FB

November 16, 2021 | 8:30

TEST / Jeni njeri empatik?

Ta vësh veten në vend të tjetrit, të “nuhasësh” para se “të kuptosh” gjendjen e tyre shpirtërore, ndjenjat e tyre. Kjo aftësi është një antenë e çmuar në marrëdhëniet me të tjerët. Mundohuni të zbuloni se sa të aftë jeni të hyni në sintoni me ata që ju rrethojnë. A jeni një njeri empatik? Zbulojeni me anë të testit tonë.

  1. Hyni në një dhomë me një grup njerëzish. Është një moment heshtjeje.

a. Uleni dhe pyesni personin ngjitur që t’ju shpjegojë se çfarë po ndodh

b. Tregoni një barsaletë për të lehtësuar situatën

c. Uleni dhe mundoheni të ndjeni se cila është klima e grupit dhe gjendja shpirtërore e të pranishmëve

  1. Shihni në rrugë një fëmijë që qan, sepse e ëma i ka dhënë një shuplakë…

a. Ndjeni një shtrëngim në zemër dhe trishtoheni shumë

b. Pyesni veten si do të qetësohet i vogli dhe çfarë adulti do të bëhet

c. Nuk i duroni dot të qarat e fëmijëve, ndaj kërkoni në çantë ndonjë karamele që t’ia jepni

  1. Një familjar i juaji ka ditë që është i zymtë…

a. Vendosni ta pyesni: “Më duket se diçka nuk shkon. Ndoshta ke ndonjë problem dhe do të më flasësh?”

b. Nuk arrini të kuptoni dot sesi askush në ditët e sotme nuk është i kënaqur, duke qenë se ju jeni

c. I afroheni me drojë dhe kujdes dhe i bëni të kuptojë se e ndjeni shqetësimin e tij, se kjo gjë ju trishton dhe ju. Mundoheni t’i transmetoni afërsinë dhe solidaritetin tuaj

  1. Në restorant, një mikeshë ju tregon duke qarë një zhgënjim të madh dashurie…

a. Ju ikën uria. Dilni nga restoranti të përqafuara, pa ngrënë darkë

b. I tregoni me të gjitha detajet për atë herë që ju ndodhi dhe ju e njëjta gjë

c. Kujtoni kur ju ka ndodhur e njëjta gjë dhe ndjeni se e kuptoni thellësisht gjendjen e saj shpirtërore

  1. Një çift miqsh po ju tregon me entuziazëm për një udhëtim që kanë bërë…

a. Dëgjoni me kuriozitet dhe me pak zili. Kur do të shkoni dhe ju në një udhëtim të tillë?

b. Dëgjoni me interesim të madh, dhe pyesni veten se si do të ishit ju në vendin e tyre

c. Merrni fjalën dhe tregoni dhe ju për një nga udhëtimet tuaja të paharruara

  1. Një mikeshë ju thotë se ka vështirësi të mëdha financiare

a. Nuk i thoni asgjë, por i fusni në xhep një zarf me lekë

b. Ndiheni menjëherë shumë e përfshirë, njësoj sikur të ishte një problem i juaji. Qëndroni gjatë për të biseduar me të dhe së bashku gjeni zgjidhje të mundshme

c. E dëgjoni teksa ju tregon gjithë situatën dhe në fund ofroheni t’i jepni lekë hua

  1. Një kolege është ulur përballë jush këmbë përmbi këmbë, me krahët e kryqëzuara në kraharor dhe po ju mbush me komplimente për ngritjen në detyrë…

a. I thoni: “Faleminderit, por më duket se kjo gjë po të vë në siklet. Ke dëshirë të më tregosh sesi ndihesh në këtë periudhë?”

b. Zhyteni në komplimente dhe i thoni se mendoni se e meritoni përparimin dhe se ju vjen mirë që ajo e ka kuptuar këtë gjë

c. I thoni se është një rezultat që mund ta arrijë kushdo që punon me përkushtim

  1. Në një mbledhje për punë, personi që po kontrollon CV-në tuaj vazhdon të flasë në telefon. Në fund, me zë të ulët ju thotë: “Keni referenca të mira. Do t’ju telefonojmë ne”.

a. Çoheni pa shpresë dhe largoheni duke e falënderuar

b. Ndiheni e kënaqur dhe mendoni se puna do të jetë e juaja

c. Çoheni e çorientuar, duke e sharë në heshtje se ishte i paedukuar

Më shumë A | DOZA TË LARTA EMPATIE

Keni doza të larta empatie. Dini të vendosni veten në vend të atij që keni përballë. Nuk dëshironi “të gjykoni”. Para se “të kuptoni” jeni në gjendje “të ndjeni” ndjenjat e të tjerëve, duke reaguar me hapje, besim, transparencë, ndjeshmëri. Dini të kuptoni gjendjen shpirtërore të atij që keni përballë, të bëheni njësh me ndjenjat e tij, të sintonizoheni me atë që ndjen personi tjetër. Për ju është e natyrshme të përfshini në komunikim shenjat joverbale, ato të shprehura nëpërmjet gjuhës së trupit: gjestet, shikimin, qëndrimin, mimikën e fytyrës. Aftësitë tuaja empatike janë kaq të zhvilluara, saqë nganjëherë bëheni njësh me to dhe shndërrohen në simpati, keqardhje, dhimbshuri.

Më shumë B | NUK JENI EMPATIKË

Aftësitë tuaja empatike janë të pakta. Mund ta perceptoni klimën e një situate, por nuk ia dilni të përballoni ndjenjat shumë të forta. Keni frikë të përfshiheni, se mos “pushtoheni” nga ndjenjat e atyre që keni përballë. Për këtë arsye preferoni që të vendosni mes tyre barrierën e skemave tuaja mendore dhe intelektuale, të zakoneve dhe bindjeve tuaja. Keni më shumë familjaritet me “të kuptuarin” (që është një veprim intelektual), sesa me “gjithëpërfshirjen” (që është një veprim i shpirtit dhe zemrës). Në mënyrë që t’i kuptoni, të tjerët duhet t’i drejtohen kokës suaj, sepse shpirti juaj është i shurdhët ndaj problematikave të tyre.

Më shumë C | JENI EMPATIKË, POR PA E EKZAGJERUAR…

Keni aftësi të mira empatike. Jeni të aftë të sintonizoheni me gjendjen shpirtërore të atyre që keni pranë, por pa e ekzagjeruar. Ndonjëherë nuk kuptoni, dhe ndonjëherë bëni sikur nuk kuptoni. Keni vendosur se të qenit empatikë është një gjë e mirë, por t’i jepni shpirtin tuaj të tjerëve: jo. Mundoheni të vlerësoni rast pas rasti nëse bashkëbiseduesi juaj e meriton një sforco empatie nga ana juaj, apo është duke kërkuar simpatinë tuaj me çdo kusht, dhembshurinë, mëshirën. Dhe në rast se është kështu, keni tendencën t’ia prisni shkurt.

 

 

Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 161

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top