Përgatiti Blerina Hima Mërtiri, arsimtare, shkolla 9-vjeçare “Andon Xoxa”, Fier.
Deri vonë njerëzit kanë vlerësuar vetëm inteligjencën e mbijetesës, e cila është fenomen që e kanë të gjitha gjallesat. Mirëpo për njeriun nuk mjafton vetëm inteligjenca natyrale.
Njerëzit kanë nëntë lloje të ndryshme inteligjencash, të cilat pasqyrojnë mënyrën se si këta njerëz përballen me botën. Çdo njeri ka një kombinim të veçantë të tyre. Të kujtojmë këtu, internetin, mjetet e shpikura nga Stiv Xhobs, Iphone, Ipad si dhe rrjetet sociale e shumë forma të tjera komunikimi dhe informacioni.
Njerëzit, që i krijuan këto forma, përdorën të gjitha arritjet e deritanishme dhe jo vetëm në fushën e shkencës, por edhe në gjuhë, muzikë, vizatim, matematikë e më gjerë.
Origjina e teorisë “Teoria e Inteligjencave të Shumëfishta” është formuluar nga Hoëard Gardner, profesor i edukimit dhe psikologjisë në Universitetin e Harvardit. Më i njohuri është botimi i tij në 1983 me librin “Frames of Mind”, në të cilin vë në dukje qëndrimin e përgjithshëm ndaj inteligjencës që përqendrohet në testin e IQ-së (inteligjence quotient).
Nëntë inteligjencat e shumëfishta sipas Harward Gardnerit:
Inteligjenca gjuhësore,Inteligjenca logjike matematikore, inteligjenca ritmike muzikore, inteligjenca e lëvizjes, inteligjenca natyrale, inteligjenca intrapersonale, inteligjenca hapësinore, inteligjenca ndërpersonale, inteligjenca ekzistenciale.
Teoria e Inteligjencës së shumëfishtë ka efektin e saj në fushën e arsimit, e cila nxit rritjen e ndjeshme të vetëbesimit, motivimit, punës në ekip, sistemimin dhe mbajtjen e informacioneve. Kjo teori ka ndihmuar një numër të konsiderueshëm mësimdhënësish, për t’i inkurajuar ata që të shohin përtej kufijve të kurrikulës dhe testimit dhe duke u dhënë atyre një bazë për të zgjeruar fokusin e tyre. Gjithashtu i ndihmon nxënësit të bëhen tolerantë, të hapur, aktiv, mbështetës, kurioz të një bote në zhvillim dhe fleksibël.
Mësuesit, të cilët përballen me vështirësitë që kanë nxënësit në të nxënë dhe përpjekjet për t’i lehtësuar ato, kanë për detyrë të përqendrohen edhe tek talentet dhe aftësitë kreative të nxënësve.
Në këto aftësi kreative mund të përmendim:
–aftësia për të njohur dhe kuptuar veten, të dish kush je, çfarë mund të bësh, dhe çfarë dëshiron të bësh.
–aftësia për të kuptuar njerëzit e tjerët duke u përfshirë në punë, në grupe dhe diskutime.
–aftësia për të paraqitur botën hapësinore sipas mënyrës së secilit nxënës.
–aftësi për t’u përfshirë në lëvizje, veprimtari praktike apo detyra konkrete.
–aftësia për të menduar në muzikë, për të qenë i aftë të dëgjosh forma të ndryshme tingujsh, t’i organizosh ato sipas mënyrës tënde.
–Aftësia për të shprehur qartë atë që ke në mendje dhe për të qenë e kuptueshme nga të tjerët.
Njohja e këtyre aftësive i jep mundësi mësuesit për të ofruar mundësi të balancuara dhe veprimtari të nxëni që janë të përshtatshme për inteligjencat e shumëfishta të çdo nxënësi.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.