FB

July 25, 2022 | 9:01

Të dhënat nga neuroshkenca rreth fiziologjisë së trurit gjatë përdhunimit seksual

Fatkeqësisht dhunimet seksuale që ushtrohen ndaj fëmijeve, adoleshentëve, e po ashtu edhe ndaj të rriturve janë të shpeshta në gjithë vendet e botës. Në të shumtën e rasteve viktimat e dhunuara nuk kanë guxim ta lajmërojnë dhunesin në organet e drejtësisë, sepse ato/ata ndihen të turpëruar/a nga rrethi ose janë të kërcënuar/a nga dhunuesit.

Nga Prof. Dr. Fadil Çitaku, PhD, MME (Uni Bern) është profesor i Lidershipit dhe Inteligjencës Emocionale për programet Doktoratë, PhD, MSc. dhe MAS; Themelues dhe Drejtor Ekzekutiv i Akademisë së Shkencave të Lidershipit në Zvicër;

Fatkeqësisht shumë nga gjyshet, nënat, gratë dhe motrat tona kanë përjetuar dhunë seksuale nga paramilitarët e shtetit fashist serb gjatë luftës së Kosovës dhe fare pak është bërë që kriminelët serb të dalin përpara drejtësisë. Po ashtu, dhunimi seksual, edhe pse i mbajtur si temë tabu në trevat shqiptare vazhdon të ndodhë. Ky fenomen anti-njerëzor, viktimës dhe familjes së viktimës i kushton shumë stres, i cili sipas zbulimeve të reja shkencore nga gjenetika, mund të përcillet edhe në gjenet e pasardhëse. Duke u bazuar në faktet se policia dhe juristët nuk janë të trajnuar për të pasur njohuri se si vepron fiziologjia e trurit të viktimës në situata të dhunës seksuale, fatkeqësisht të lartpërmendurit shpeshherë “në mungesë të fakteve” vendosin kundër viktimës, duke i dhënë të drejtë dhunuesit. Ky shkrim, i bazuar në të dhënat më të reja shkencore ka për qëllim të hedhë dritë se si reagon truri i viktimës gjatë përdhunimit seksual dhe përse viktimat nuk janë në gjendje që t’i përshkruajnë detajet e dhunimit, të cilat janë të rëndësishme për policinë dhe gjyqsorin për të marrë vendime.

Kur dikush përjeton një ngjarje traumatike ose përjeton një frikë ekstreme, kimia e trurit ndryshohet dhe truri fillon të funksionojë ndryshe – kjo quhet “Qarku i Frikës” dhe është një mekanizëm mbrojtës, të cilin të gjithë e kemi brenda nesh. Neurobiologjia e traumës – në thelb efektet e traumës në tru – është e rëndësishme të kuptohet sepse ndihmon në mënjanimin e keqkuptimeve të zakonshme dhe fajësimin e viktimave për dhunën me bazë gjinore dhe ndihmon të mbijetuarit të kuptojnë përvojën e tyre dhe pasojat në një mënyrë të re.

Të kuptuarit se si ndikon trauma në tru ndihmon për të mënjanuar keqkuptimet e zakonshme dhe deklaratat fajtore të viktimave në lidhje me dhunën seksuale.

Si reagon truri i viktimës gjatë përdhunimit seksual?

Korteksi prefrontal i trurit

Korteksi prefrontal është pjesa vendimmarrëse e trurit, është pjesa përgjegjëse e trurit për të menduarit racional, planifikimin e përgjigjeve efektive, duke kujtuar informacione të rëndësishme, etj. (Arnsten, 2015). Kërkimet shkencore të Arnsten (2015) dëshmuan se ekspozimi ndaj stresit akut, të pakontrollueshëm, rrit çlirimin e katekolaminës në korteksin prefrontal, duke zvogëluar ndezjen e neuroneve dhe duke dëmtuar aftësitë njohëse. Nivelet e larta të katekolaminave forcojnë lëvoret kryesore shqisore dhe amigdalën (pjesën e trurit që prodhon shumë frikë) duke lëvizur me shpejtësi trurin nga kontrolli reflektues në atë refleksiv të sjelljes. Këto mekanizma rriten nga ekspozimi i stresit, ku ndryshimet arkitektonike çojnë në humbje të vazhdueshme të funksionit të korteksit prefrontal.

Kur një person është duke përjetuar një ngjarje traumatike ose një frikë ekstreme, “Qarku i Frikës” i tyre mund të fillojë dhe korteksi paraballor (prefrontal i trurit) fillon të funksionojë më pak në mënyrë efektive. Kjo do të thotë që në mes të traumave, një person mund të mos jetë në gjendje të mendojë për situatën dhe të marrë vendime siç është p.sh. thirrja për ndihmë.

Nuk është çështje zgjedhjeje – truri i tyre është në modalitetin e mbijetesës dhe qarqet e frikës anashkalojnë tërësisht korteksin prefrontal të trurit (lëvoren e trurit paraballore). Shumë njerëz janë të njohur me konceptin e “luftës ose ikjes”, por studimet më të reja nga neuroshkenca tregojnë se ekziston një përgjigje e tretë e quajtur “ngrirja”. Ngrirja është reagimi më i zakonshëm ndaj traumës ose frikës, në vend që personi të luftojë ose të largohet ajo/ai, ngrin. Përveç ngrirjes, disa të mbijetuar mund të përjetojnë reflekse ekstreme të mbijetesës palëvizshmëri atonike ose alivanosje (e humbin vetëdijen).

