Në fokus

October 18, 2017 | 10:15

Traumat e vogla të njerëzve të rritur

Fjala “traumë” nuk është e panjohur. Në jetën e përditshme, e përdorim për të emërtuar një ngjarje që na shkakton stres të madh. Kjo fjalë e ka origjinën nga gjuha greke dhe do të thotë “plagë”. “Trauma” është një term i gjerë, por kuptimi thjeshtohet nëse e përfytyrojmë atë si një medalje me dy anë. Njëra anë e traumës është ana objektive: ngjarja që na ka ndodhur. Ana tjetër e traumës është ana subjektive: mënyra sesi ne e kemi përjetuar atë ngjarje. Ndaj, sa herë të ndesheni me fjalën “traumë”, duhet t’i keni parasysh të dyja këto aspekte: edhe ngjarjen, edhe përjetimin. E para ndodh jashtë nesh, ndërsa e dyta, brenda nesh.

Lediona Braho, psikologe klinike

Lediona Braho, psikologe klinike

 

Ngjarjet që ndodhin jashtë nesh mund të jenë natyrore (një tërmet a një përmbytje) ose njerëzore (një keqtrajtim a një përdhunim). Këto ngjarje mund të ndodhin një herë në jetë (një aksident me makinë) ose të ndodhin në mënyrë kronike dhe të përsëritur (një abuzim në fëmijëri). Për fat të mirë, shumë njerëzve nuk u kanë ndodhur ngjarje të tilla “të mëdha”. Mirëpo, janë disa ngjarje që na kanë ndodhur të gjithëve dhe për të cilat mund të mos jemi ende plotësisht të vetëdijshëm për ndikimin që ato kanë pasur tek ne.

foto-ledi 

E mbani mend mënyrën sesi reagonte nëna juaj kur ju vriteshit ose bënit ndonjë gabim? Po mënyrën sesi reagonte babai kur kthehej në shtëpi dhe shihte që nuk i kishit bërë detyrat? Kur prindërit tuaj zemëroheshin si silleshin ata me njëri-tjetrin? Si ju trajtonin vëllezërit ose motrat? Ju kujtohet fytyra e mësueses së klasës së parë kur ju qortonte? Për shumë prej jush, këto pyetje mund të duken të lehta për t’u përgjigjur. Për një pjesë tjetër, mund të jenë kujtime të vagullta ose të harruara. Do të pyesni: çfarë mund të thonë këto për ne kur janë kaq të largëta dhe në dukje, “të parrezikshme”?

Shpesh, njerëzit vijnë në terapi me nevojën për të zgjidhur shqetësimet e jetës së përditshme. Vështirësi në punë. Marrëdhënie konfliktuale. Simptoma ankthi ose depresioni. Probleme me gjumin. Mbingrënie ose refuzim të ushqimit. Paaftësi për të menaxhuar zemërimin. Ndjenja të mëdha faji. Përjetime të zgjatura zie për një person që ka vdekur para disa vitesh. Mendime për të lënduar veten. Të gjitha këto shqetësime kanë një origjinë, një pikënisje. Kur personi pyetet kur i kanë filluar shqetësimet dhe ai nuk arrin të identifikojë një moment specifik, atëherë eksplorojmë të shkuarën dhe gjatë këtij eksplorimi, kuptojmë se shkaqet janë të hershme.

Literatura për traumat sugjeron që ngjarjet familjare që kanë ndodhur në të shkuarën kanë lënë gjurmë në zhvillim. Disa prej tyre, në dukje fare “të parëndësishme” mund të kenë pasur përmasa traumatike kur kemi qenë të vegjël. Këto ngjarje janë të lidhura ngushtë me historinë personale të secilit prej nesh.  Për këto arsye, ato quhen “trauma me ‘t’ të vogël” dhe roli që ato kanë pasur (dhe vazhdojnë të kenë, në mënyrë të tërthortë) në personalitetin dhe në sjelljen tonë, është i madh.

Lajmi i mirë është se çdo traumë mund të kapërcehet. Më kryesorja është të kuptoni se, nuk mundeni t’i ndryshoni ngjarjet që ju kanë ndodhur. Që do të thotë se nuk keni çfarë të bëni me aspektin objektiv të traumës. Ajo që ka ndodhur, ka ndodhur dhe ju nuk mund ta çbëni. Nuk mund të ndërhyni te gjërat që ndodhin jashtë jush.

Disa mund t’i drejtohen besimit dhe disa shkencës, por sërish do të arrini në një pikë: disa ngjarje janë të pandryshueshme dhe ndodhin për një arsye apo një tjetër. Po çfarë mund të bëni? E thjeshtë: do të merreni me atë që mund t’i ndryshoni: me veten. Konkretisht, ju mund të ndryshoni atë që ndodh brenda jush, ose aspektin subjektiv të ngjarjes që keni përjetuar. Pavarësisht se disa ngjarje jua kanë tronditur ekuilibrin e brendshëm, ju mund të punoni për ta rifituar atë ekuilibër, nëse zgjidhni të kërkoni ndihmë dhe të merrni mbështetjen e duhur, pavarësisht nëse mund ta bëni shumë kohë pas ngjarjeve të fëmijërisë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top