i përkushtohet totalisht, duke u përpjekur që mos t’i mungojë gjë, por fëmijët e tjerë duke parë shqetësimet e përditshme të motrës ose vëllait, si dhe duke parë që prindërit shpenzojnë orë të tëra me ta, ndihen të lënë pas dore. Kështu fillojnë të ankohen dhe të bëjnë veprime për të tërhequr vëmendjen e prindërve.
(Mitzi Waltz,2002)

 

Disa hapa përgatitore për të përballuar stresin:

• Merrni informacione rreth sëmundjes. Çfarë pritet të ndodhë e çfarë jo.
• Merrni një program me aktivitetet që mund të organizohen, të cilat ndihmojnë në
tërheqjen e vëmendjes së fëmijës, për ta përfshirë në aktivitete të ndryshme.
• Mjaft pozitive është ruajtja e marrëdhënieve shoqërore, të domosdoshme për të dalë
gjatë kohës së lirë, për të ndërruar atmosferë.
• Ndjekja e trajnimeve të ndryshme, të aftëson në zhvillimin e aftësive të duhura për t’u
kujdesur për një fëmijë autik. Gjithashtu shkëmbimi i përvojës me nëna të tjera me fëmijë
të tillë, inkurajon dhe të jep forcë.
• Zbulo mënyrat mjekësore që duhen përdorur, medikamentet që sugjerohen.
• Duhet ruajtur kohë për veten dhe anëtarët e tjerë të familjes. I rëndësishëm është
krijimi i marrëdhënieve shoqërore me prindër të cilët kanë fëmijë autikë. Kjo është një
teknikë inkurajuese.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.116

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top