Partia demokratike, maturantët, studentët, politika dhe mendësia jonë paksa e vjetëruar! Zgjedhjet parlamentare gjithmonë kanë një impakt madhor në jetën e shumë, personave , por ato u realizuan si deshi “Partia Shtet” dhe sot Partia demokratike shpiku ca votime në mënyrë të tillë që të justifikojë paaftësinë e saj në organizim, dhe aleancë fare të dobët me LSI, e kësisoj i dorëzuan pothuajse të gatshme Ramës pushtetin për here të trete, si rrallë herë në historinë e vendeve demokratike.
Xhoi Jakaj, Doktore Shkencash, autore librash për adoleshentët
Por këtë muaj edhe maturantët e studentët janë në provim pas një viti të dobët online. Të paktë mund të jenë ata maturantë që nuk kujtojnë gjithë çoroditjen që i dha ky vit i mërzitshëm dhe i çuditshëm me mësime online në kushte aspak të favorshme! Ata nuk kanë shumë informacion as për degën që do zgjedhin sepse historia në Shqipëri e ka treguar se një i ri nuk gjen një vend pune pa qenë i përfshirë ata ose prindërit e tyre në një parti politike, shto këtu edhe faktin që shumë të rinj rreth të 20-tave të tyre, pa u formuar as rritur mirë akoma i përfshijnë në lista për deputetë, gjë e cila i krijon konfuzion pjesës tjetër dhe atyre që ishin mbi libra për të siguruar një notë të mirë dhe rezultate të larta në provime.
Sigurisht që e ardhmja e nxënësve dhe studentëve lidhet ngushtë me potencialin dhe kapacitetet e gjithsecilit, por nuk duhet harruar se politikat arsimore që qeveria ndjek janë decizive në formatimin e të ardhmes së tyre. Sistemi arsimor në Shqipëri, gjatë viteve të tranzicionit ka kaluar nëpërmjet shumë modeleve e praktikave, të cilat në shumë raste kanë përmbysur pritshmëritë e të ardhmen e shumë të rinjve.
Me zgjedhjet e reja elektorale që sapo lamë pas, maturantët i kthyen në klasa dhe deri diku në pak ditë ishin në qendër të debateve e platformave të fushatave elektorale, kjo për faktin se përveç numrit të lartë të studentëve që votojnë, rreth 16-18 % e votuesve ishin kryesisht maturantë që votonin për herë të parë e për rrjedhojë edhe pesha e tyre në rezultatin e zgjedhjeve ishte disi e rëndësishme, por a i shërben politika të rinjve për të ardhmen?
E them me bindje që këto zgjedhje të përgjithshme ishin një bllof i madh për gjithkënd që mendon i pandikuar nga mendësia politike e degraduar tashme në të dy krahët, mjafton ti hedhesh një sy politikave rinore dhe arsimore për një arsim cilësor dhe kjo të jep një panoramë të qartë të padijes dhe lënies në harresë të arsimimit dhe politikave të mirëfillta mes arsimimit dhe punësimit të pabarabartë dhe pa pikë meritokracie, por gjithnjë me një tester partie!
Sot shumë gra e burra, të rinj dhe të reja që nuk janë në një parti që merr vazhdimisht pushet, mbeten të papunësuar kurrë me meritokraci në një punë ose detyrë me rëndësi në shtet?
E siç duket edhe pranimin e rezultateve të përgjithshme në gjithë vendin me përjashtime të vogla dhe me vërejtje pothuaj të përgjithshme u pranuan gati në unanimitet nga të gjithë në heshtje dhe pa zhurmë, kjo sigurisht edhe me bekimin e ndërkombëtarëve!
E mos mendoni se arsimi është e vetmja sferë që prek jetën e nxënësve dhe studentëve? Statistikisht, shumica e familjeve shqiptare i përkasin shtresës së ulët e të mesme e për rrjedhojë këto janë edhe familjet e këtyre maturantëve e studentëve, të cilët në një moment a në një tjetër nuk do të kenë të ardhura të mjaftueshme për të përfunduar studimet apo edhe për të jetuar.
E nëse teorikisht shumë mund të thonë se nuk ju duhen edhe aq t’u futemi të ardhurave të studentëve për të përfunduar studimet, gaboheni! Kostoja e shkollimit të një studenti është e barabartë me koston e blerjes së një banese në shumë raste dhe jo çdo familje mund ta përballojë atë. Dhe sigurisht që maturantët dhe studentët e njohin këtë situatë!
Nën vorbullën e zgjedhjeve, pasiguritë e së ardhmes, tensionit politik, mbetjes gjatë në opozitë, i gjithë krahu i djathtë, atyre me LSI apo fare pa parti, frika e mungesës së punësimit, pesimizmi dhe largimi nga vendi është rritur së tepërmi! Edhe nxënësit apo studentët kanë një lloj ankthi për mosarritjen e rezultateve pozitive pas një viti mësimi online, por dhe pesimizmi i shtuar i vetë kësaj periudhe për të siguruar një vend pune u kthye në përditshmëri për shumë të rinj.
Psikologjikisht kjo gjë një të riu do t’i shkaktojë pështjellime ndjenjash e emocionesh negative, që nuk janë aspak në interesin më të mirë të zhvillimit normal e progresiv të tij. Është logjike që te shumë individë do ketë një ndikim thelbësor në atë se si do funksionojë qeverisja. Zhvillimet politike janë të lidhura ngushtë me ato sociale, por nganjëherë është e vështirë të shihet efekti që zgjedhjet mund të kenë mbi një individ.
Është shumë e rëndësishme që në periudha si kjo t’u kushtohet vëmendja e duhur të rinjve, sidomos atyre që shfaqin më tepër pasiguri në jetën e tyre. E kështu me sa duket të gjithë vazhdojnë të jemi në provim, nxënësit e gjimnazeve, studentët e universiteteve, prindërit e tyre që u kërkohet punë dhe bindje për të orientuar fëmijët drejt së ardhmes jo fort të sigurt?
Po aq në provim ishte Politika Shqiptare, të cilët ca ngelën dhe ca kaluan klasën, u përballën me braktisje dhe mohime, por dhe me mbështetje, se kush mori notën negative dhe pozitive, kjo u pa në fund të datës 25 qershor, tani mbeten fituesit të jenë profesorë të mirë që populli i thjeshtë t’i besoje edhe një herë pas 8 -vitesh pushtet, edhe 4 të tjera.
Ky vend ka akoma sfida të mëdha…
Pushteti nuk i takon asnjëherë popullit, por politikës së sofistikuar.
Provimi për ata edhe këtë here rezultoi me i lehtë se për masën!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.