Këndi i të rinjve

August 22, 2018 | 8:14

Tinguj romantikë / A është vallë i njëjti zjarr me atë të dashurisë?

Nata ka rënë. Një muzg i qetë shoqëron nën flakët e zjarrit dy shpirtra të dashuruar. A të jetë vallë i njëjti zjarr me atë të ndjenjës më të lartë humane, atë të dashurisë?

Enveida Kajushi, studente

Enveida Kajushi, studente

Zogjtë ishin strukur varg më varg me njëri-tjetrin për të gjetur ngrohtësinë në folezën e tyre. Vështirë tanimë të cicëronin. Era e acartë fëshfërinte butësisht në atë mbrëmje të njelmët, barin e akullt. Zanat e pemëve vallëzonin këndshëm me rërën që ngrihej nga era. Dallgët lozdronin me shkëmbinjtë si dy të dashuruar të pabindur, krenarë dhe shumë kokëfortë për të dashuruar pa u nënshtruar. Zhurmë e dashurisë së tyre gëzonte të dashuruarit humanë. Ata ishin arratisur nga një realitet për të ardhur në një tjetër paksa më abstrakt. Kishin ngjitur maja kodrash dhe në atë më të bukurin kishin vendosur destinacionin e tyre. Shtrirë me tokën ishin bërë njësh e tek qielli po zotëroheshin. Hëna vetmitare tashmë nuk ishte më e tillë. Ajo po gëzonte nga meloditë e syve të të rinjve që qeshnin aq bukur. Yjet si milionëza dritëza në qiell ishin harmonia e kësaj nate melodioze.

4Zogjtë, pemët, dallgët, shkëmbinjtë s’ishin mjaftueshëm për një surprizë. Kulmin e saj do e arrinte veç një dedikim me kitarën ndër duar, që shprehte përsosmërisht një romanticitet virtuoz. Një tringëllimë note pasonte një tjetër.  Por ajo që e zbukuronte akoma më shumë këtë muzikë ishin rrahjet e zemrës së të rinjve. Rrihnin, por jo si kurdoherë. Rrihnin aq fuqishëm sikur po i këndonin pentagramit të ndjenjës jetësore të të çmendurve shtegimtar.

Çuditërisht, arkitektura e zemrës qenka e ndërtuar edhe për të krijuar shtigje muzike përveçse ylber ndjenjash. Të fut në udhëkryqe pa e ditur se fluturat nuk jetojnë përjetësisht. Megjithatë, shpirti i tyre vështirë të largohet atëherë kur nuk do ta lejosh.

Përballë zjarrit u harruan, ngase ai u reflektua në sytë e tyre. Përballë horizontit të pafund u përhumbën, ngase thellësia e zërit të zemrës nuk kishte nevojë të ulërinte. Përballë pikturës se natyrës u zgjuan, ngase një yll ra e një dëshirë duhej të shprehej. Një dëshirë si: Unë dhe Ti në përjetësi.

Papritur një zhurmë bezdisëse u dëgjua diku atje tutje, por jo në këtë realitet abstrakt, në një më të rëndomtë. Nga ajo vdiqën valët, u zhdukën shkëmbinjtë, kishte mbetur veç hëna, por ajo po qante, ndërsa yjet… yjet ishin fshehur për në një kozmos tjetër.

Stilolapsit i mbaroi boja, ngase gjithçka paskësh qenë një ëndërr. E si vallë mund të ishte një përrallë kaq e bukur në këtë jetë, veçse një përrallë e jetuar për së gjalli në zhgjëndrrën e realitetit.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top