Mirëqenie

October 18, 2017 | 10:14

Si të zhvillojmë baktere të shëndetshme te fëmijët dhe të pakësojmë rrezikun e sëmundjeve

Sot fëmijët shpenzojnë shumë më pak kohë jashtë shtëpisë, krahasuar me 20 vjet më parë. Në mënyrë urgjente, ne duhet të gjejmë mënyra për të ndryshuar sjelljen tonë, që mikrobet tona të funksionojnë siç duhet. Një studim i vitit 2015 nga fëmijët që jetojnë në fshat mund të jenë më pak të prirur për të zhvilluar astmë. Fëmijët që rriten në ferma ose kanë kafshë shtëpiake janë 20 për qind më pak të riskuar për t’u prekur nga astma në fëmijëri në moshën 6-vjeçare, falë mikrobeve me të cilat bien në kontakt. Meqë nuk mund të shpërngulemi për të jetuar në fshat, ne mund t’i ndihmojmë fëmijët duke u mundësuar jetesën në një mjedis më pak të pastër se ai që kemi krijuar për ta.

1

Lediona Braho, psikologe klinike

Lediona Braho, psikologe klinike

Për shembull, mund të marrim një kafshë shtëpiake dhe ta lëmë të luajë me të. Po ashtu, nëse pastrojmë gjithçka që futet në gojën e fëmijës, shtojmë rrezikun e astmës, rrezik që pakësohet nëse objekti pastrohet në gojën e prindit. Duke luajtur jashtë, fëmijët zhvillohen edhe më mirë fizikisht. Një shëndet i mirë i mikrobeve te fëmijët mund të arrihet edhe përmes dietës. Dieta perëndimore: shumë yndyrna, sheqer dhe dridhëra të përpunuara, lidhet me një numër sëmundjesh (obeziteti dhe diabeti i tipit 2). Sipas një studimi të kryer në vitin 2010, që krahasoi mikrobiomën e fëmijëve që jetonin në Burkina Faso, në Afrikën Perëndimore, me mikrobiomën e fëmijëve që jetonin në Italinë urbane, gjeti se, fëmijët afrikanë kishin një dietë me shumë fibra: perime, drithëra dhe legume, jo ushqime të konservuara, ndërsa dieta e fëmijëve europianë ishte me sheqer, yndyrna shtazore dhe drithëra të përpunuara. Edhe mikrobet e stomakut të dy grupeve të fëmijëve ishin shumë të ndryshme. Kjo nuk do të thotë se fëmijët afrikanë kishin stil jete më të shëndetshme se fëmijët italianë, por ata ishin në risk më të ulët për të vuajtur nga sëmundje të sistemit imunitar. Një mënyrë tjetër për t’u shërbyer mikrobeve të stomakut është kufizimi i antibiotikëve. Prindërit nuk duhet të mendojnë se të gjitha infeksionet duhet të trajtohen me këto barna. Infeksionet e traktit të sipërm të frymëmarrjes, të ftohtët dhe dhimbjet e fytit shpesh shkaktohen nga viruset, ndaj barnat antibakteriale nuk i kurojnë ato. Nëse fëmija ka infeksion në vesh, duhet pritur për disa ditë për të parë nëse bëhet më mirë para se të nisim terapinë me antibiotikë. Një kërkim i kryer në vitin 2015 tregoi se nivelet e infeksionit me grip, pneumoni dhe sinozit ishin më të larta në shtëpitë ku përdorej zbardhuesi për pastrim. Në këtë kërkim, pëdorimi i zbardhuesit u lidh me uljen e imunitetit. Produktet antibakteriale të pastrimit dhe higjienizuesit e duarve përmbajnë shumë kimikate që janë vërtet të këqija për familjet, pasi dëmtojnë sistemin endokrin, shkaktojnë probleme zhvillimore dhe pubertet me fillim të hershëm. Antibakterialët i vrasin të gjitha bakteret pa dallim; edhe ato të mirat, për të cilat fëmijët kanë nevojë. Prandaj, ekspertët rekomandojnë shmangien e sapunit antibakterial dhe përdorimin e një sapuni të rregullt, si dhe përdorimin e pastruesve natyrorë: uthull, ujë, sodë buke, lëng limoni. Përveç mënjanimit të të gjitha produkteve antibakteriale, mund të ndryshoni rutinën e larjes. Pra, mos pastroni çdo sipërfaqe, mos i lani fëmijët përditë dhe jepuni atyre kohë për të luajtur jashtë. Shoqata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ndërmori disa hapa të dobishme para tre muajsh, duke ndaluar përdorimin e disa kimikateve në sapunët antibakterialë. Kërkuesja Marie-Claire Arrieta tregon se foshnjat e lindura me prerje cezariane kanë risk më të madh për astmë, sëmundje kolike, obezitet dhe autizëm. Prandaj, një praktikë e njohur është ajo në të cilën foshnjat e lindura me prerje cezariane lyhen me mikrobet vaginale të nënës. Nëse do të lindnin në mënyrë natyrale, ato do të ekspozoheshin ndaj mikrobeve në kanalin e lindjes, të cilat do t’i ndihmonin për zhvillimin e sistemit imunitar. 

Bakteret e stomakut, një organ i ri me të ardhme premtuese

Zbulimet e fundit kanë bërë që shkencëtarët ta quajnë mikrobiomën tonë një organ të ri, ndoshta, organi i fundit njerëzor i zbuluar nga mjekësia moderne. Shumë pjesë të mozaikut mbeten ende të paplotësuara. Ne jemi ende vite larg nga njohja e rolit të mikrobeve te mirëqenia jonë, por ajo që dimë për rëndësinë në vitet e para të jetës është thelbësore. Një gjë është mëse e qartë: ruajtja e stadeve të para të zhvillimit të mikrobiomës sonë ka një ndikim shumë të rëndësishëm në shëndetin tonë. Tani kërkimet po drejtohen nga terapitë e reja me potenciale parandaluese, që përfshijnë bakteret. Kërkuesi kanadez Marc Ouellette, duke vlerësuar rolin e rëndësishëm të mikrobeve, pohon se ka një lidhje të qartë edhe midis mikrobiomës dhe disa ngjarjeve në trurin tonë, përmes atij që njihet si aksi stomak-tru. Me këto njohuri, duhet të fillojmë të kuptojmë se mikrobet/bakteret janë thelbësore për zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve. Sigurisht, nuk nënkuptojmë se higjiena është e panevojshme. Përkundrazi, higjiena është thelbësore për shëndetin. Ne nuk mund të ndalim larjen e duarve, por duhet ta bëjmë atë në kohën e duhur: para vakteve dhe pas përdorimit të tualetit. Momentet e tjera janë më pak të nevojshme. Duke e “tepruar”, ne i largojmë fëmijët nga bakteret, të cilat janë thelbësore për zhvillimin e sistemit të tyre imunitar. Prandaj, është koha për t’u thënë “jo” antibiotikëve, për t’u ushqyer më mirë dhe për t’u bërë pis. Nëse fëmija juaj po luan në oborr me baltë, nuk është nevoja ta pastroni baltën. Ruani një ekuilibër midis parandalimit të infeksioneve dhe ekspozimit ndaj mikrobeve dhe… lëreni të luajë! 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top