Dëshmi

August 31, 2018 | 10:51

Të mësosh duke punuar, “Luarasi” bën realitet punësimin e të rinjve

Koha është kritikja më e mirë për një student që punon, pasi kjo përveçse e rrit në dije, e formon atë, duke i dhënë përvojë, të drejta dhe vetëdisiplinë. Kolegji Universitar “Luarasi” për një kulturë edhe më të shëndoshë në këtë drejtim, ka krijuar mundësi punësimi me kompani të ndryshme për shumë prej të rinjve që janë në studime për Master Shkencor. Dëshmi e këtij realiteti janë katër prej të rinjve të punësuar pranë “Hysenbelliu Group”, ndërsa për rektorin e KU Luarasi, nga kjo sfidë gati 80% e të diplomuarve kanë mundur të sigurojnë një vend punë qysh gjashtë muajt e parë të diplomimit.

Prof. Dr. Ethem Ruka Rektor i Kolegjit Universitar Luarasi, Ish-Ministër i Arsimit, dy herë ish-ministër i mjedisit dhe ishministër i pushtetit vendor. Shtatë legjislatura deputet i Kuendit të Shqipërisë

Prof. Dr. Ethem Ruka
Rektor i Kolegjit Universitar Luarasi, Ish-Ministër i Arsimit, dy herë ish-ministër i mjedisit dhe ishministër i pushtetit vendor. Shtatë legjislatura deputet i Kuendit të Shqipërisë

Sa është i lidhur procesi mësimor me aftësimin për punësimin?

Sot në Shqipëri funksionojnë një sërë shkollash të larta publike ose jo publike. Shumë prej tyre diplomojnë studentë për të njëjtat profesione. Por a është e njëjtë cilësia e diplomave të këtyre shkollave? Tregu i punës, shtetëror dhe privat, jo gjithmonë di dhe mund të zgjedhë diplomën më të certifikuar. Për fat të keq kriteret për vlerësimin e shkollave të larta kanë munguar. Ky vit akademik na gjen krejt ndryshe. Të gjitha shkollat e larta kanë kaluar procesin e akreditimit të monitoruar nga një kompani britanike, e mirënjohur për profesionalizmin e saj të lartë. Kolegji Universitar ‘’Luarasi’’, i hapur për herë të parë në vitin 2003, u vlerësua maksimalisht nga bordi i akreditimit. Ai renditet një ndër katër shkollat e larta më të mira të vendit. Kaq mjafton për të bërë dallimin mes cilësisë së diplomave dhe interesit që duhet të ketë tregu për burime njerëzore të përgatitura.

Cilat janë përftimet konkrete dhe sa ua hap rrugën e së ardhmes brezave për baza të shëndetshme punësimi?

Do të ishte e vështirë në kaq vend të shpjegonim në detaje pse Kolegj Universitar ‘’Luarasi’’ renditet ndër shkollat e larta më të mira të vendit. Do të doja të veçoja vetëm një detaj. Studentët tanë të drejtësisë nuk formohen thjeshtë brenda auditorëve të Universitetit. Ata i nënshtrohen një sërë praktikave që qëndrojnë afër tregut të punës, si pjesëmarrja në seanca gjyqësore, duke filluar që nga gjykata kushtetuese, gjykata e krimeve të rënda, gjykatat e nivelit të parë, në komisionet parlamentare, këshillat bashkiake, gjyqet e simuluara, konsultat ligjore falas për qytetarë me pamundësi financiare, etj. E njëjta gjë vlen edhe për studentët e fushës së ekonomisë. Programet e studimit në mastera janë edhe më afër nevojave të tregut. Ato janë frut i bashkëpunimit të Kolegjit tonë me aktorët që veprojnë drejtpërdrejtë në ekonominë e tregut. Duke studiuar nevojat e tregut jemi në prag të hapjes së Fakultetit të ri të Teknologjive të Informacionit dhe Inovacionet. Programet e reja të studimit me siguri që do të përgatitin profesionistë të rinj, të cilët do të jenë të kërkuar për punësim qysh në bangat e shkollës.

Sa studentë të punësuar ka nga “Luarasi” dhe ku janë përqendruar ata?

Sondazhet për punësimin e të diplomuarve tanë kanë qenë të vazhdueshme. Gati 80% e të diplomuarve kanë mundur të sigurojnë një vend punë qysh gjashtë muajt e parë të diplomimit. Ata janë punësuar si në sektorin shtetëror edhe atë privat. Ne jemi të kënaqur që në kuadrin e programeve të partnershipeve shumë nga studentët tanë janë pranuar të ushtrojnë profesionin e tyre jo vetëm në administratën e lartë shtetërore dhe sektorin privat, por edhe në organizma ndërkombëtare. Këta tregues janë një ofertë e sigurt edhe për maturantët e këtij viti, të cilët janë para dilemës së zgjedhjes së profesionit të tyre të ardhshëm.

