FB

March 22, 2021 | 8:33

Të jetosh dashurinë do të thotë të matesh me njërën prej detyrave më të ndritura të jetës njerëzore 

Nga Prof.Assoc.proc.Doc.Dr.Ilia S. Larti

 

Dashuria është një ndjenjë e fuqishme dhe e jashtëzakonshme për një njeri, i cili/e cila shprehet dhe mirëpritet për të njohur njëri-tjetrin dhe më tej për t’u dashuruar e shijuar atë. Dashuria kuptohet edhe si një përkujdesje ose vlerësim i thellë, ndaj dhe është mjaft e vështirë që të përkufizohet në mënyrën më të plotë. Sociologë, psikologë, filozofë, studiues e të tjerë, e quajnë atë një abstraksion qe është e vështirë t’i jepet një konceptualitet dhe përkufizim i saktë e në mënyrë të detajuar. Megjithatë, ka shumë formulime, specifikime, mënyra dhe stile ku dashuria bashkon njerëzit (meshkuj-femra, djalë-vajzë, burrë-grua), i bën të etshëm dhe mjaft emocionalë, kur gjejnë gjysmëzemrat e tyre te njëri-tjetri, e shijojnë atë, lumturohen, martohen, krijojnë familjen dhe arrijnë dhe të korren frytet e dashurisë… fëmijët e tyre.

meet-your-sweet 

I # Ç’është dashuria?

Duajeni njëri-tjetrin, për të qenë të lumtur

Dashuria, ndjenjë e fuqishme, e thellë, që të lidh ngushtë me dikë a me diçka dhe që të bën ta duash me gjithë zemër e të mos kursesh asgjë për të, është miqësi e thellë dhe e çiltër; sikurse është ndjenjë pëlqimi, dashamirësie e përzemërt dhe adhurim për dikë a për diçka.

Dashuria ka forcën të na bashkojë, pa i mohuar tjetrit dinjitetin e tij, unin e tij. Vetëm dashuria është e aftë të mos i ndajë njerëzit nga njëri-tjetri. Dashuria është një motiv për shpresën, optimizmin, për të shuar dyshimet dhe krijimin e besimit reciprok. Vetëm dashuria mund të na japë energjitë e pashtershme, të nevojshme për të zhdukur pesimizmin dhe dëshpërimin.

Vlerat e dashurisë shfaqen dhe manifestohen nëpërmjet ngrohtësisë, butësisë, përgjegjshmërisë, fisnikërisë, sakrificës, mos zvetënimit të saj, asnjëherë dhe për asnjë çast (aspektit social, ekonomik, transformimet fizike, estetike, sëmundjeve, plakjes para kohe etj,).

“Duajeni njëri-tjetrin”. Këto fjalë janë thënë mëse dymijë vjet më parë. Me gjithë fuqinë që përmban ky mesazh i Biblës, shumë prej nesh nuk e kanë vlerësuar gjatë gjithë këtyre viteve.

Flitet shumë, por shumë pak presin që dikush ta vërë vërtet në praktikë. Nëse nuk do të duam njëri-tjetrin, do të vdesim para kohe!

Shoqëria moderne është indiferente ndaj thirrjes për dashuri. Përqeshin idenë se bota do të mund të jetonte më mirë, dhe njerëzit do të ishin më të lumtur në tërësi, duke pasur respekt të thellë për vetë jetën.

Shumë njerëz nuk do të mund të gjykonin se dashuria ka atë forcë për të mbajtur në këmbë shumicën e marrëdhënieve familjare më të ngushta, më të sinqerta dhe sa më të vërteta, dhe duke shkuar më tej, zemra, shpirti dhe besimi reciprok të jenë gati të përafërta apo në unison për dashurinë, jetën dhe ecurinë krah për krah, për të jetuar në harmoni sa më të plotë.   

Duhet të kuptoni dhe vlerësoni se: Dashuria universale jo vetëm që është e mundshme, por është edhe forma më e plotë, gjë për të cilën jemi të aftë si qënie njerëzore.

