Studim

December 4, 2018 | 14:48

Studim / Një filxhan kafe në ditë parandalon dëmtimin e retinës së syrit

Adhurues të kafesë, gëzohuni! Përveç përfitimeve energjetike nga kafeja, shkencëtarët e ushqimit thonë se mund të keni një tjetër përfitim shëndetësor nga një filxhan kafe në ditë: parandalimi i përkeqësimit të shikimit dhe verbimi i mundshëm nga degjenerimi i retinës për shkak të glaukomës, plakjes dhe diabetit.

Kafeja e papërpunuar, mesatarisht, ka vetëm 1% kafeinë, por ajo përmban 7 deri 9% acid klorogjenik, një antioksidant i fortë që parandalon degjenerimin e retinës, sipas një studimi nga Cornell i publikuar në Journal of Agricultural and Food Chemistry.

Retina është një shtresë e hollë e indeve në pjesën e brendshme të murit të pasmë të syrit me miliona qeliza të ndjeshme ndaj dritës dhe qeliza të tjera nervore që marrin dhe organizojnë informacionin vizual.

Është gjithashtu një nga indet më aktive nga pikëpamja metabolike, gjë që e bën të kërkojë nivele të larta të oksigjenit dhe e bën atë të prirë ndaj stresit oksidativ. Mungesa e oksigjenit dhe prodhimi i radikaleve të lira çon në dëmtimin e indeve dhe humbjen e shikimit.

Studimi është “i rëndësishëm për të kuptuar ushqimet funksionale, pra ushqimet natyrale që japin efekte të dobishme shëndetësore”, tha Chang Y. Lee, profesor i shkencave ushqimore dhe autori kryesor i studimit.

“Kafeja është pija më e popullarizuar në botë, dhe ne jemi duke kuptuar se çfarë përfitimi mund të kemi prej saj.”

Studimet e mëparshme kanë treguar se kafeja gjithashtu ul rrezikun e sëmundjeve kronike si Parkinsoni, kanceri i prostatës, diabeti, Alzheimeri dhe rëniet kognitive që lidhen me moshën.

 

Burimi / telegrafi.com

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top