Marrëdhënie

October 14, 2015 | 12:05

Arben Mevlani: I edukova leximin vajzës sime

I përkushtuar në rolin e një babai të merakosur gjatë të gjithë kohës, Arben Mevlani folës i njohur në median shqiptare, rrëfen se marrëdhënia që ka me të bijën e vetme është tepër e ngushtë. Përpiqet të jetë jo vetëm prind, por edhe një shok I mirë për të mos krijuar hendeqe në lidhjen e tyre. Nuk duron dot asgjë t’i ndodhë së bijës, Arminës, pas së cilës jo vetëm “lë kokën”, por jepet me mish e me shpirt që të mos i mungojë besimi dhe dashuria e prindërve.

“Jam baba midis modernes dhe i merakosur. Duke qenë vajzë e vetme, kur rinia sotme del në fundjavë deri në orët e vona të natës, unë nuk fle gjumë pa ardhur ajo në shtëpi. Pas kësaj ore nis ta shqetësoj me telefonata, madje më ndodh të shkoj e ta marr vetë me makinë. Armina është vetëm 19 vjeç dhe kjo faze e adoleshencës më shqetëson ca. Gjimnazika qenë periudha më e vështirë pasi kisha frikë nga përdorimi i drogës, alkoolit etj”.

Studente për filozofi, por dhe një vajzë e dhënë pas së bukurës, Armina ka një shoqëri të cilën babi ia njeh mirë, madje dhe familjet e tyre. I dhënë pas këtyre detajeve të rëndësishme, burri tregon se kjo ka të bëjë me lirinë që ai i jep së bijës, që të ndjehet i qetë dhe i pashqetësuar se mund të ndodhë diçka.

“Në adoleshencë i kam qëndruar mbi kokë dhe i kam kërkuar të mos më gënjejë, pasi nga natyra unë jam vetë liberal. Ne si prindër i kemi kaluar vetë këto faza. Vijmë nga arti. Unë dikur kam qenë aktor ndërsa Mimoza balerinë, por familja shqiptare mbetet e tillë dhe këtë nuk duhet ta harrojmë. Armina më ka rrëfyer gjithçka dhe sot kemi arritur në pikën që unë vajzën e kam shoqe. Nuk e shqetësoj shumë me telefonata të tipit: arrite në shkollë, e kape orarin, u ushqeve në drekë. Kur nuk takohem gjithë ditën, për vetë punën që kam, i bëj një telefonatë për t’u interesuar si shkoi dita. Ajo është aq e hapur sa më tregon nëse do të ketë një të dashur, çfarë simpatish ka, kemi afrimitetin e duhur për ta kuptuar njëritjetrin. Ajo ka aq besim tek unë sa që kur duhet të vishet për një mbrëmje apo për t’u prezantuar si modele kërkon ndihmëntime për t’i treguar se si duket”.

Ajo që Arben Mevlanin e ka preokupuar më shumë në lidhje me të bijën kaqenë periudha e vogëlisë së saj. Tepër i ndjeshëm në mirërritjen e Arminës, i ati Mevlani nuk harron asnjë detaj që i duhej t’i kalonte nëpër duar për t’i shërbyer fëmijës me kujdesin më të madh.

“Në fëmijërinë e vajzës kam qenë baba i merakosur duke nisur që nga ushqimi. Shpesh kur isha turni i parë e përgatisja unë, e ndërroja, e çoja në kopsht, dhe sot kjo ka mbetur si traditë pasi ime bijë më kërkon shpesh që t’ia përgatis unë mëngjesin para se të dal nga shtëpia. Duke qenë dhe vajzë kam një raport afektiv me time bijë. Pikat e saj të dobëta janë sinqeriteti dhe vendosmëria për t’i çuar gjërat përpara. Edhe pse kam qenë i impenjuar në detyrimet e mia profesionale, nuk ndjehem aspak inferior karshi edukimit dhe interesimit ndaj saj. E kam mbështetur shumë pasi kam qenë vetë pjesë e botës së artit. Nuk i druhem paragjykimeve ndaj vajzës sime, sepse këtë botë e njoh mirë. Nuk kam frikë se mos zhgënjehem nga ajo. E kam lënë të lirë të bëjë zgjedhjet e veta, por edhe I kam qëndruar në kokë ashtu siç i ngulita librin. Pushimet e verës kanë qenë të tilla, lexime pa fund librash, aq sa i hyri qejfi, dhe sot është e dhënë pas shkencave të komunikimit, ndaj dhe studion filozofi. Kjo e ka ndihmuar të rritet vetë, të ketë një botëkuptim të sajin për botën, të fitojë shprehi. Armina ime është një. Unë e dua fort dhe besoj se jam një baba i devotshëm”.

Botuar më, Qershor 2010

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top