Por dashuria mund të jetë e vlefshme vetëm kur heqim dorë nga parametrat e vjetruara mendore, të cilët vazhdojnë të na paralizojnë vijën e sjelljes. Duhet t’i sfidojmë me njëherë këto sjellje, ku çdo gjë nuk mund të jetë romantike (kjo ka vendin e dhe kohën e duhur), sikurse dhe absurditet, banalitetet idealiste, të qenit në unison për fenomenet shkencore dhe asnjëherë për mendimet jo-intelektuale.

Është e nevojshme që në jetën tonë të pranojmë dashurinë si forcën më të madhe universale për bashkimin dhe mirësinë, të pranueshme nga të gjithë ata që me të vërtetë e dëshirojnë. Vetëm atëherë do të zbulojmë se dashuria, plotësisht e realizuar, ka fuqinë të shmangë ato gjëra të pavlera që na ndajnë, se kundërshtari ynë ka edhe ai një fytyrë dhe një zemër. Dhe pikërisht kjo është pika në të cilën gjithçka bëhet e mundshme. Dashuria është e madhërishme si vetë jeta dhe kur duam t’i japim një përkufizim, shpesh përfundojmë duke i vënë kufizime.

Sipas një përcaktimi të Finck, “Dashuria është shpesh një tërësi paradoksesh dhe ekziston në forma aq të shumëllojshme saqë pothuaj çdo përcaktim ka të ngjarë të mos jetë korrekt apo pse jo edhe i papëlqyeshëm”.

Ka ekzistuar një opinion sipas të cilit dashuria është një subjekt i kufizuar e jo shkencor me të cilin duhet të merren vetëm poet e autore këngësh. Mendohej se ajo nuk vrojtohej dot shkencërisht dhe kjo përbënte vërtet një vështirësi metodologjike për studiuesit. Por psikologët mendojnë se çdo sjellje njerëzore, përfshirë edhe dashurinë romantike, përbëjnë tema studimi të psikologjisë, meqenëse dashuria ndikon në jetën sociale të njeriut, në marrëdhëniet intime, në martesën, divorcin etj.

Ky fenomen është mjaft i përhapur për njerëzit.

1Jungu besonte shumë te dashuria eksplozive, aq sa ndërtoi një teori të shpjegimit të dashurisë me shikim të parë. Çdo premtim i shpirtit ka çdo herë plotësime të panumërta. Natyra, e papërmbajtshme, e rrjedhshme, parashikuese, në ndjenjën e parë të mirësisë paraprin një dashamirësi, e cila do të humbasë të gjitha cilësitë e veta në dritën e saj të përgjithshme. Paraqitja e kësaj lumturie është një lidhje private dhe e butë e dikujt me dikë, që është magjia e jetës njerëzore, që, si një egërsi hyjnore dhe entuziazëm, mbërthen njeriun dhe bën një revolucion në mendjen dhe trupin e tij, e bashkon me racën e tij, e bën të zotohet ndaj lidhjeve shtëpiake dhe qytetare, e çon me shumë simpati në natyrë, rrit fuqinë e shqisave, i hap imagjinatën, i shton karakterit të tij atribute heroike dhe të shenjta, vendos martesën dhe i jep qëndrueshmëri shoqërisë njerëzore.

Dashuria është e durueshme dhe e sjellshme, dashuria nuk është xhelozi as mendjemadhësi, as krenari, as egoizëm dhe as zemërim; dashuria nuk llogarit gabimet; nuk kënaqet nga e keqja por kënaqet nga e vërteta. Dashuria nuk heq dorë kurrë nga: besimi, shpresa, durimi, te cilat janë më të pashtershme për një dashuri plot optimizëm dhe kënaqësi. Dashuria është e përjetshme…! Ajo është plot besim, shpresë dhe dashuri reciproke; por nga këto të tria, më e madhërishme është dashuria. Dashuria nuk është thjesht një pëlqyeshmëri më e madhe nga ana sasiore, por një gjendje psikologjike cilësisht e ndryshme, që ndryshon nga tërheqja e thjeshtë në shumë drejtime. Më tepër se një miqësi tipike në fazat e hershme, dashuria përfshin një ngritje psikologjike (relative), thithje psikologjike të fuqishme nga partneri, interes të gjerë për personalitetin e tjetrit, fantazim për të, lëkundje të shpeshta emocionale dhe gjendje emocionale ambivalente (Ëalster 1978).