Marsida Thartori, internship, agjente marketingu “Panorama Group”

Marsida Thartori, internship,
agjente marketingu
“Panorama Group”

MARSIDA THARTORI

Kam pasur fatin në “Luarasi” të jem pjesë e një grupi studentësh që jemi bërë pjesë organizuese e pothuaj çdo aktiviteti që ai ka bërë. Ky angazhim ka sjellë njëkohësisht edhe promovimin tim, ndaj besoj se kjo është arsyeja që unë ndodhem pranë “HB Group”. Të mësuarit nuk ka asnjëherë fund. Duke mësuar, njeriu ecën përpara dhe nuk mbyllet në mendjengushtësinë e pak gjërave që ka njohuri. Sidomos në ditët e sotme që çdo gjë është në evoluim të vazhdueshëm, të mësuarit është gjëja më e domosdoshme, sepse detyrimisht duhet të përshtatesh me kushtet në të cilat jeton. Përvoja pranë “Panorama Group” është impresionuese dhe njëkohësisht e larmishme në natyrën e saj. Çdo ditë është ndryshe nga tjetra, dhe gjatë gjithë kohës je në marrëdhënie jo vetëm me njerëz të ndryshëm, por edhe me subjekte nga më të ndryshme dhe pikërisht nga kjo, unë mësoj gjëra të reja. Kur erdha në fillim, u njoha me kushtet shumë të mira të punës, por sigurisht, këto kushte nuk do të kishin kuptim nëse klima brenda zyrës nuk do të ishte aspak mikpritëse. Të gjithë janë përpjekur të më ndihmojnë, duke m’i bërë gjërat më të thjeshta dhe për këtë i falënderoj. Ishte Anisa ajo që më ka ndihmuar që në ditën time të parë në këtë përvojë, duke më mbështetur, prandaj i jam shumë mirënjohëse. Unë aktualisht jam në vitin e tretë dhe kjo më ka favorizuar në lidhje me ndërthurjen e orareve, duke qenë se është viti i fundit, kemi dhe ditë të lira të dedikuara për praktikë.

Klevja Çitozi, Internship, financiere “HB”.

KLEJVA ÇITOZI

Në institucionin ku unë studioj, teoria ndërthuret me praktikën thuajse për çdo lëndë, duke synuar që ne studentët të dalim sa më të përgatitur për atë që tregu i punës do të kërkojë dhe ofrojë. Por më e rëndësishme se kaq është se, duke qenë se shkenca evoluon, në “Luarasi” na mësojnë si të mësojmë duke iu përshtatur ndryshimeve që koha sjell dhe si të jemi të disiplinuar në punë. “Puno dhe Studio” favorizon studentët jo vetëm në pikëpamje afatgjatë, por edhe të kryejmë më tepër vetëvlerësim, por deri diku edhe një autonomi financiare. Gjatë gjithë angazhimit tim prej disa muajsh, kam mësuar se si të ndërthur në të njëjtën kohë të gjitha njohuritë e përvetësuara dhe absolutisht unë kam fatin të punoj në një kompani e cila ofron një gamë shumë të gjerë shërbimesh dhe subjektesh, duke bërë kështu që puna ime si ekonomiste e ardhshme të jetë më e lehtë. Unë punoj në një ambient me klimë shumë pozitive dhe bashkëpunuese, ku duhet të theksoj që u jam shumë mirënjohëse punonjësve të IHB Group për përkujdesjen, dashamirësinë dhe për profesionalizmin që tregojnë dhe që mundohen ta transmetojnë edhe tek unë. Vetë politikat e të dyja institucioneve “Luarasit” dhe “HB Group” janë të tilla, për të mos dëmtuar procesin akademik të studentëve. Angazhimi im është pas orëve të mësimit dhe kryesisht në fundjavë, ndërsa për sa i përket anës profesionale jap kontributin tim për fushën për të cilën studioj.

