Në fokus

October 28, 2015 | 9:34

Të gjitha femrat janë “të bukura”!

fleuraNga:Fleura Shkëmbi

Dua ta nis këtë shkrim me shprehjen: Të gjitha femrat janë të bukura sepse kanë brenda vetes instinktin e nënës, kanë dhuratën më të bukur të natyrës që të përjetojnë brenda tyre rritjen e një krijese të re të lidhur me shpirtin e tyre. Këtë mrekulli natyra ia ka dhuruar femrës!

Lexojmë përditë se si duhet të vishemi, si të vendosim make up, si të tërheqim meshkujt, por askush nuk na mëson në media se si të jemi të bukura brenda shpirtit. Në ditët e sotme paska rëndësi vetëm aparenca? Duhet të jesh e gjatë, elegante, me taka të larta dhe kështu ti takohesh me një mashkull të denjë që të martohesh.

E nëse je elegante dhe e fortë në karakter, atëherë ti detyrimisht, nuk je e zgjuar, sepse “Zoti nuk ti jep të gjitha”. Femrat e bukura janë vetëm për të “tërhequr meshkujt” por nëse je e tillë dhe nuk flirton, del nga skemat e njerëzve dhe pastaj ti mënjanohesh dhe etiketohesh ndryshe, shikohesh si diçka e paarritshme dhe e frikshme.

 

♦Së fundmi kam paciente një vajzë 25 vjeçe, të shkolluar, shumë e aftë në punë, e rritur në një familje ku prindërit janë akoma të dashuruar me njëri-tjetrin dhe mbi të gjitha kjo vajzë është e gjatë, elegante dhe simpatike. Menjëherë lind pyetja se kur i ka të gjitha këto, përse vjen në terapi? Po vajza ka shpirt të bukur dhe vlera morale; problemi qëndron në marrëdhënie me meshkujt. Herën e fundit duke zbritur më pyeti: A mendon ti Fleura se do mund të gjej unë dikë që të krijoj familje? Ishte një pyetje shumë e sinqertë dhe e bukur. Dëshirë për të krijuar familje në moshën 25 vjeçe është për t’u vlerësuar. Kjo vajzë i ka të gjitha por nuk ka dashurinë (jam e sigurt që do tërheqë  njeriun i cili do dijë ta vlerësoj). Meshkujt me të cilët ka patur marrëdhënie akoma e telefonojnë dhe e vlerësojnë, por gjithsesi, ajo   ka qenë shumë për “ata”, ndërsa “ai’ i radhës, nuk di ta vlerësojë  mjaftueshëm. Kjo histori iu përsërit…

♦Një tjetër femër, adoleshente, ka shtuar peshë sepse e ëma e vet vazhdon çdo ditë t’i thotë se i janë “trashur bythët”, nuk di të vishet si femër, nuk ka sharm, nuk ka stil…, e fjalori vazhdon. Ajo është një adoleshente e mrekullueshme e cila ka qëllimet e veta, di të ndiej, do të luftojë për njerëzimin, e mbi gjithçka lufton për të drejtat e “të pambrojturve”. Ajo po e lufton paragjykimin në mënyrën jo të drejtë duke u shëndoshur, për t’i treguar nënës së vet dhe njerëzimit se “unë kështu dua të jem”. Lufton me imazhin perfekt që ka vendosur media duke i çuar deri në anoreksi dhe vdekje.

Kur më pyesin se cilat janë problematikat kryesore të pacienteve femra, them se janë dhimbjet e shpirtit, pasionet për dashuri, frika nga të qenit vetëm, pa dikë që t’i dojë dhe të kujdeset për ato.

Mos ta nxijmë kaq shumë, sepse të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se njerëzit atraktivë kanë shanse me të mira se të tjerët kudo që të jenë. Studimet kanë treguar se bebet me të bukura mbahen më shumë në krahë dhe përkëdhelen më shumë nga edukatoret. Vajzat e bukura shihen si më të mira dhe nuk “bëjnë keq”, por nga ana tjetër nuk janë të afta për profesionalizëm. Çfarë duhet të bëjë një femër atraktive, ta përdori apo jo sharmin e vet? Nëse po paragjykohet se vetëm kështu i  arrin gjërat në jetë, nëse nuk i kushton rëndësi pamjes seksuale, quhet jo e bukur. Paragjykimet dhe xhelozitë do vazhdojnë në mënyra nga më të ndryshmet, por nga studimet ka dalë se meshkujt i duan dhe i pëlqejnë femrat e tyre kur kanë vënë pak shëndet pas lindjes, sepse aty besoj se kuptojnë më shumë si asnjëherë tjetër vlerën e të qenit femër, se kjo femër tani është jo vetëm gruaja/partnerja e tyre por  edhe nëna e fëmijës së tyre. Të qenit femër është dhuratë dhe ky është fakt! Mbi të gjitha shpirti të bën të bukur, shpirti të bën atraktive, një femër që di të japi dashuri, përkujdesje, vëmendje, është dhe ngelet femra më e bukur deri në momentet e fundit të kësaj jete. Një femër me karmën e pastër rrezaton mirësi, bukuri, forcë, konfidencë të cilës pak njerëz mund t’i rezistojnë. Energjia e pastër është edhe më e fortë, kështu që meshkuj kujdes nga femra të tilla, që kanë shpirtin e bukur se do bini preh e potencialit të tyre në cilatdo pozicione qofshi: menaxher, drejtor, dekan, bashkëshort, i dashur apo partner.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top