Në fokus

November 2, 2015 | 8:00

Tranzicioni i mban gjallë martesat e shëndetshme!

fleuraNga: Fleura Shkëmbi

Të gjitha martesat e shëndetshme përjetojnë ndryshime dhe tranzicion, por kjo i mban ato gjallë dhe në rritje!Psikologu Tournier u shpreh se është martuar gjashtë herë dhe gjithmonë me të njëjtën grua. Ai nuk u divorcua asnjëherë sepse martesa e tij kaloi nga njëri stad në tjetrin.

Të gjitha martesat përjetojnë ndryshime dhe tranzicion por kjo i mban ato gjallë dhe në rritje. Disa stade të rritjes/zhvillimit janë të paracaktuara ndërsa disa të tjera jo. Një ndarje kronologjike e stadeve të martesës është:

Martesa e re (0-5 vjet)

Vitet e mesit (6-25 vjet) të cilat korrespondojnë me stadin e prindërimit aktiv

Vitet e vonshme (26 + vjet) që quhen edhe vitet e “folës bosh”

Jo të gjitha martesat mund të përshtaten në këto kategori. Ato që janë në martesën e dytë mund ta kenë periudhën më të shkurtër, megjithatë të gjithë kalojnë përmes disa detyrimeve gjatë çdo stadi.

Romancë

Zhgënjim

Dashuri të maturuar

Në këtë cikël, stadi i cili shfaqet më shpejt është ai i zhgënjimit, shpesh menjëherë pas muajit të mjaltit. Harrar and De Maria në 2007, identifikuan 7 stadet e martesës:

Pasion

Realizim

Rebelim

Bashkëpunim

Ribashkim

Shpërthim

Përmbushje

Sido që ta përshkruajmë ne, martesa është një proces, është një zhvillim, një rrugëtim gjatë të cilit do ketë edhe të papritura. Çiftet të cilat e dinë se çfarë të presin gjatë periudhave të tranzicionit e kanë me të lehtë për t’u përballur dhe të gjejnë burime të cilat do t’i ndihmojnë për ta kaluar. Tri arsyet kryesore të divorcit janë: Mungesa e angazhimit; shumë konflikte dhe zënka; tradhti. Në të kundërt martesat e suksesshme janë ato që kanë në thelb mirëkuptimin dhe angazhimin. Ata flasin për punë më njëri–tjetrin si edhe për martesën vet si koncept. Çiftet e martuara bëjnë një angazhim të dyfishtë. I pari është për njëri-tjetrin dhe i dyti për martesën si institucion, që përfshinë mbështetjen për rritjen e fëmijëve dhe besimin se martesa është për gjithë jetën. Ky përkushtim të çon drejt intimitetit dhe martesës së lumtur. Shumë të martuar që mund të jenë duke e lexuar, mund të mendojnë ndryshe. Gjithsecili ka krijuar zakonin dhe ritualet e veta të jetës në çift. Që një martesë të jetojë gjatë, kërkon kaq shumë përkushtim sa jo të gjithë mund t’ia dalin. Askush nuk e di se çfarë do ndodhë gjatë rrugës, e rëndësishme është që ecja të jetë së bashku, që partneri të jetë aty, ti të kesh sigurinë se nuk je vetëm.

Në jemi duke folur në përgjithësi, apo çfarë ka dalë nga studimet, por secila martesë ka të përbashkëtat, ndarjet, sekretet e veta. Kur flas për sekrete, dua të them se të gjithë kanë. Disa i tregojnë dhe disa të tjerë i mohojnë ose i ruajnë më fanatizëm. Për mua nuk është për t’u shqetësuar nëse komunikon me partnerin. Kam patur raste kur kanë folur hapur se kanë tradhtuar, por nuk duan të prishin martesën sepse e duan bashkëshortin/bashkëshorten. Kam takuar femra të cilat përjetojnë ankth dhe trajtohen më anksiolitik vetëm se nuk mund t’i thonë askujt se kanë bërë “tradhti”… për të mos harruar se tradhtia të femrat është e palejueshme, ndërsa te meshkujt mund edhe të ndodhë për vetë natyrën e tyre. Nuk jam aspak dakord më këtë mit sepse kanë qenë po meshkujt që kanë përjetuar ankth kur kanë patur marrëdhënie paralele.

 Një femër shumë simpatike e cila ishte martuar pa dashuri dhe për disa vite nuk e kishte dashur bashkëshortin e vet, kur shkon diku jashtë për të punuar, fillon të afrohet me dikë tjetër. I shkruan menjëherë bashkëshortit që punonte në një qytet tjetër që të kthehej menjëherë, përndryshe rrezikohej martesa. Ajo vendosi të ndodhte në këtë mënyrë sepse e dinte vazhdimin.

Ka raste në të cilat komunikimi është aq i mirë saqë ka mirëkuptim edhe nëse dikush ka përjetuar një marrëdhënie tjetër. Kjo sepse ti e di që të gjithëve ju ndodh mendërisht, por vazhdimi varet nga rrethanat dhe kushtet e gjithsecilit. Nëse dikush tradhton, problemi nuk qëndron këtu, por te fakti që partneri tjetër nuk e kalon dot, nuk e harron dhe vazhdon ta rikujtojë dhe ta sjellë të pranishëm në çdo situatë të jetës, duke lënduar veten dhe partnerin.

Po flasim për çiftet heteroseksuale sepse përbëjnë shumicën, por të njëjtat problematika, shqetësime, dashuri, urrejtje, përjetojnë edhe çiftet homoseksuale. Kam punuar me disa prej tyre dhe është e njëjta dinamikë kur bashkëjetojnë. Ndoshta ata përjetojnë më shumë ankthin e ndarjes sepse situatat janë më të vështira për t’u pranuar nga shoqëria.

Martesa dhe frika ndaj saj vazhdojnë të jenë një nga çështjet më të diskutuara. A duhet të martohemi kur e dimë se shumë do të ndahen gjatë rrugës? Nëse e shikojmë si një udhëtim ku do jemi bashkë me njëri-tjetrin por që duhet t’i lëmë hapësirë për të marrë frymë edhe partneri, atëherë pse mos t’i kalojmë bashkë edhe momentet e bukura por edhe ato të vështirat? Jam pro martesës me njeriun të cilin e ndieni se është i përshtatshëm për ju, e ndieni se do t’ju mungojë nëse largohet një ditë….

 

­

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top