Sipas Davis (1985), dashuria karakterizohet nga elementë të magjepsjes, dëshirës seksuale, eskluzivitetit dhe kujdesit të madh për tjetrin. Dashuria e llojit të mësipërm, njihet nga disa autorë si dashuri romantike, për ta dalluar nga tërheqja sipërfaqësore.

 

II #.Ku ka dashuri, ka dhe jetë

Për dashurinë janë shkruar shumë libra, poezi, ese, janë thurur shumë vargje, por ajo nuk kërkohet të mbetet vetëm në të shkruar apo në fjalë, por të dhurohet e të praktikohet. Dashuria, është një nga ato virtyte për të cilat çdo njeri do të dijë, të flasë e të shkruajë. Një ndjenjë që çdo njeri e përjeton në mënyra të ndryshme. Por, a janë të gjithë të aftë të dhurojnë dashuri? Kjo është një pyetje që secili prej nesh duhet t’ia drejtojë vetes dhe t’i përgjigjet. Këtu nuk flitet për një dashuri të shkruar ose të shprehur me fjalë, por për një dashuri të vërtet dhe që dhurohet për tjetrin. Sepse, ajo është pjesë e eksperiencës njerëzore, është ajo që jetohet. Është virtyti që i jep jetës kuptim. E nga kjo arrihet të kuptohet se dashuria është një nevojë për secilin njeri, pa dallim moshe.

Ta përkufizosh dashurinë është e vështirë, sepse dashuria është një eksperiencë njerëzore e nuk ka fjalë që e përkufizon atë.

Por ajo që mund të thuhet mbi dashurinë e që përmbledh gjithçka, është fjala JETË. Mahatma Gandhi thotë: Aty ku është dashuria, aty është jeta. Kurse Tolstoi thotë: Ku është dashuria, aty është edhe Zoti. Kështu që nuk mund të kuptohet një jetë pa dashuri dhe një dashuri pa jetë, e nuk mund të kuptohet një Zot pa dashuri dhe një dashuri pa Zot. Këto janë të lidhura ngushtë njëra me tjetrën dhe nuk mund të shihen e nuk mund të ndjehen të ndara, Zoti, Dashuria dhe Jeta. Pra, dashuria është jetë, e jeta është dhuratë e Zotit. Është ajo që kërkohet të jetohet, dhurohet, e përjetohet çdo ditë sot e tani, e jo të presim nesër. Sepse, ajo i përket të tashmes vetëm në të tashmen është e vërtetë.

Dashuria, më shumë se një zgjedhje, është një nevojë të cilën secili njeri e ndjen në jetë. Qysh në fëmijëri shfaqet kjo nevojë e vazhdon deri sa njeriu të jetojë. Dashuria, është vullneti që nxit zhvillimin tonë shpirtëror për të arritur pjekurinë ose plotësimin e vetvetes dhe të tjerëve.

Dashuria është një nevojë që kërkohet plotësuar ashtu si gjitha nevojat tjera. Është një zbrazësi në të cilën dashuria duhet derdhur. Nevoja për dashuri, është ashtu sikur nevoja për uri, etje për kripëra apo vitamina. Ashtu sikurse njeriu nuk mund të jetojë e nuk mund të zhvillohet pa ushqim, ashtu ndodh edhe në aspektin e brendshëm që njeriu nuk mund të jetojë e të zhvillohet shpirtërisht pa dashuri. Pa dashuri, njeriu nuk mund të jetë i pasur, i shëndetshëm, i shquar, sepse ai nuk di asgjë për vlerat e brendshme. Dashuria është një nevojë shëruese. Është ajo që shëron shumë plagë.

