Psikofakt

October 28, 2015 | 10:00

Perfeksionistët

MondiNga Edmond Tupja

Perfeksionistët nuk janë kurrë të kënaqur, madje edhe lumturinë vështirë se e njohin apo e përjetojnë si ndjenjë. Sepse janë vazhdimisht në kërkim marramendës të përsosurisë. Me një këmbëngulje gati mbinjerëzore. Thuajse me fanatizëm. Ata janë artistë ose estetë në çdo gjë: në punë, shtëpi e shoqëri. Aq sa, në fjalorin “Le Petit Robert” të gjuhës frënge, gjejmë këtë përkufizim: “Personne qui recherche la perfection dans ce qu’elle fait, qui fignole (à l’excès) son travail”, d.m.th. “Person që kërkon përsosurinë në atë gjë bën, që e stërhollon (me tepri) punën e vet”. Në gjërat e mëdha si edhe në ato të voglat. Me mish e me shpirt. Deri në atë  të pikë sa njerëzit rreth e rrotull atij – familjarë, të afërm, shokë apo miq, kolegë apo fqinjë, ndiejnë njëfarë lodhjeje a tejngopjeje tek i shohin t’i kushtohen e përkushtohen gjatë, si në dehashpirt, punës së tyre.

Ka mendime se, përveç artistëve dhe intelektualëve të nivelit të epërm, një kategori femrash, homoseksualësh dhe autikësh të cilësuar me funksionim të lartë (p. sh. ata me sindromën e Aspergerit), janë perfeksionistë të pandreqshëm.

Gjithashtu, ka psikologë të cilët mendojnë se perfeksionistët janë të ankthshëm, përherë të stresuar, madje obsesivo-kompulsivë, duke përjetuar, sa herë që nuk e arrijnë përsosurinë në veprimet që ndërmarrin, një ndjenjë të theksuar faji. Rrjedhimisht, ata rrallëherë janë të lumtur. Çka i ekspozohen ndaj neurozave apo shterjeve të tjera nervore.

Edhe kur e arrijnë perfeksionin, ata kanë harxhuar aq energji mendore, madje shpirtërore, saqë nuk ia dalin ta shijojnë ngadhënjimin e tyre dhe kjo deri në atë pikë sa ndjenja e lumturisë nuk u bën më përshtypje. Megjithatë, viktima të një bovarizmi të çuditshëm, ata sërish hidhen rrëmbimthi në kërkim të diçkaje tjetër të përsosur dhe, si pasojë, perfeksionizmi i tyre nuk ka të sosur aq sa mund të konsiderohet si një fuite en avant, pra, si përshpejtim i një procesi që konsiderohet i nevojshëm, megjithëse i rrezikshëm; e thënë ndryshe, është njësoj si të marrësh pjesë në një evoluim situate apo ngjarjesh të cilin nuk mund të kontrollosh.

Gjithçka parashtruam më lart të shpie me gjasë në përfundimin se jemi në prani të një çekuilibri shpirtëror dilema e të cilit mund të formulohet si vijon: a ia vlen vallë të sakrifikosh lumturinë e së thjeshtës së përditshme për një perfeksionizëm shpesh sfilitës? A nuk do të ishte, nga pikëpamja filozofike, më e shëndetshme – sepse më njerëzore – të mos kërkosh me çdo kusht të rivalizosh me Natyrën apo me Zotin, madje edhe me Rastësinë, për të tejkaluar deri diku vetveten? Më shkoqur, a nuk ia vlen nganjëherë të jesh më pak i përkryer dhe më shumë i lumtur aq më tepër që jeta është e shkurtër dhe lumturia fort kalimtare, kurse perfeksionizmi rraskapitës e tjetërsues? Nëse të jesh perfeksionist është edhe burim vuajtjeje, a nuk ia vlen të jesh  deri diku hedonist për ta shmangur këtë vuajtje duke marrë nga jeta, meqë nuk jemi të pavdekshëm, atë pak lumturi që ajo na jep me pikatore?

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top