Lediana Albesi, financë “Erioni Ndërtim”

LEDIANA ALBESI

E përfitova vendin e punës nga studimi sistematik gjatë tre viteve me rezultate të mira, gjithashtu dhe aktivizimi që kam treguar në aktivitetet e ndryshme që Universiteti “Luarasi” organizon. Më ka ndihmuar të kuptoj që ambicia ime mund të arrihet vetëm duke punuar fort dhe të planifikoj çdo hap. Kam filluar t’i prek gjërat që nga fillimi, hedhja e një fature, e një mandat pagese e deri tek rakordimi i librave të blerjes. Kam përvetësuar shumë mirë përdorimin e programit të Financa 5-së çdo ditë me dëshirë dhe vullnet. Ekonomia si një degë e gjerë të mëson shumë. I gjithë stafi që në takimin e parë të intervistës më ka mbështetur, duke më zgjedhur një vend për t’ju përshtatur aftësive të mia fillestare. I jam mirënjohëse z. Irfan Hysenbelliu për mundësinë që i ofron studentëve pranë kompanisë, ku njëkohësisht mësojnë, punojnë dhe paguhen. Gjithashtu i jam shumë mirënjohëse shefes së financës së firmës së ndërtimit “Erjoni sh.p.k”, Lediana Sinani dhe gjithashtu mirënjohëse “Departamentit të Burimeve Njerëzore që më ka qëndruar pranë. Aktualisht studioj. Jam në vit të parë Master Shkencor. Orari është i përshtatshëm, sepse mësimin e frekuentoj pasdite. Vështirësi kam në volumin e lëndëve, por përpiqem të jem e rregullt dhe të mos humbas asnjë orë mësimi.

Ergys Doraci, menaxher marketingu “Panorama Group”

ERGYS DORACI

“Luarasi” për mua është më tepër se një shkollë. Është një mundësi për t’u zhvilluar më tej, për t’u pajisur me aftësitë e duhura të profesionit që dëshiron të kesh. Përveç kësaj, pa dashur të tingëllojë si klishe, do thoja që “Luarasin” e shoh si një familje të madhe, që është aty për ty në hapat e parë, që nuk të lë vetëm derisa të qëndrosh bindshëm mbi këmbët e tua. Me rekomandimin e Zyrës së Këshillimit të Karrierës arrita të punësohem në departamentin e marketingut te “Panorama Group”, pjesë e “HB Group”. Jo të gjithë kanë mundësinë të punojnë në profilin e tyre menjëherë pas mbarimit të Bachelor, kështu që për këtë i jam mirënjohës “Luarasit” dhe “HB Group”. Gëte thotë, “Dija është ajo që mbetet pasi kemi harruar gjithçka që kemi mësuar”. Ajo nuk ka fund, kështu që askush prej nesh nuk mund të pretendojë se ka mësuar apo lexuar mjaftueshëm. Përfundimi i tri apo pesë viteve shkollim nuk nënkupton që dijet përfundojnë këtu, sepse shkenca dhe teknologjia ecën përpara. Bota bën progres me hapa gjigandë, dhe minimalja që ti si individ mund të bësh, është që t’i mbash hapin. Përpos punës, vazhdoj edhe masterin për “Menaxhim Ekzekutiv” pranë “Luarasit”. D.m.th jam shembull i gjallë i motos “Puno dhe Studio”. Është definitivisht një avantazh i madh që, ato që lexon në teori, të kesh mundësinë t’i shohësh teksa zbatohen, kështu edhe vetë teoria merr më shumë kuptim. Duke lënë mënjanë vlerën materiale, marketingu është një fushë që më pëlqen të punoj. Dega “Administrim biznesi” po ashtu të lë hapësirë për të manovruar në fusha të ndryshme dhe pse jo, për të zbuluar çfarë të përshtatet më tepër dhe çfarë e sheh veten, duke bërë pjesën e mbetur të jetës. Është një ndryshim i vërtetë të kalosh nga jeta studentore në jetën e punës. Një punë me një orar stabël kërkon angazhim dhe përgjegjësi. Është patjetër një lloj ngarkese me të cilën si student nuk isha mësuar. Orari i masterit fatmirësisht është i favorshëm. Nisim në orën 5 zakonisht, pra nuk ka përplasje oraresh me punën. Në shumicën e rasteve, rastis që sapo dal nga puna shkoj direkt në shkollë. Patjetër që lodhja është e pamohueshme, por motivimi për t’ia dalë mbanë është më i madh se aq! Realisht, duke qenë edhe puna e parë për mua, nuk prisja një terren kaq bashkëpunues dhe pozitiv. Terreni ishte definitivisht shumë mikpritës dhe për këtë jam pafund mirënjohës ndaj tre kolegëve të mi të zyrës. Kam pasur mbështetjen e tyre maksimale që nga dita e parë, qoftë për të më shpjeguar si funksionon zyra e për çfarëdolloj problemi apo paqartësie.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 129

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top