Dashuria, është fuqia më e madhe shëruese në jetë. Ata që e lënë t’u ikë mbeten të zbrazët, sepse ajo nuk është një fenomen, mbi të cilin duhet të reflektojmë, por një nevojë e një realitet që kërkohet të jetohet. Mos të harrojmë çdo moshë ka nevojë për dashuri. Nuk u takon vetëm dy të rinjve apo dy të dashuruarve por secilit individ. Dashuria nuk i mohohet askujt, sepse secili njeri e ndjen nevojën për të qenë i dashur dhe që të dojë. Ai, nuk është gjithmonë në gjendje vetëm të dhurojë dashuri por kërkon edhe të marrë dashuri. E njeriu që do, është ai njeri që di ta dojë vetveten dhe është në gjendje të dojë edhe të tjerët.

Dashuria, është motori i formimit dhe i edukimit. Është ai motor që mban gjallë çdo marrëdhënie. Nënë Tereza thotë: Në këtë botë ka më shumë nevojë për dashuri sesa për bukë.

Dashuria është një funksion i natyrshëm, ashtu si frymëmarrja. Shprehja e dashurisë është e nevojshme për shëndetin në çdo fazë të zhvillimit. Njeriu, pa dashuri, është pa krahë. Bota ka nevojë të pushtohet nga dashuria, e kjo varet nga çdo njeri e kërkohet nga secili prej nesh. Kur themi nga secili, kuptohet se fillon nga UNË.

Dashuria është e çmuar në vetvete, sepse nuk ka synime. Ajo ka vlerë të madhe, është gëzimi i madh është hareja në vetvete. Pa dashuri nuk ka gëzim, pa dashuri nuk ka jetë, pa dashuri njeriu lakmon diçka të panjohur, diçka të paplotësuar, diçka të zbrazët. Ajo, nuk dëshmohet më numrin e dhuratave e me fjalë të bukura, por me gjeste të mira e dhurimi të cilat flasin shumë më tepër.

Dashuria, është e çmuar sepse është një element që ndryshon sjelljen. Është ajo që e bën një transformim në mënyrë të menjëhershme. Ajo, nuk është pronë që të grumbullohet, por është rrezatim aromë që ndahet. Është ajo që jep krahë për të fluturuar si shqiponjë drejt diellit. Dashuria, është vetëm e një lloji, ajo është dashuri e cila, formohet mbi besimin e respektin reciprok. Është ajo që di të presë, është e durueshme, është vepruese. Ajo, jeton në të tashmen sot dhe tani. Ta jetojmë dashurinë do të thotë të matemi me njërën prej detyrave më të larta e të ndritura të jetës: të dhurosh veten për të mirën e tjetrit. Dashuria kërkon që të heqësh dorë nga vetja. Të lirohesh nga egoja. Ajo, është e çmuar sepse të çliron nga gjërat dhe nga vetvetja dhe të bën të lirë.

2Dashuria reciproke, rrjedh nga ata individë që janë të çliruar nga vetvetja, por nëse njeriu, është i mbushur nga Ego-ja dashuria nuk qëndron, ajo zhduket, sepse dashuria dhe ego-ja nuk mund të bashkëjetojnë. Dashuria, është ajo që kërkon për t’u bërë një me tjetrin dhe me të mirën e tij. Dashuria nuk pret kthim të dashurisë. Është përvojë e përhershme e ngritjes së personalitetit të njeriut. Ajo është plotësim dhe e zmadhon qenien e njeriut sepse e mbush atë, e pasuron, nuk e zbrazë dhe nuk e varfëron. Dashuri do të thotë, tani.

 

III #. Dashuria, është nga me të shtrenjtat në jetë

Dashuria, është shumë e shtrenjtë dhe ata që janë të aftë ta ofrojnë atë, e dinë shumë mirë se ajo duhet orientuar drejt produktivitetit me anë të vetëdisiplinimit.