Të çalosh, të ndjehesh “i përgjumur” ose të jesh jashtë, ose të jesh plotësisht i paaftë të lëvizësh ose të flasësh, janë mekanizma mbijetese të lidhura fort në trurin tonë – madje edhe grabitqarët më të fortë, si peshkaqenët reagojnë kështu në situata të tejstresuara. Ky fenomen nuk është një shenjë e dobësisë, as nuk është një zgjedhje që personi e bën në situata të tilla (Arnsten, 2015).

Shkëputja

Të mbijetuarit gjithashtu mund të përjetojnë një “shkëputje”, e cila është një refleks mbijetese ku dikush mund të ndihet i shkëputur nga trupi i tyre ose mund të kalojë në modalitetin “auto-pilot”. (Hopper, 2017).  Në modalitetin auto-pilot, një person nuk mund ta përdorë lëvoren e tij paraballore të trurit (korteksin prefrontal) për të marrë vendime, por përkundrazi mbështetet në mënyrat e zakonshme të qenies. Përgjigjet zakonore janë të rrënjosura në socializim – për shembull, gratë shoqërohen për të qenë të sjellshme dhe të këndshme, për të “shpëtuar fytyrën” ose për t’u qetësuar. (Hopper, 2017).  Kjo do të thotë që gjatë një sulmi, një person mund të përfshihet në veprime seksuale, të thotë gjëra të sjellshme, madje edhe të buzëqeshë, por ajo/ai nuk është dakord; ajo/ai në të vërtetë po përjeton frikë ekstreme dhe truri i saj/tij operon në auto-pilot si një mekanizëm mbijetese.

Kujtimet

Bazuar në të dhënat nga neuroshkenca (Schwabe, 2017; Hopper, 2017) kujtimet kodifikohen ndryshe gjatë një ngjarje traumatike. Truri nuk kodifikon kujtimet në rend kronologjik, ka boshllëqe në kujtesë (memorje). Vëmendja e përqendruar në tru gjatë sulmit ka më shumë të ngjarë të kodifikohet në kujtesë sesa detajet e periferisë. Për shembull, një e/i mbijetuar mund të ketë një kujtesë shumë të qartë të erës së parfumit të autorit të veprës, por nuk ka ndonjë kujtesë se si dukej dhoma ku është kryer krimi seksual. Informacioni kontekstual (p.sh., dizajni i dhomës) dhe informacioni ‐ renditja e kohës (p.sh., rendi në të cilin kanë ndodhur veprimet seksuale) shpesh janë të koduara keq. Përsëri, kjo nuk është një zgjedhje e vetëdijshme që një e/i mbijetuar po bën për atë që të përqendrohet ose të kujtojë gjatë një sulmi; është një ndikim i zakonshëm në tru kur fillon përgjigjja e mbijetesës së “qarkut të frikës” (Hopper, 2017). Të gjitha këto bazohen në procese normale të trurit që ndodhin jashtëzakonisht shpesh në situata stresuese dhe traumatike. Këto mund t’u ndodhin oficerëve të policisë, ushtarëve – kushdo që sulmohet ose ka frikë për jetën e tyre.

Konkludim

Njohuritë e përshkruara më lart mund të ndihmojnë në radhë të parë viktimën e përdhunimit seksual, që mos ta akuzojë veten p.sh. “përse nuk kam ikur”, “përse nuk kam luftuar”, “përse nuk kam thirrur për ndihmë” etj. Të njëjtat informata të përshkruara në këtë artikull mund t’i ndihmojnë familjarët e viktimës që të kenë empati ndaj viktimës dhe ta kuptojnë se ajo/ai nuk ka mundur të bëjë asgjë për ta mbrojtur veten nga dhunuesi. Këto infomata veçanërisht do duhej t’i shërbenin policisë dhe juristëve, që ta pranojnë faktin se viktima për shkak të proceseve fiziologjike të trurit gjatë stresit të përdhunimit seksual, nuk është në gjendje t’i përshkruajë detajet e dhunuesit.  Është një përgjegjësi sociale e çdo qenie njerëzore të jetë aktiv në parandalimin e dhunës seksuale ndaj fëmijeve, e po ashtu ndaj të rriturve.

Shoqëria dhe ligji duhet të kenë zero tolerancë ndaj kriminelëve që ushtrojnë dhunë seksuale.

Familja, shoqëria, shkollat, shtetet duhet t’ua mësojnë sa më herët fëmijëve principet e inteligjencës emocionale, empatinë, etikën njerëzore, moralin, komunikimin, dëgjimin aktiv dhe kompetenca të tjera, që përcaktojnë civilizimin e një shoqërie, përndryshe edhe në të ardhmen do kemi kriminel e përdhunues seksualë.

Po ashtu prindërit edhe shkolla duhet t’u mësojnë fëmijëve sa më herët edukatën seksuale. Parandalimi i dhunës seksuale është një fenomen multidimesional dhe multiprofesional.

Nëse së bashku punojmë dhe investojmë sot në parandalim, nesër do kemi më pak kriminelë të dhunës seksuale.

 

 

Referencat:

  1. Arnsten, A. F. T. (2015). Stress weakens prefrontal networks: molecular insults to higher cognition. Nature Neuroscience, 18, 1376‐1385.
  2. Hopper, J. (2017). Sexual Assault & the Brain. https://www.jimhopper.com/topics/sexual-assault-and-the-brain/ (18.7.2021).
  3. Schwabe, L. (2017). Memory under stress: From single systems to network changes. European Journal of Neuroscience, 45, 478‐489.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top