Para së gjithash, nuk duhet të mendoni se dashuria duhet të jetë e pakushtëzuar. Si të gjitha ndjenjat dhe sfidat, edhe të qëndruarit në çift duhet të ketë kufij të qartë, që duhet të respektohen nga të dyja palët. Rreziku i një sjelljeje të ndryshme ju çon në përjetimin e një dashurie të pakorresponduar e madje ju bën të ndiheni keq.
Dashuritë e pakorresponduara karakterizohen nga idealizimi obsesiv i tjetrit. Vetëm që të mbani fort me çdo kusht partnerin, hidhni pas krahëve çdo gjë: tradhtinë, ftohtësinë, sjelljet egoiste dhe mungesën e dashurisë, ose në raste më të këqija edhe mungesë respekti. Paradoksalisht, njëri nga partnerët mundohet të ofrohet sa më shumë të jetë e mundur, pa marrë në konsideratë çmimin që duhet të paguajë.
GJENEZA E NJË DASHURIE TË SËMURË
Si lind kjo kokëfortësi për të kërkuar me çdo kusht të fitojmë një person që përvidhet dhe që na bën të ndihemi vetëm dhe të padashur? Përse dëshirojmë një person që nuk na dashuron, ndërkohë që partnerët më disponibël dhe të përshtatshëm i largojnë dhe i konsiderojmë jo interesantë dhe aspak joshës? Siç thoshte Friedrich Nietzsche, “ekziston gjithmonë një lloj marrëzie në dashuri. Por ekziston gjithmonë edhe ndonjë arsye në çmenduri”, prandaj një sjellje që nuk arrijmë ta kuptojmë me sytë e normalitetit, mund të ketë një kuptim që as ai që e ka nuk e dallon.
Ajo që është e sigurt është se gjërat nuk ndodhin papritmas “nga mbrëmja në mëngjes”. Arsyet janë shumë komplekse, ndaj më poshtë lexoni shpjegimet e mundshme të kësaj sjelljeje.
- Duke u përpjekur që të keni dashurinë e një njeriu të ftohtë, luftoni një betejë me rëndësi të madhe për vetëbesimin, një betejë që nuk doni ta humbisni në asnjë mënyrë.
- Duke e kuptuar se është i paarritshëm për ju, ndodh që brenda vetes të ndizet një lloj sfide që nuk ka të bëjë fare me atë, por më shumë me ju. Kërkoni më kot të rikuperoni kreditet e vjetra që nuk i keni nxjerrë akoma, por e bëni vetëm për të plotësuar mungesat tuaja.
- Jeni të tërhequr nga e paarritshmja: kjo sjellje nuk ka asgjë të përbashkët me dëshirën për të pasur një histori dashurie.
Nëse ajo që keni përjetuar është mungesa e dashurisë, do të keni tendencën të zgjidhni njerëz që nuk ju duan, të cilët nuk mund t’ju japin atë që dëshironi kaq shumë. Sepse në fund të fundit, është ajo që njihni dhe me të cilën jeni mësuar dhe nuk dini se si ta bëni tjetrin t’ju dojë dhe se si të mbijetoni në një lidhje të vërtetë dashurie. Në këtë mënyrë vazhdoni të përsërisni të njëjtën mungesë.
Zakonisht, kush kapet fort pas marrëdhënieve të pakënaqshme ka një vetëvlerësim të ulët. Refuzimi, në mënyrë të paevitueshme, çon në një varësi afektive, e cila shpjegohet si një përgjigje e zhgënjimit, si reagimi i një sjelljeje që nuk e pranon si të vërtetë. Praktikisht, varësia afektive forcohet edhe më shumë nga refuzimi. Kërkimet psikologjike kanë nxjerrë në pah se kush ka tendencën të përfshihet nga marrëdhëniet e vështira, ka pasur një figurë prindërore jo shumë të pranishme dhe të ftohtë, të paaftë për të dhuruar dashuri në mënyrë të pakushtëzuar.
Një tjetër aspekt që nuk duhet nënvlerësuar, është se dashuritë e pakorrespenduara vijnë me më shumë thjeshtësi në momentet e brishtësisë më të madhe personale: pas një periudhe të gjatë vetmie ose pas një ndarjeje apo dështimi sentimental. Në këto raste, personi bëhet edhe më këmbëngulës për të arritur synimin, duke rënë pre e sjelljes tipike “kësaj here duhet të funksionojë me çdo kusht”. Edhe nëse nuk janë kushtet, lidhja e re duhet të kompensojë dështimin e mëparshëm. Sa më shumë kohë dhe energji investohen në tentativën e kotë që t’ju dashurojë dikush që është i paaftë të dhurojë dashuri të madhe, aq më shumë bëhet e vështirë dhe e dhimbshme që të ktheheni pas.
DASHURITË E PALUMTURA: SI T’I KALOJMË?
Të dilni nga një dashuri me sens unik dhe të rimerrni frerët e jetës tuaj nuk është e pamundur! Nëse është një gjendje unike mund të ndodhë që për të dalë prej saj duhet të fillojmë nga vetja dhe më pas të rindërtojmë jetën tonë. Rifilloni të jetoni dhe kultivoni individualitetin tuaj, nevojat, marrëdhëniet dhe interesat tuaja. Rifilloni të shihni veten si një person i veçantë me gjithçka që pason më pas. Duke u përpjekur të mos mbylleni dhe duke përdorur të gjitha burimet individuale që keni në dispozicion. E gjitha kjo pak nga pak do t’ju bëjë të pranoni situatën dhe ta hidhni atë pas krahëve.
Vetëm duke punuar mbi vlerat tuaja të vërteta dhe mbi identitetin personal, do të jetë e mundur që të ndërtoni marrëdhënie të veçanta, të karakterizuara nga një dashuri e shëndetshme. Dashuri e shëndetshme do të thotë të ndiheni të sigurt në lidhjen tuaj, në një ambient ndërpersonal ku mbizotëron pranimi reciprok mes dy partnerëve.
Jeta është e mrekullueshme dhe ekzistojnë shumë mënyra për t’i investuar sa më mirë energjitë tuaja. Nëse dikush nuk ju do në jetën e tij, thjesht nuk ka arsye të vlefshme për të dëshiruar të bëjë pjesë në jetën tuaj. Të vazhdoni të pranoni thërrimet, kur mund të shijoni të gjithë copën e tortës, nuk bën gjë tjetër veçse ju heq vlerat dhe ju dëmton rëndë vetëbesimin.
Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 163
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.