 

Uilliam Shekspir cilëson:

“Dashuria është ajo kur jemi të gatshëm të japim gjithçka pa kërkuar asgjë. Kjo është dashuria për të cilën ka nevojë secili prej nesh”. 

 

III/a.Brenda shpirtit njerëzor lëviz një zë i fortë i cili thotë:

Kur dashuria jua bën me shenjë, ndiqeni edhe në qoftë se rruga e saj është e vështirë dhe e rrëpirët.

Edhe kur krahët e dashurisë t`iu pushtojnë, ngjeshjuni pas edhe pse qëndron e fshehur mes perdeve të saj mund t`iu plagosë.

Dhe kur dashuria  ju flet, besojeni edhe pse zëri i saj mund të shkatërrojë ëndrrat ashtu si era e veriut rrafshon kopshtin

Dashuria ashtu siç ju kurorëzon, ashtu dhe mund  t`iu shkurorëzojë

Dashuria siç mund t`iu rrisë edhe mund t’iu krasisë

 

III/b.Dashuria si duaj gruri ju mbledh rreth vetes së saj dhe pastaj:

 

-Ju rreh deri sa të jeni shtrirë.

-Ju shosh që t’iu lirojë nga byku.

-Ju bluan sa të bëheni miell i bardhë.

-Ju bën brumë të butë duke ju gatuar.

 

Dhe pas kësaj ju e bëni gati për zjarrin e saj të shenjtë, që të arrini të bëheni bukë e shenjtë për gostinë e shenjtë të Zotit.

Pra të gjitha këto, do t`i bëjë për ju  vetëm dashuria sepse vetëm ajo, njeh të fshehtat e zemrës suaj dhe nëpërmjet  kësaj njohjeje ajo bëhet copëza jete e zemrës suaj.

Por nëse, të frikësuar, ju do të kërkoni vetëm prehjen e dashurisë dhe kënaqësinë, atëherë është më mirë për ju që të mbuloni lakuriqësinë tuaj dhe të largoheni nga lëmi i dashurisë, duke u shtyrë drejt një bote pa stinë, ku do të arrini të qeshni, por jo me të gjithë  gazin tuaj dhe kur do të qani, jo me të gjithë lotët tuaj.

Dashuria nuk jep asgjë veç vetvetes dhe nuk merr asgjë përveç nga vetvetja.

Dashuria  nuk zotëron dhe nuk do të që të zotërohet, sepse dashurisë i mjafton dashuria.

Kur dashuroni, nuk duhet të thoni: “Zoti është brenda zemrës sime”. Por më mirë duhet të pohoni: “Unë jam brenda zemrës së Zotit”.

Mos mendoni se mund t`i tregoni rrugën dashurisë, sepse dashuria, nëse ju gjen të  denjë për të, ajo i`ua tregon vetë rrugën., sepse ajo nuk ka dëshirë tjetër përveçse të përmbushë vetveten.

 

III/c.Nëse ju dashuroni dhe ndjeni se kini dëshira duhet të pranoni që të:

Treteni apo përfshiheni në melodinë e një violine që bëheni njësh me të duke kënduar

Njihni dhimbjen e brishtësisë së tepërt

Plagoseni nga të kuptuarit e dashurisë tuaj

Gjakoseni me dëshirë e me gëzim

Zgjoheni në agim me një zemër  me krahë dhe  shprehni falënderime për një tjetër ditë dashurie

Pushoni në orët e mesditës dhe të meditoni për ngazëllimin e dashurisë

Kthehuni në shtëpi në buzëmbrëmje me mirënjohje

Flini me një lutje për të dashurin e zemrës tuaj dhe me një këngë mirësie në buzë

 

IV # Martesa

Njerëzit që dashurohen dhe vendosin të martohen, bashkë me to vijnë dhe mjaft detyrime morale si, nga bashkëshorti dhe bashkëshortja duke pasur parasysh mirë, qartësinë dhe duke u ballafaquar me to çdo çast të jetës bashkëshortore si:

