FB

December 24, 2021 | 8:05

Të gjithë jemi normal derisa vërtetohet e kundërta

Normaliteti dhe rrallësia janë dy koncepte shumë subjektive deri në atë pikë sa të gjithë jemi normal në bazë të një analize personale. Kemi dëgjuar ose bërë deklarata si “pse nuk mund të gjej një partner normal?”, “Mos kërkoni miq në internet, atje ka vetëm njerëz të çuditshëm” ose “ai është një person shumë i çuditshëm, mos fol me të”. Por kujt i referohemi kur themi këto terma?

Ndoshta, për secilin prej nesh kuptimi është i ndryshëm; prandaj ne nuk kemi fuqi të gjykojmë se kush janë njerëzit normalë dhe cilët jo. Një nga shqetësimet më të mëdha të qenies njerëzore është përshtatja me shoqërinë. Kjo është për shkak se specia jonë ka nevojë për ndërlidhje për të mbijetuar dhe për t’u zhvilluar.

Të kritikuarit, të refuzuarit ose të izoluarit mund të shkaktojë dëme serioze në vetëvlerësim; nga ana tjetër, të detyrosh veten t’u përmbahet modeleve të imponuara është një rrugë e sigurt drejt pakënaqësisë. Pra, pse ne i etiketojmë njerëzit? Pse përpiqemi të jemi të barabartë me të tjerët kur secili prej nesh është një univers kompleks dhe unik?

Kush janë njerëzit normalë?

Nëse i përmbahemi semantikës, ajo që përputhet me normën përcaktohet si normale; pra ai që plotëson karakteristikat më të zakonshme pa tejkalim apo mungesë. Në dritën e kësaj, ne i konsiderojmë si njerëz normalë ata që përshtaten me atë që pranohet nga shoqëria në momentin jetësor në të cilin gjenden.

Praktikisht që nga lindja ne vlerësohemi mbi bazën e këtij normaliteti të supozuar. Nëse një fëmije i duhet më shumë kohë për të filluar të ecë ose për të thënë fjalët e tij të para, mjedisi është kritik dhe prindërit shqetësohen. Por edhe kur një fëmijë është më kurioz dhe inteligjent se mesatarja, ai është objekt kritikash dhe shikimesh. Ndërsa rritemi, gjykimet dhe standardet vazhdojnë.

Ne duhet të jemi të mirë në shkollë, të kemi një jetë shoqërore aktive, të mbajmë një marrëdhënie, të gjejmë një punë të mirë, të martohemi, të kemi fëmijë…Dhe e gjithë kjo kur shoqëria e sheh të arsyeshme. Çmimi i dështimit për të ndjekur një nga këto hapa? Konsiderohemi të çuditshëm dhe pyetemi vazhdimisht.

Rreziku i kërkimit të normalitetit

Në përpjekje për të përmbushur këto standarde të ngurta, ne përpiqemi çdo ditë të përshtatemi. Personi i turpshëm përpiqet të jetë i shoqërueshëm, ata që e urrejnë punën e tyre nuk e lënë atë, marrëdhëniet boshe dhe të dëmshme vazhdojnë me vite. Nëse ndalemi për të analizuar situatën, do të vërejmë se presioni është më i fortë se sa e imagjinojmë.

Problemi është se ky normalitet nuk kërkon lumturinë apo mirëqenien tonë, nuk do që ne të rritemi dhe të zhvillohemi si individë, por më tepër të përshtatemi. Nevoja për të përmbushur këto kërkesa të jashtme mund të na bëjë të sëmuremi fizikisht dhe emocionalisht. Çrregullime ankthi, depresion, frikë, frustrim, pakënaqësi, por edhe dhimbje, parehati, sëmundje psikosomatike. Ata që dalin nga norma i nënshtrohen refuzimit dhe ata që i përshtaten asaj i nënshtrohen kufizimit. A është vërtet kjo ajo që duam për veten dhe për të tjerët?

Ne jemi të gjithë normalë, nëse pranojmë çuditjet tona

Zgjidhja për këtë situatë rraskapitëse, të dhimbshme dhe të padrejtë është në duart tona dhe përfshin hapjen ndaj diversitetit. Ndaloni të inkuadroni dhe kategorizoni për të kuptuar se të gjithë jemi të ndryshëm dhe se pikërisht këto dallime pasurojnë shoqërinë.

Introvertët sjellin thellësi, ekstrovertët sjellin gëzim. Ka individë praktik dhe ëndërrimtarë, ka nga ata që duan të dëgjojnë dhe ka nga ata që janë komunikues të shkëlqyer. Ëndrra jonë mund të jetë të krijojmë një familje, ndërsa një person tjetër dëshiron të udhëtojë nëpër botë, gjithçka është e vlefshme.

Kur ndalojmë së gjykuari të tjerët, ne gjithashtu i lejojmë vetes lirinë të jemi. Zbulojmë se ndoshta qëllimet tona nuk janë ato që të tjerët na kanë vendosur, se ne jemi shumë të ndryshëm nga mënyra se si pozojmë për të marrë miratimin.

Ne jemi të gjithë normalë

Të gjithë jemi normal derisa të vërtetohet e kundërta, derisa të zbulojmë oqeanin e veçorive që na përbëjnë. Asnjë person nuk është i njëjtë me një tjetër dhe kjo është fuqia jonë. Ne përqafojmë veçoritë tona dhe admirojmë ato që na rrethojnë. Së fundi, ne të gjithë jemi qenie unike magjike që luftojmë më kot për t’u dukur normalë.

 

 

Burimi / https://lamenteemeravigliosa.it/

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top