FB

July 14, 2022 | 9:50

Suicidi, akti i qëllimshëm për të shkaktuar vdekjen

Disa vetëvrasje janë akte kompulsive për shkak të stresit nga vështirësitë financiare, akademike, problemet e marrëdhënieve në një lidhje etj.

Nga Valentina Telhaj, psikologe, psikoterapiste

Cilat janë shkaqet që çojnë në këtë sjellje?

Kryesisht janë çrregullimet mendore ato arsye që çojnë në vetëvrasje (depresioni, çrregullimi bipolar, çrregullimet neurologjike, skizofrenia, çrregullimet e personalitetit, çrregullimet e ankthit), çrregullimet fizike (si sindroma e lodhjes kronike) dhe çrregullimet e përdorimit të substancave (përfshirë çrregullimin e përdorimit të alkoolit dhe përdorimin dhe tërheqjen nga benzodiazepinat) janë faktorë rreziku shumë serioz. Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH), raporton se çdo 40 sekonda në botë, një person vret veten ose 3000 njerëz në ditë dhe 1 million në vit. Suicidi është një nga tre shkaqet e vdekjes për grupmoshat 15 deri 44 vjeç, që është mosha më e bukur dhe produktive për njeriun.

Vetëvrasja nuk ndodh vetëm në vendet e botës së tretë me një zhvillim ekonomik social dhe kulturor të ulët, por edhe në vendet me zhvillim të lartë dhe në të gjithë sferat e shoqërisë. Në SHBA në çdo 12.3 minuta kryhet një akt vetëvrasjeje, pothuajse 43 mijë amerikanë në vit. Po ashtu edhe në Europë dhe në vende me standarde të larta jetese si në Francë ka të paktën 20 mijë suicide në vit dhe 200 – 400 mijë tentativa. Në Belgjikë po ashtu ka më shumë vdekje nga vetëvrasja sesa nga aksidentet rrugore, në Suedi vetëvrasja është në një shkallë shumë të lartë. Vendi me vetëvrasje më të madhe në botë është ishulli i Groelandës, ku një në katër qytetarë kryejnë vetëvrasje. Edhe në Shqipëri gjatë vitit 2016 janë evidentuar 277 raste vetëvrasjesh dhe 325 raste tentativë për vrasje.

Kur shqetësimi psiko-emocional bëhet i papërballueshëm, të menduarit e një njeriu mund të bllokohen dhe mund t’i bëjë ata të ndihen sikur vdekja është e vetmja mundësi për t’i shpëtuar nga dhimbja (shpirtërore dhe fizike). Mund të ndiejnë se askush nuk mund t’i ndihmojë, gjë që mund të çojë drejt izolimit shoqëror dhe mund ta rëndojë më tej shqetësimin dhe ndjenjën e të qenit pa rrugëdalje dhe të pashpresë, më së fundi duke çuar drejt të menduarit që vetëvrasja është e vetmja mundësi. Sipas studimeve, burrat janë ata që tentativat i kanë më fatale, gratë tentojnë më shumë por nuk shkojnë në fatalitet aq sa burrat.

Kujdes! Nëse dikush tregon disa nga këto shenja paralajmëruese si më poshtë, menjëherë duhet të kërkojmë ndihmë në një nga  institucionet e shëndetit mendor si psikiatër dhe psikoterapist.

– Ata/ato mund te bëjnë kërcënime për ta lënduar ose vrarë veten.

– Shpesh kërkojnë mënyra ose mjete për ta realizuar qëllimin e vetëvrasjes.

– Flasin ose të shkruajnë rreth vdekjes, procesit të vdekjes ose vetëvrasjes.

– Mungesa e shpresës dhe të humbjes së qëllimit për të jetuar.

– Shfaqin zemërim për hakmarrje.

-Sjellje në mënyrë të pakujdesshme për veten e tyre.

– Përdorim i shtuar i alkoolit ose drogave.

– Izolim/ Largim prej miqve, familjes ose shoqërisë.

– Ndjenja të ankthit ose acarimit apo pasje të ndryshimeve dramatike të gjendjes.

-Vështirësi për të fjetur ose të fjeturit gjatë gjithë kohës.

– Ndjenja që ata janë një “peshë e tepërt” për të tjerët.

Sigurisht që jo çdokush që përpiqet të kryejë vetëvrasje, i lejon të tjerët ta kuptojnë se ç’ka ndërmend të bëjë, por studimet kanë treguar se shumica e tyre shfaqin këto shenja paralajmëruese si këto të sipërpërmendura. Prandaj të gjithë ne duhet që të shfaqim vigjilencë dhe t’i marrim seriozisht këto shenja në mënyrë që të parandalojmë këto tragjedi fatale për jetën.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top