Dy studime të botuara nga një revistë shëndetësore tregojnë se vetëm një filxhan kafe në ditë largon rrezikun nga vdekja me 12%.
Për adhuruesit e kafes vjen një lajm i mirë: pija e zezë zgjat jetën. Sipas dy studimeve të botuara në revistën “Annals of Internal Medicine”, ata që konsumojnë kafe në sasinë rreth 235 ml. në ditë rrezikojnë 12% më pak nga vdekja për arsye shëndetësore (shqetësime kardiake, kancer, iktus, diabet, probleme me frymëmarrjen dhe veshkat). Për ata që konsumojnë më shumë kafe, vdekshmëria është më e ulët, në vlerën 18%, krahasuar me personat që nuk e konsumojnë fare këtë pije.
Studimi i parë, i udhëhequr nga Marc Gunter, epidemiolog në “International Agency for Research on Cancer” (Agjensia Ndërkombëtare për Kërkimet mbi Kancerin), ka analizuar konsumin e kafes të 520 mijë personave, nga dhjetë shtete europiane. Studiuesit i kanë monitoruar ata për 16 vjet rradhazi dhe ka analizuar kartelat e tyre mjekësore, si dhe shkakun e vdekjes së tyre.
Studimi i dytë, i udhëhequr nga Veronica W. Setiavan nga Universiteti i Kalifornisë Jugore ka përfshirë 185 mijë persona, mes të cilëve afro-amerikanë, latino-amerikanë dhe kaukazë. Pavarësisht se kampionet referuese ishin heterogjene, rezultatet ishin të njëjta me studimin e Gunter.
Me sa duket, kafja ka përfitime të dukshme në mëlçi, në aparatin tretës dhe në përgjithësi në të gjithë organizmin. Merita e këtyre përfitimeve, nuk i jepet kafeinës, por substancave të tjera që janë të pranishme te pija e zezë. Në fakt, kafja përmban elementë të shumtë, si polifenolët, acidet klorogjenike, diterpenet, të cilat kanë cilësi antioksiduese.
Përgatiti: Manjola Ereqi
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.