nga Dr. Giulia Radi, Psikologe, Psikoterapiste
Krishtlindjet janë, më shumë se çdo festë tjetër, pasqyra e kontradiktave të shoqërisë sonë: një përzierje dritash, kujtimesh, konsumizmi dhe pritshmërish.

Në teori është koha e paqes dhe dashurisë, por në praktikë shpesh shndërrohet në një garë për dhurata, pjekje, “selfie” pranë pemës dhe buzëqeshje të detyruara. Në këtë skenë të ndritshme, pak kush pranon se Krishtlindjet mund të jenë edhe të vështira. Rikthimi në familje sjell emocione të forta: gëzim, mall, por edhe tensione të vjetra, boshllëqe, mungesa që dritat e qytetit nuk i fshehin dot. Megjithatë, shoqëria na shtyn të jemi të lumtur me çdo kusht, si të ekzistonte një manual i detyrueshëm për ndjenjat e festës.
Ndoshta prandaj figura e Grinch-it na prek kaq shumë. Ai përbindëshi jeshil që “urreu Krishtlindjet” në fakt përfaqëson pjesën tonë të lodhur nga detyrimi për të qenë mirë, të mërzitur nga fasadat, të plagosur nga mungesat. Grinchi nuk është i keq, është i lënduar. Dhe vetëm kur kupton se gëzimi nuk vjen nga dhuratat apo zbukurimet, por nga lidhjet e sinqerta, ai arrin të ndryshojë.
E vërteta është se të gjithë kemi një Grinch të vogël brenda vetes. Disa vite nuk kemi dëshirë të festojmë, disa darka ndihen të zbrazëta, disa kujtime dhe dhimbje rikthehen më fort. Dhe kjo është njerëzore. Nuk ka asgjë të gabuar të mos ndihesh “në frymën e Krishtlindjeve”. Ndonjëherë duhet ta lejosh veten të qëndrojë në “dimrin” e vet emocional përpara se të rikthehet drita.
Në fund të fundit, Krishtlindjet nuk janë një provim për dashurinë apo lumturinë tonë. Janë një mundësi për pushim, reflektim dhe mirësi të qetë, pa zhurmë, pa detyrim. Nëse arrijmë ta shohim kështu, atëherë festa e dritës që nuk shuhet, “dielli i pamposhtur”, mund të ndodhë çdo ditë, sa herë zgjedhim të mos dorëzohemi përballë errësirës.
Krishtlindjet nuk janë dritat që shohim jashtë, por guximi që ndizet brenda nesh, edhe kur bota përreth është ftohtë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

