Ato që janë nëna dhe ato që duan të bëhen le të mbajnë dëshirën e tyre të mëmësisë dhe unë do të mbaj dëshirën time për të mos u bërë nënë.
Mos mendoni që i urrej fëmijët, jo përkundrazi, i dua, i dua shumë, ama kjo shumë asnjëherë nuk ka qenë aq e fortë sa të më bëjë nënë. I dua fëmijët aq…sa të shijoj gjithë pafajsinë dhe ëmbëlsinë e tyre, sa të luaj dhe të ndihem dhe vetë fëmijë, sa të bëj një shëtitje duke shtyrë një karrocë, sa të emocionohem kur ju ble dhurata, sa të mos bezdisem kur shoqet e mia nëna të bëjnë muhabet fëmijësh në tavolinë…sa të mos më duhet të ndihem përgjegjëse për një qenie krejt të pambrojtur.
Jam rreth të 30-tave, nuk kam marrë asnjë vendim, por e kam ndier shumë vite më parë që nuk dua të bëhem nënë, e ndiej dhe që edhe në vitet që do të vijnë, nuk dua të bëhem nënë.
Nëpër biseda miqsh (të cilët janë prindër) shpesh jam “sulmuar” mbi faktin se përse unë nuk dua fëmijë. Po po….nuk dua dhe kam të drejtë të mos dua, po aq sa keni të drejtë të bëni fëmijë ju që doni.
Unë nuk paragjykoj asnjë nënë me fëmijë, apo nënë të ardhshme (dhe pse dhe unë kam shumë rezerva mbi mëmësinë e tyre) pse duhet të paragjykohem unë që nuk dua të bëj fëmijë?
Nuk dua të bëj fëmijë se jam “e paaftë”. Jam e paaftë të mbaj përgjegjësi të tillë, jam e paaftë të mos qaj e të mos humbas toruan në një moment sëmundje të një fëmije, jam e paaftë të mos dorëzohem nëse fëmija më kërkon diçka dhe nuk ia siguroj dot, jam e paaftë të mos shikoj se ku do rritet, jam e paaftë të mos përfshihem nga pasiguria, jam e paaftë të lind një fëmijë si një shtojcë timen dhe jam e paaftë të besoj që do jem një nënë e mirë.
Nuk dua të bëj fëmijë sepse nuk më bindin ende arsyet që më thonë se përse duhet të bëj një fëmijë: bëje ta kesh kur të plakesh, bëje për të bërë një lidhje më të fortë, bëje se pale sa i bukur do jetë, bëje se çfarë kuptimi do i japësh jetës, bëje se do ikin vitet dhe do bëhesh pishman, bëje se për kë do punosh, bëje se është gëzim i madh…
Nuk dua të bëhem nënë sepse të gjitha arsyet më sipër më vijnë erë egoizëm…në të gjitha arsyet më sipër nuk flitet për fëmijën, flitet për një shtojcë tënden, që….ti po e bën për veten. Nuk e di a do plakem, ndaj nuk dua të bëj një fëmijë që ta kem kur të plakem.
Unë kam një lidhje shumë të fortë, e cila ka ardhur duke u forcuar dhe pse kurrë nuk kemi dashur të bëjmë një fëmijë. Unë nuk mund të bëj një fëmijë, për të parë do jetë i bukur, do jetë një “mini unë”, do i ketë sytë kafë, të zinj a bojëqielli. Unë kam shumë kuptime në jetë, një fëmijë mund të ndryshojë kuptimet, por jo të jetë kuptimi i jetës sime.
Unë jam rreth të 30-tave, këtë temën martohu e bëj fëmijë e kam dëgjuar që 20, ka ikur mbi një dekadë, nuk e di dhe sa vite të tjera duhet të ikin që të bëhem pishman. Unë kam shumë vite që punoj, kam kuptuar që punoj për vete, madje ndonjëherë nuk më del as për vete.
Një fëmijë që të rritet mirë nuk do vetëm shumë dashuri, do edhe shumë para. Ndryshe… Është e thjeshtë: ndryshe nuk do rritet mirë. Të mos bëjmë hipokriten në këtë pikë.
Unë në përgjithësi jam njeri i gëzuar…një fëmijë mund të ma shtonte gëzimin, po aq sa të ma pakësonte.
Unë nuk dua të bëhem nënë!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.