Ju u lidhët bashkë dhe bashkë duhet të jeni përgjithmonë

Dojeni njeri-tjetrin, por mos e bëni vargua dashurinë

Mbusheni kupën e njeri-tjetrit, por mos pini nga e njëjta kupë

Jepini njeri-tjetrit nga buka juaj, por mos hani nga e njëjta bukë

Këndoni dhe vallëzoni së ashku dhe jini të gëzuar, por secili nga ju të qëndrojë më vete

Dhurojini zemrat tuaja, por pa e futur njërën te të tjerat, sepse vetëm dora e jetës mund t`i mbajë zemrat tuaja

Qëndroni bashkë, por jo aq shumë afër, sepse dhe shtylla e tempullit qëndron më vete, sikurse dhe lisi me selvinë nuk rriten në hijen e njeri-tjetrit

Ju do të jeni bashkë, deri  sa krahët e bardhë të vdekjes të shpërndajnë ditët tuaja dhe më tej do të jeni bashkë në kujtesën e heshtur të Zotit

Mirësia, pastërtia dhe ndershmëria ju krijoftë lehtësira në bashkimin tuaj dhe erërat e qiejve vallëzofshin mes jush.

 

V #. Fëmijët

Fëmija si shprehje e dashurisë e vazhdimësisë si dhe përtëritjes së jetës, ka filozofinë dhe të fshehtat e veta si:

Fëmijët tuaj nuk janë fëmijët tuaj, ata janë bijtë dhe bijat e etjes që jeta ka për veten.

Fëmijët vijnë nëpërmjet jush, por edhe pse janë me ju, ata nuk ju përkasin juve. 

Juve mund t`iu jepni fëmijëve dashurinë, por jo mendimet  tuaja, sepse ata kanë mendimet e tyre

Ju mund të strehoni trupat e fëmijëve tuaj, por jo shpirtrat e tyre, sepse shpirtrat e tyre banojnë në shtëpinë e së nesërmes, të cilët ju nuk mund t`i vizitoni as dhe nëpërmjet ëndrrave tuaja

Ju mund të përpiqeni të jeni si fëmijët tuaj, por mos kërkoni që t`i bëni ata si ju, sepse jeta nuk ecën mbrapa dhe as vonohet duke u kapur pas së djeshmes.

Ju jeni harqet, nga të cilat fëmijët tuaj, si shigjeta të gjalla, hedhen larg nga tendosja e fuqisë tuaj, për të mbritur në mëzin e shenjës së të ardhmes që ata i përkasin. Qoftë tendosja juaj në dorën e harkëtarit të gëzuar dhe të stërvitur mirë, sepse ai, ashtu siç do shigjetën që fluturon, ashtu do dhe harkun që të qëndrojë pa lëvizur.

 

Thënie për dashurinë

    
“Është bukur kur dikush të kupton pa i dhënë shpjegime!”

“Nuk ka gjë më të bukur në jetë se të gjesh një njeri që të lexon ty pa shkronja dhe të kupton ty pa fjalë”.

“Nuk ka rëndësi se kush jeni dhe sa i bukur je, përderisa ekziston dikush që të dashuron”.

“Truri i tha zemrës: Pse bëj gjithmonë atë që do ti?. Zemra iu përgjigj: Sepse ti mendon atë që ndjej unë”.

 

Thënie për martesën

Dashuria është e verbër, por martesa rikthen shikimin.

Mos harroni se një martesë e suksesshme varet nga dy gjëra:

Të gjeni personin e duhur.

Të jeni personi i duhur.

Martesa është mrekullia që transformon puthjen në detyrë.

Një martesë e lumtur ka brenda gjithë kënaqësitë e miqësisë, gjithë gëzimin e ndjesive dhe arsyes, dhe gjithë ëmbëlsinë e jetës.– Joseph Addison     

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top