Marrëdhënie

October 14, 2015 | 11:50

Tre tipe baballarësh

1AUTORITARI

Si e jeton përditshmërinë prej babai?

Ky tip babai, më tradicionali, do të jetë gjithnjë mjaftueshëm i pranishëm, por më shumë me “fjalë” sesa me “vepra”. Do të ndërhyjë në konflikte të vogla për të vendosur rregulla ose kur duhen marrë vendime familjare të rëndësishme. Është paksa si kapoja i tribusë dhe vihet në rolin e prindit mbrojtës. Në jetën e përditshme e lë shpesh mamanë që të organizojë veprimtarinë ditore: të kontrollojë detyrat e fëmijëve, të zgjedhë dadon, të lërë takim me dentistin…

Pikat e forta

Një baba i këtij tipi është shumë sigurues për një fëmijë që, me të, ndihet i mbrojtur dhe i sigurt, në gjendje për t`u përballur me botën. Fëmijët kanë nevojë për kufij, për ndalime… dhe babai “shef” i përgjigjet përsosmërisht këtyre nevojave të tyre esenciale.

Pikat e dobëta

Figura e babait autoritar priret të fshihet. Për fat, pasi ky tip edukuesi i lë pak hapësirë mamasë. Veç kësaj, një edukim shumë i ngurtë i nxit fëmijët të rebelojnë ose përkundrazi, mosbesimin te vetja.

Këshillat e ekspertit

“Nevojitet kujdes për të mos ia hequr gjithë autoritetin mamasë… është e rëndësishme që figura mëmësore të jetë autoritare sëpaku po aq sa ajo e babait. Ky tip babai duhet mbi të gjitha të kuptojë dhe të dallojë konceptin “autoritet” nga “ndëshkim”.

 

2MODERNI

Si e jeton përditshmërinë prej babai?

Babai modern është i kujdesshëm dhe që nga momenti i konceptimit e merr për zemër rolin e tij të ri e madje çmendet nga ideja e shndërrimit në baba. Është gjithnjë I pranishëm në gjërat e vogla të përditshmërisë së fëmijës. Merret me ndërrimin e bebes, i bën banjë dhe më vonë, e shoqëron në pishinë ose është i pranishëm në spektaklet që organizon me shkollën. Ky tip babai është I vetëdijshëm për rolin e tij edukativ. Di gjithnjë të gjejë kohën për të luajtur me fëmijët dhe për të qenë dëshmitar i etapave themelorë te rritjes së tyre.

Pikat e forta

Babai modern ka kuptuar se mund ta shfaqë ndjeshmërinë e tij pa rrezikuar të humbë autoritetin. Atë autoritet që, për më tepër nuk ka frikë ta ndajë me mamanë e fëmijëve të tij. Dhe fëmijët e perceptojnë duke shmangur krijimin e rivaliteteve mes prindërve, pasi mamaja dhe babai ndjekin të njëjtën metodë edukative. Gjë tepër bazike për zhvillimin e fëmijës.

 Pikat e dobëta

Ekspertët tremben se mos një sjellje e tillë e babait, duke u afruar shumë me fëmijën, mund të bëjë që ky i fundit ta harrojë rolin primar të prindit. Risku është që ky baba të shndërrohet shumë shpejt në një “mik” më shumë sesa një prind i vërtetë gjë që e vë shpesh në provë autoritetin e tij.

Këshillat e ekspertit

“Mënyra edukative e këtij tip babai mund të vërë në rrezik të gjithë rolet brenda familjes. Kështu fëmija ka gjasa të bëhet “i zoti I shtëpisë”. Por nëse babai di ta ruajë rolin e tij gjërat do të shkojnë shumë mirë!”

 

3I SIKLTOSURI

Si e jeton përditshmërinë prej babai?

Më shumë se një tjetër, babai i shqetësuar është një burrë që ka vështirësi të projektojë rolin e tij. I frikësuar, ai e refuzon mbërritjen e fëmijës. Ka vështirësi si të flasë me fëmijën si të flasë për fëmijën. Në jetën e përditshme kjo përkthehet në një shqetësim të thellë, i frikësuar se mos nuk është në lartësinë e duhur. Një baba i tillë, e vëzhgon nënën se si kujdeset për fëmijën, e ushqen, e ndërron, por, së paku në fillim, nuk përshihet tërësisht. Meraku i tij e bllokon.

Pikat e forta

Këta baballarë nuk dinë nga t’ia nisin, por kjo mund të kthehet në pikë force. Sepse, me ta ndjerë veten në lartësinë e duhur, angazhohen shumë më tepër se baballarët e tjerë, sikur të donin të rikuperonin kohën e humbur. Pak nga pak, ky baba bëhet më i sigurt në rolin e tij të ri. Ja pse ia vlen të pritet derisa ai të ndihet i sigurt në vetvete, duke shmangur vënien tij para provimit.

Pikat e dobëta

Nëse babai nuk është i pranishëm gjatë rritjes, fëmija mund të ndihet i refuzuar prej tij. Por mamaja nuk duhet të këmbëngulë që babai të merret me fëmijën, t’i përgatisë biberonin apo ta lajë, pasi kjo mund të gjenerojë tek ai tensione ose ndjesi jo të mira që bebja mund t’i perceptojë.

Këshillat e ekspertit

“Babai i shqetësuar ka shumë mundësi që të ketë vuajtur trauma në të shkuarën që tani manifestohen në frikën se mos ia transmeton fëmijës ankthet e veta. Është e rëndësishme që të përfshihen progresivisht që nga momenti i konceptimit të fëmijës. Kështu do të kenë 9 muaj kohë për t`u përshtatur me idenë e shndërrimit dhe për të pranuar rolin e tyre të ri.”

Botuar më, Qershor 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top