Çdo qenie njerëzore është e veçantë dhe mbart me vete një forcë të jashtëzakonshme për të realizuar çdo dëshirë. Por, ndonjëherë kjo është kaq e pamundur, dhe pikërisht kjo pamundësi ofron energjinë e mos realizimit të qëllimeve. Ndoshta është edhe faji i shoqërisë sonë për këtë. Ndoshta ju jeni rritur në një ambient ku dhe një njeri është i parëndësishëm e jo më ëndrrat dhe dëshirat, që duken krejt të parealizueshme.
Melisa Shehu, psikologe këshillimi
Por, e vërteta nuk është kështu. Secili individ në mënyrën e tij të vogël mund të bëjë një ndryshim të madh dhe mund të sjellë ndryshime të mrekullueshme në të gjithë botën. Gjithçka që duhet të bëni është të gjeni forcë, të mos reshtni kurrë, dhe të besoni fort në vete dhe në aftësitë tuaja. Ju e keni talentin tuaj, keni lindur me të por rezultati i asaj që do merrni nga talenti është angazhimi juaj i vazhdueshëm në punë, kohë dhe trajnim. Pasi talenti juaj natyral nuk është i mjaftueshëm, dhe në momentin më të mirë për ju mund të ju braktisë nëse ndërkohë nuk keni punuar me të me vullnet dhe pasion. Sekreti për të arritur qëllime të mëdha në jetë është përkushtimi i kohës duke thelluar talentin dhe stërvitur aftësitë. Vetëm me përpjekje dhe shumë ushtrim do të jeni në gjendje të shprehni të gjithë potencialin tuaj.
Ligji i tërheqjes
Përqendrimi në atë që ju nuk mund ta kontrolloni e heq energjinë dhe vëmendjen nga ato që mund të kontrolloni. Përqendrimi në atë që ju nuk mund të kontrolloni ju bën më pak efektiv. Gjithë këtë kohë dhe energji mund ta përdorni për të bërë më të mirën tuaj në rezultatin e gjërave që mund të kontrolloni. Ndonjëherë ju mund të mendoni se qëllimet tuaja janë të paarritshme dhe prandaj përqendroheni në idenë se nuk mund ta bëni. Sekreti është të përqendroheni në aftësitë tuaja, dhe pritshmëritë tuaja të lidhen me atë që ju mund të arrini dhe kontrolloni. Por përpiquni të mos vendosni qëllime shumë të lehta, për të arritur ëndrrat tuaja ju duhet të vendosni qëllime që kërkojnë shumë punë, nuk mund të përmirësoheni kurrë nëse qëllimet tuaja janë të lehta.
Kur zgjidhni një qëllim ose kur vizualizoni një dëshirë, përpiquni gjithashtu të vetë reflektoni, të jeni të disiplinuar për të vazhduar përpara, edhe kur ndjeheni të pasigurt dhe kur keni dështuar. Vetëm nëpërmjet disiplinës mund të mësoni të ecni përpara pavarësisht gjërave që nuk mund të kontrollohen apo arrihen dhe fokusi ndihmon të jeni më të suksesshëm.
Një qëllim i madh arrihet me suksese të vogla, dhe në këtë fazë duhet të filloni të besoni vërtet në realizimin e ëndrrës tuaj. Jini i pari që bindni veten se ai qëllim është i arritshëm. Ju duhet vetëm një qëllim mbi të cilin të përqendroni të gjithë energjinë tuaj. Kur të arrini ta bëni këtë, do të arrini gjithashtu të mos i kushtoni shumë vëmendje rezultatit. Procesi i gjithë punës tuaj për të arritur diçka do të jetë i mjaftueshëm për t’ju bërë të rriteni dhe të bëni të ndiheni një person më i suksesshëm dhe më i plotësuar.
Kur ndiqni një ëndërr filloni të kapërceni frikën tuaj, kini guxim dhe vetëbesim. Vetëbesimi është një gjendje e mendjes që urdhëron gjithë qenien tuaj për të luftuar dhe arritur sukses. Formula e vetëbesimit gjendet brenda teje, mjafton të marrësh një vendim.
Mendimet tuaja gradualisht do të bëhen realitet, universi është gjithmonë duke dëgjuar dhe duke u kushtuar vëmendje mendimeve tuaja. Kjo përzierje veprimi dhe fokusi do të jetë baza për të gjitha qëllimet tuaja dhe do të bëjë që realiteti rreth jush të ndryshojë derisa të realizohet. Me kalimin e kohës ju do të përmirësoni aftësitë tuaja duke ruajtur talentin tuaj, ndërsa universi do të bëjë ëndrrat tuaja të vërteta.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.