FB

July 25, 2022 | 9:15

Nga Edmond TUPJA / Ne dhe të tjerët

Po të kemi parasysh situatën aktuale në botë, mund të pohojmë se, për shkak të ngrohjes globale të planetit Tokë, njerëzimi po përballet sa vjen e më shpesh me fatkeqësi natyrore të pamëshirshme si tërmetet shkatërrimtare, përmbytjet e frikshme, zjarret masive, sëmundjet dhe epidemitë e llojeve nga më të ndryshme, për të cilat, ai, pra vetë njerëzimi, është pjesërisht përgjegjës, sepse, prej disa shekujsh tashmë, ai po e ndot rëndë vendbanimin e tij, nga i cili e ka të pamundur të largohet; përveç këtyre, rritja galopante e numrit të banorëve të planetit tonë dhe vazhdimësia e konfliktet të armatosura, diskriminimi e varfërimi i pareshtur i një numri të konsiderueshëm shtresash shoqërore nxjerrin gjithashtu në pah faktin se e Keqja duket sikur po ngadhënjen mbi të Mirën.

Në këtë kuadër, nuk mund të mos vëmë re se edhe në hallkat më themelore të shoqërisë, si familja, farefisi, rrethi i miqve dhe ai i kolegëve, janë të pranishme e Mira dhe e Keqja. Lidhur me këto marrëdhënie midis njerëzve, filozofi e shkrimtari francez Jean-Paul Sartre konstatonte se “Ferri janë të tjerët”, parullë kjo e famshme, sidomos në mjediset intelektuale dhe artistike, ku egoja e ka më të lehtë ta shtyjë individin drejt shtegut të energjive negative. Janë pikërisht këto energji që i acarojnë marrëdhëniet midis njerëzve, shpesh të të njëjtit profesion, sidomos në lëmin e politikës, ku, siç e dëshmon realiteti edhe në shoqërinë shqiptare, njerëzit arrijnë t’i urojnë kolegut të keqen, madje edhe më të keqen e të këqijave!

Mjerisht, kjo dukuri tejet negative po karakterizon edhe marrëdhëniet në gjirin e familjes; kështu, sot thuajse nuk habitemi më kur mësojmë se burri me gruan, vëllai me vëllanë, babai me djalin, gjyshi me nipin etj., etj. konfliktohen, veçanërisht kur bëhet fjalë për para apo për prona, deri në rrahje apo edhe në vrasje, qoftë kjo e mbetur, siç thuhet, “në tentativë”! Problemi më serioz në këtë drejtim është se po krijohet një edukatë ose, e thënë më saktë, një kulturë e dhunës jo vetëm në familje, por edhe në farefis, çka tashmë ka nisur të lërë gjurmë të rrezikshme te mendësia e brezave të rinj, pra jo vetëm në shtëpi, por edhe në rrugë, në shkolla e mjedise të tjera me të reja e të rinj.Nga ana tjetër, kjo kulturë e dhunës rrezikon që ne, shqiptarët, si gjithë popujt e pellgut të Mesdheut, që vijmë nga shoqëri patriarkale ose që sapo kemi dalë, ndonëse ende pa u shkëputur psikologjikisht, nga zgjedha diktatoriale, pra kjo kulturë e dhunës rrezikon të na mbajë peng ende për shumë dekada, sepse nuk e kemi kuptuar vërtet që energjitë negative kanë një efekt bumerang të pashmangshëm: Kush i uron të keqen dikujt tjetër, një ditë, qoftë edhe të largët, do të paguajë edhe thjesht sepse, me mendje, pra pa ndonjë veprim konkret, i ka uruar atij diçka të keqe. “Pse kështu?” – mund të pyesë lexuesja apo lexuesi i këtyre radhëve. Sepse ekziston një ligj universal, ligji i kompensimit, sipas të cilit energjitë negative ndjellin energji po aq negative, veçse me kahje të ndryshme, po aq sa energjitë pozitive ndjellin energji pozitive; rrjedhimisht nuk duhet të sillemi me tjetrin ashtu siç nuk duam që ai të sillet me ne! Në këtë pikë, pra, për të shmangur të keqen, duhet dialoguar, ky na duket të jetë hapi i parë, ndoshta më i rëndësishmi, i rivendosjes së një marrëdhënieje të re, të bazuar tek energjitë pozitive, sepse disa njerëz mund të jenë Ferri për dikë, por, siç e dëshmon vetë jeta, anipse jo aq shpesh, disa të tjerë për atë mund të jenë Parajsa!

 

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 171

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top